Takim i Kimit dhe i Trumpit në Suedi?
16 Mars 2018Që prej një jave bota e di që Presidenti i SHBA, Donald Trump e përfytyron një takim me Kim Jong Unin, të cilin ai e ka quajtur një herë me shpoti "burri i vogël raketë". Një udhëtim i ministrit të Jashtëm të Koresë së Veriut në Suedi ushqen spekulimet për vendin ku do të zhvillohet ky takim i parë midis një presidenti në mandat dhe një pushtetmbajtësi koreanoverior. Ministri i Jashtëm Ri Yong Ho mbërriti të enjten për një vizitë dyditore në Suedi. Ndërkohë ai ka folur me kryeministrin Stefan Löfven dhe me homologen e tij suedeze Margot Wallström. Përmbajtjen e bisedimeve një zëdhënës i qeverisë nuk deshi ta komentojë.
Suedia është ofruar si ndërmjetëse
Mediet shtetërore në Korenë e Veriut bënë të ditur se vizita e ministrit të Jashtëm u shërben marrëdhënieve bilaterale me Suedinë dhe temave të tjera me interes të ndërsjellë. Ri donte të zhvillonte konsultime me homologen e tij Margot Wallström.
Në krizën e Koresë së Veriut Suedia tashmë është ofruar si ndërmjetësuese. Suedia ka që në vitet 1970 një ambasadë në Phenian dhe mbron atje edhe interesat e SHBA.
Kryeministri socialdemokrat i Suedisë, Stefan Lofven përforcoi të enjten se vendi i tij është i gatshëm që të mundësojë bisedime midis SHBA dhe Koresë së Veriut. Për këtë duhet të bien dakord edhe aktorët e tjerë kryesorë si Koreja e Jugut, Kina, SHBA dhe Japonia.
Së fundi, dy Koretë kanë bërë hapa të kujdesshëm afrimi. Uashingtoni dhe aleatët e tij presin nga Koreja e Veriut hapa konkretë për ndalimin e arsenalit bërthamor. Vitin e kaluar tensionet në rajon u shtuan së tepërmi, pasi Koreja e Veriut testoi disa herë raketa si dhe në fillim të shtatorit testoi një bombë tjetër atomike, duke shkelur rezolutat e OKB-së. Sipas saj, Koreja e Veriut mund të sulmojë me armë atomike të gjithë territorin e SHBA.