Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE
18 Gusht 2022Me ftesë të kreut të diplomacië evropiane Josep Borrell dhe nën ndërmjetësimin e tij, në Bruksel takohet të enjten (18.08) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq. Ky takim zhvillohet pas tensioneve të fundit në veriun e Kosovës, ku serbët lokalë vendosën barrikada në rrugë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet në dokumente udhëtimi të Serbisë dhe targa të makinave. Në takimin Kurti Vuҫiq, i pranishëm do të jetë edhe i ngarkuari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajҫak. Zyra për informim e BE-së ka bërë të ditur se “takimi do të fokusohet në ecjen përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”. Gjithashtu do të trajtohen edhe çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve në terren”. Takime të veҫanta me Kurtin dhe Vuҫiq do të ketë edhe shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, i cili më pas do t'u drejtohet edhe medieve.
Mbrëmjen e së mërkurës, Kryeministri Kurti zhvilloi një takim me të ngarkuarin e BE-së, Miroslav Lajçak, dhe emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Me këtë të fundit Kurti e quajti takim përgatitor, ku sipas tij, me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për "elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”. "Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”.
"Nuk do të ketë shtyrje të tjera të vendimit"
Kurti insistoi që Kosova është për reciprocitet me Serbinë dhe se nuk do të ketë shtyrje të tjera të vendimit. "Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje të tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar më datën 1 gusht se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, tha Kurti.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe konform ligjeve të Kosovës
Nga ana e tij, i ngarkuari amerikan për Ballkanin Perendimorë Gabriel Escobar, tha se në takim me kryeministrin e Kosovës është diskutuar edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. "Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”, tha Escobar.
Vuçiq nuk asgjë nga takimi me Kurtin
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq, pas një takimi që zhvilloi mbrëmë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoletenberg, tha se ai “nuk pret asgjë nga takimi me kryeministrin e Kosovës”."Serbia do të vazhdojë të respektojë mandatin e KFOR-it në Kosovë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sipas normave të Kombeve të Bashkuara. Besoj që gjithmonë do të jemi në gjendje të kuptohemi për dëshirën e vet zotit Stoltenberg dhe tërë NATO-s dhe KFOR-it që të vendosim paqe dhe qëndrueshmëri. Kam thënë se paqja dhe qëndrueshmëria janë të një rëndëse thelbësore për Serbinë”, tha Vuҫiq.
Ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi Miroslav Lajҫak, tha nga ana e tij se “dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje”, por nuk e specifikoi çfarë marëveshje. Ai tha se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e dy javëve më parë. "Do të kemi diskutime për marrëdhëniet e së ardhmes, si të arrihet normalizimi dhe do të diskutojmë çështjet aktuale. Ne kemi dy liderë me mandate demokratike dhe presim që ata të dedikohen në gjetjen e një zgjidhjeje që siguron se nuk do të ketë krizë”, tha Lajçak.