1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tek shpërtheu bomba me sahat - Përpara 30 vjetësh nisi lufta civile në Liban

Peter Filip13 Prill 2005

Vrasja e ish-kryeministrit Rafik Hariri në muajin shkurt të këtij viti zgjon kujtimet e dhimbshme të luftës civile në Liban, që zgjati për 15 vjet resht (1975 - 1990). Kjo luftë shkatërroi vendin që konsiderohej si "Zvicra e Lindjes së Mesme" dhe shkaktoi së paku 150.000 viktima. Konflikti mes bashkësive fetare, rrymave politike dhe shtresave sociale si një fushëbeteje krahas krizës në Lindjen e Mesme morri funksionin e një lufte zëvendësuese duke çuar në ndërhyrjen direkte të vendeve fqinjë, Izraelit dhe Sirisë.

https://p.dw.com/p/ArPm
Demonstratë kundër Sirisë në Bejrut
Demonstratë kundër Sirisë në BejrutFotografi: AP

Sfondi është i vjetër: qysh në vitin 1958 vendi ishte përfshirë në luftë civile, pasi grupet myslimane sunite dhe ato druse deshën t´i bashkangjiteshin lëvizjes panarabike të presidentit egjiptian Gamal Abdel Naser, i cili pak muaj më parë kishte arritur bashkimin mes Egjiptit dhe Sirisë. Vetëm me zbarkimin e trupave amerikane askohe mundi që të parandalohej marrja e pushtetit nga myslimanët dhe të anullohej "pakti i vështirë nacional".

Një sistem proporcional ndërfetar mbi bazën e regjistrimit të popullsisë të vitit 1932 u përcaktonte rolet grupeve të ndryshme të popullsisë dhe atyre fetare në Liban. Të krishterëve maronitë iu dha një pozicion dominues. (Ky është komuniteti më i vjetër fetar katolik në Liban që ka marrë emrin nga krijuesi i kishësh Shën Johan Maroni.) Ndonëse raportet e shifrave kanë ndryshuar prej kohësh dhe myslimanët, vecanërisht ata shiitë, ndërkohë përbëjnë shumicën në këtë shtet.

Për vite me radhë lufta e brendshme për pushtet në Liban injorohet. Por njëkohësisht nisin të shtohen edhe kampet e refugjatëve palestinezë përreth Bejrutit dhe palestinezët hynë në aleancë me grupet myslimane libaneze. Në këtë mënyrë nisi OÇP-ja, Organizata për Çlirimin e Palestinës, e cila sulmet ndaj Izraelit i kryente nga territori i Libanit. Këto sulme kishin në shënjestër kryesisht popullsinë civile izraelite, si rjedhojë Izraeli kundërgodet: duke bombarduar rajone libaneze e madje as vetë Bejruti nuk është më i sigurt prej hakmarrjes izraelite.

Tensionet mes të krishterëve dhe OÇP-së janë në rritje: lëvizja maronite "Kata´eb" nën drejtimin e Pierre Gemajel e ndjen veçanërisht se po i rezikohet sërish pozicioni i saj dominues. Kjo lëvizje ka frikë, se Libani "i saj" gjithnjë e më shpejt po involvohet në konfliktin ushtarak të Lindjes së Mesme, prej të cilit ajo e mbante atë të distancuar qysh nga viti 1948.

Nisin fërkimet dhe mosmarrëveshjet: kazermat e ushtrisë libaneze sulmohen prej grupeve të OÇP-së, palestinezët në Liban përdoren gjithnjë e më shumë nëpërmjet trukeve, udhëtimi drejt Jugut në afërsi të kufirit me Izraelin, vihet gjithnjë e më shumë nën kontrollin e ushtrisë. Por megjithatë në kufi herë pas here ndodhin incidente. Në qytetin port Saida në Jug të Libanit ndodhin konfrontime të ashpra mes ushtrisë dhe grupeve sunite. Aq më shumë intensifikohen konfrontimet pas vdekjes së udhëheqësit të tyre, Maruf Sa´ad, i cili u plagos për vdekje në mars gjatë ndërhyrjes së ushtrisë.

Në Bejrut nis të aktivizohet bomba me sahat. Ndërkohë OÇP-ja
është etabluar këtu dhe kontrollon kryesisht pjesën Fakhani të qytetit, ku ndodhet kuartieri qendror i Jaser Arafatit. Përgatitjet për konfrontimin kanë arritur kulmin më 10 prill. Tri ditë më vonë rojet e Pierre Gemajelit vriten nga persona të panjohur në hyrjen e kishës në lagjen Ein Rumaneh të Bejrutit, në kohën që shefi i tyre merrte pjesë në meshë.

Edhe pse nuk ka asnjë dëshmi për këtë, menjëherë thuhet, se atentatorët ishin palestinezë. Si rjedhojë hakmarrja ishte e tmerrshme: pak më vonë një autobus me palestinezë që udhëtonte për të marrë pjesë në një festë të OÇP-së në një kamp refugjatësh ndalet prej simpatizantëve të armatosur të Kata´ebit dhe të 27 palestinëz ekezekutohen. Që nga ky çast shpërthen lufta e hapur në pjesë të tëra të Libanit. Lufta u zbeh me ardhjen e trupave siriane në shtator 1976 që kishin mandatin për rivendosjen e qetësisë dhe të rendit. Por kjo vlejti pjesërisht. Sirianët involvohen vet nëpër luftime, dhe më në fund një vit më vonë zbarkojnë trupat izraelite që dëbojnë OÇP-në.

30.000 të vdekur, të paktën 60.000 të plagosur dhe së paku një gjysmë milioni të dëbuar. Ky është bilanci i luftës civile në Liban që pas një viti e gjysmë në shtator 1976 u shpall zyrtarisht e përfunduar. Por në të vërtetë vetëm në vitin 1990 mund të flitet pak e shumë për fundin real të saj. Deri në këtë periudhë numri i viktimave arriti në të paktën 150.000. Qysh nga ajo kohë në Liban ende nuk është vendosur paqja e vërtetë. Herë pas here në këtë vend shkaktohen viktima prej konfrontimeve të brendëshme apo prej ndërhyrjeve nga jashtë. Izraeli tërhoqi në verën e vitit 2000 40.000 trupat e dislokuara në Liban, ndërsa Siria vazhdoi t´i mbajë trupat e saj. Derisa në 2004 u krijua tension, pasi Damasku ndryshoi kushtetutën në Liban duke krijuar mundësinë që preisdenti Emile Lahoud pro sirian të mbetet në post. Pas kësaj kryeministri Rafik Hariri dhe disa politikanë të tjerë dhanë dorëheqjen. Më 14 shkurt 2005 Hariri vritet në mes të rrugës gjë që shkaktoi protetsta masive. Deri në fund të majit duhet të zhvillohen zgjedhjet parlamentare që do të bëjnë të tërhiqet edhe ushtari i fundit sirian.

Vetëm pasi të tërhiqet përfundimisht ushtria e Sirisë dhe pasi Damasku të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Bejrutit, libanezët do mund ta kenë në dorë vet vendin e tyre dhe duke mbyllur një kapitull që u hap në Bejrut në fillim të prillit 1975.