1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Taksa ndaj Serbisë sjell zyrtarë të Trumpit në Prishtinë

Bekim Shehu
28 Shkurt 2019

Dy zyrtarë të lartë amerikanë ia ripërsëriten udhëheqësve të Kosovës qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa ndaj produkteve të Serbisë duhet të hiqet me qëllim që të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/3EELl
Präsident des Kosovo Hashim Thaci bei einem Treffen mit Beamten des Nationalen Sicherheitsrates der USA
Fotografi: Office of the President of Kosovo

Dy zyrtarë të lartë  nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, erdhën në  Prishtinë të mërkurën, sic thuhet për ta bindur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, që ta pezullojë taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe në këtë mënyrë t'i hapet rruga dialogut për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Me sa duket Haradinaj, nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi i tij pa një marrëveshje për njohje  të Kosovës nga Serbia.

Drejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, dhe drejtori për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, takuan të mërkurën pasdite, së bashku Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Dy zyrtarët amerikanë nuk u prononcuan për medie.

Haradinaj: Të gatshme për marrëveshje obliguese me Serbinë

E kryeministri Haradinaj në një komunikatë për medie, nuk e përmendi mundësinë e heqjes së taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, mirëpo u shpreh se Kosova është e gatshme për një marrëveshje  me Serbinë ligjërisht obliguese, që do të rregullonte të gjitha çështjet. "Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, thotë Ramush Haradinaj, duke theksuar se marrëveshja me Serbinë do të garantonte edhe rregullimin e tregtisë së lirë ndërmjet dy vendeve.

Präsident des Kosovo Hashim Thaci bei einem Treffen mit Beamten des Nationalen Sicherheitsrates der USA
Fotografi: Office of the President of Kosovo

"Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj. I mbetemi besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundon në komunikatën e tij, kryeministri Ramush Haradinaj.

Thaçi:  Kosova nuk do t'i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore e miqësinë me SHBA-në”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në komunikatën e tij për media, thekson se "zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley, kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti Thaçi ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë që siç thotë  "me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t'i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në”. "Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Vuçiq u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të presin edhe disa ditë   

Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të këmbëngulë se pa heqjen e taksës për prodhimet e saja nga ana e Kosovës, Serbia nuk rifillon dialogun e fazës finale me Kosovën. E përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, si formë presioni ndaj Prishtinës kanë kërkuar mbështetjen e Presidentit të Serbisë që ata të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, ato qendrore dhe lokale. Këtë kërkesë e bëri publike të mërkurën vet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, ku priti në Beograd, siç tha "150 përfaqësues lokal dhe ata në nivel qendrorë nga veriu dhe jugu i Kosovës”. Kjo kërkesë e serbëve të Kosovës nuk ka gjetur mbështetje nga ana e Presidentit të Serbisë, i cili sic e citojnë mediet në Serbi Presidentin Vuciq, ai u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të presin edhe disa ditë.   

"Ata kërkuan braktisjen e parlamentit dhe gjitha institucioneve lokale, ku janë zgjedhur në bazë të ligjeve të Kosovës, braktisja e policisë rajonale në veri, prokurorisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë së Kosovës”, citohet Vuçiq, i cili i ka lutur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të kenë durim edhe 45 ditë deri në takimin e tij të planifikuar me presidentin e Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping, në fund të prillit në Pekin, ku siç thotë Vuciq "do të diskutohen rrethanat e reja edhe me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë”.

Serbien Präsident Aleksandar Vucic auf einer Pressekonferenz in Belgrad
Fotografi: picture-alliance/AA/M. Miskov

Në Beograd, të mërkurën Vuçiq priti edhe një delegacion të Parlamentit Evropian  që u kryesua nga raportuesi i Parlamentit Evropian  për Serbinë, David McAllister, ku është diskutuar për bllokimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë e krijimit të kushteve për vazhdimin e dialogut. Sipas një komunikate nga zyra e Presidentit Vuciq, thuhet se ky i fundit "pret nga bashkësia ndërkombëtare që të mos heshtë ndaj faktit se përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se kanë vendosur taksa anticivilizuese ndaj mallrave nga Serbia”. "Vetëm kur të përmbushet kjo kërkesë, atëherë krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut me Kosovën”, ka thënë Vuçiq. 

Në nëntor të vitit të shkuar qeveria e Kosovës vendosi tarifë shtesë 100% ndaj mallrave serbe, për shkak të siç thotë kryeministri Ramush Haradinaj,”agresionin politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”. Përfaqësues të institucioneve në Bruksel të BE-së dhe SHBA-së  vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria e Kosovës që ta heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe t'i hapet rruga dialogut Kosovë-serbi për një marrëveshje finale ligjërisht obliguese.