Takimi i parë i G20 në Bonn: Rendi botëror në krizë
15 Shkurt 2017Pasiguria dhe trazimi po përhapen në botë. Jo vetëm me ardhjen në post të Donald Trumpit por shumë gjëra të vëtëkuptueshme janë vënë papritur në pikëpyetje. G20 është një forum i rëndësishëm për të debatuar për këto dhe Gjermania mban nga 1 dhjetori presidencën e radhës.
Afrika - si pikërëndesë
Gjermania ka përgatitur një program ambicioz. Krahas temave të njohura si tregtia e lirë, rregullimi i tregjeve financiare, mbrojtja e klimës, bëhet fjalë edhe për luftën kundër terrorizmit, epidemive, dhe zhvillimet në politikën ndaj refugjatëve. Gjermania dëshiron të bindë vendet e G20-s për të luftuar më shumë shkaqet e emigracionit. Gjatë kësaj presidence për këtë arsye Gjermania ka vendosur si pikërëndesë Afrikën, për zhvillim të qëndrueshëm në këtë kontinent, dhe krijimin e shanseve për rajonin afrikan që deri në vitin 2050 do të numërojë 2 miliardë banorë.
Claudia Schmucker nga Shoqëria Gjermane për Politikën e Jashtme, DGAP mendon se njohja dhe shkëmbimi i opinioneve janë traditë e takimit të G20-s. "Por në këtë rast ky takim merr një rëndësi të veçantë, sepse është kontakti i parë me SHBA për të kuptuar se ç'qëndrim kanë ata mbi temat e G20-s." Presidenti Donald Trump ka qenë kritik ndaj tregtisë së lirë dhe ndjek kursin e proteksionizmit.
Takim në kohë krize
Për eksperten gjermane, Claudia Schmucker presidenca gjermane ka ardhur në kohë jo të mira. "Ekonomia botërore nuk është në gjendje të mirë. Kemi një president të ri amerikan, tek i cili nuk dimë, se si duhet të sillemi me SHBA-n si partnere. Kemi një samit të hershëm në korrik, sepse në shtator në Gjermani zhvillohen zgjedhje", thotë Schmucker duke theksuar se të gjitha këto ta bëjnë të vështirë marrjen e vendimeve të rëndësishme. Për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s në Bonn janë paralajmëruar protesta. Por edhe në Hamburg, ku mbahet samiti kryesor priten shumë mitingje.