1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri

29 Nëntor 2011

"Manual i rezistencës kundër nacionalsocializmit dhe fashizmit në Evropë, 1933/39 deri 1945", është një libër i botuar në Shtëpinë botuese "De Gruyter" nga Gerd R. Überschär me bashkëpunim të Peter Steinkamp-it.

https://p.dw.com/p/13IzX
Kopertina e librit: "Manual i rezistencës kundër nacionalsocializmit dhe fashizmit në Evropë, 1933/39 deri 1945"
Kopertina e librit: "Manual i rezistencës kundër nacionalsocializmit dhe fashizmit në Evropë, 1933/39 deri 1945"Fotografi: De Gruyter

Siç e tregon edhe titulli, libri i kushtohet historisë së rezistencës në vendet evropiane, lindjes s saj dhe organizimit deri në fund të luftës. Nëse kur merr librin në dorë, shtron pyetjen pse shkruhet sërish, 66 vjet pas përfundimit të luftës një libër për rezistencën kundër fashizmit dhe nacionalsocializmit, përgjigjen e merr menjëherë në parathënien e shkruar nga botuesi.

Pse sërish për rezistencën?

"Pas përfundimit të luftës në maj 1945 për shtetet, që kishin qenë gjatë LIIB nën pushtimin italian apo gjerman, ishte e rëndësishme që të tregonin se jo vetëm që e kishin duruar, pranuar, apo bashkëpunuar me forcën okupatore, por kishin kryer edhe rezistencë kundër pushtimit fashist dhe nacionalfashist. Rezistenca kundër sundimit gjerman dhe italian është prezantuar jo rrallë si lëvizje aktive, që luajti rol kryesor në rrëzimin e të dy regjimeve, atij të Musolinit dhe të Hitlerit. Kështu është krijuar miti i rezistencës së madhe kombëtare, format dhe aktivitetet e së cilës u përcaktuan shumë të zgjeruara dhe të shumëllojshme. Por, shumë prezantime heroike të rezistencave kombëtare nuk i përgjigjen fakteve ose realitetit", shkruan botuesi Gerd R. Überschär.

Botuesi ka venë re se "edhe sot, vazhdon të zhvillohen diskutime mbi pjesën, që kanë zënë grupimet e rezistencës në çlirimin e vendeve të veçanta". Që në konferencat e para ndërkombëtare në vitet 1958 dhe 1960 është folur për vlerësimin e nivelit të influencës së rebelimit kundër pushtuesit dhe problematikën e marrëdhënieve të grupimeve kombëtare partizane dhe grupeve të rezistencës me Aleatët. Sepse Aleatët i kanë shfrytëzuar njësitë partizane rrallë si pjesë operative të drejtimit të luftës.

Rezistenca në vende të veçanta ka pas përfshirë refuzimin simbolik dhe format të ndryshme të protestave, aktivitetet ilegale dhe luftën e armatosur të organizatave partizane me atentate dhe sulme sabotative kundër personave dhe institucioneve të forcave pushtuese.

Përmendore e rezistencës në Durrës
Përmendore e rezistencës në DurrësFotografi: DW / Cama

Historiografia?

30 artikujt librit ofrojnë një vështrim mbi gjendjen e studimeve. Me ndihmën e udhëzuesve për literaturën dhe arkivat e përdorura mundësohet edhe vazhdimi i punës mbi temën e "Rezistencës në Evropë". Kjo nuk mund të arrihet gjithnjë në bazë të studimeve në vende të veçanta, nganjëherë tema mund të përshkruhet vetëm në formë skicash, sepse studime të detajuara nuk ekzistojnë. Kjo vlen veçanërisht për situatën në të cilën ndodhet historiografia në vendet e ish "bllokut lindor", Evropës lindore dhe juglindore ku shkrimi i historisë është vendosur në standarte shkencore pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1990.

Në pjesën e librit që bën fjalë për "Rezistencën në Evropë dhe në Evropën Juglindore", ndodhet edhe artikulli "Shqipëria: Rezistenca kundër pushtimit italian dhe pushtimit gjerman", i shkruar nga Peter Bartl. Prej tij ne do të shkëpusim disa momente.

Shqipëria- pas pushtimit italian

"Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria nuk ishte më shtet i mëvetësishëm. Më 7 prill 1939 zbarkuan trupat italiane zbarkuan dhe pushtuan vendin. Ushtria e vogël shqiptare e shkolluar dhe kontrolluar nga oficerët italianë, nuk ushtroi rezistencë. Në Durrës, oficeri i xhandarmërisë Abaz Kupi u përpoq me disa xhandarë dhe banorë të qytetit të mbante bllokuar dy divizionet italiane, gjë që ia arriti për pak kohë duke i mundësuar Mbretit Zog që sundonte që prej 1928-ës, të arratisej për në Greqi," shkruan Bartl duke cituar në këtë pjesë Julian Amery me Sons of the Eagle.

Më 16 prill, Shqipëria u fut në "personalunion" me Mbretërinë e Italisë. Me përjashtim të SHBA-së, vendet e tjera, e pranuan agresionin italian kundër Shqipërisë pa kundërshtuar. Vendimtare për qëndrimin e mëtejshëm të fuqive perëndimore pas vjeshtës të 1939-ës, ishte se donin të mos përzienin Italinë, që kishte qenë deri në atë kohë neutrale, në luftën që kishte filluar ndërkohë.

Fakti, që me përjashtim të Kupit, nuk u krye ndonjë rezistencë serioze, nuk do të thotë se italianët ishin të mirëpritur në Shqipëri. U zhvilluan demostrata para ambasadave të huaja, ku u protestua kundër invazionit italian, shkruan Bartl duke cituar nga dizertacioni i Bernhard Kühmel-it, "Gjermania dhe Shqipëria 1943-1944". Menjëherë pasuan aksione të tjera të rezistencës pasive: Nxënësit refuzonin të bënin përshëndetjen romane, fotografitë e Musolinit dhe mbretit italian Viktor Emanuel, griseshin dhe hidheshin përtokë," shkruan Bartl duke cituar Bernd J. Fischer me "Albania at war, 1939-1945". Më 28 nëntor 1939 nxënësit demostruan në Shkodër dhe Korçë. Në qytete u shpërndanë fletushka antiitaliane. Këtu citohet Hubert Neuwirth me "Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri, 1939- 1944".

Në mënyrë të veçuar pasuan sulme mbi ushtarët italiane dhe akte të vogla sabotazhi. Në vitin 1940 rezistenca u rrit, kryesisht në zonën kufitare Jugosllavi- Shqipëri. Aty operonin grupime idhtare të Zogut, si Ibrahim Kupi, Cen Elezi dhe Murat Kaloshi. Këtyre iu bashkuan kundërshtarët e Zogut, që kishin qenë arratisur në Jugosllavi, si Myslim Peza dhe Muharrem Bajraktari, të kthyer tashmë në Shqipëri. Përpjekja e tyre e përbashkët ishte që të merrin pozicionet dhe pasurinë që kishin humbur nga Zogu ose nga italianët, dhe që të rrëzonin sundimin italian që e shihnin si pushtim. Bandat e tyre kryenin kryesisht në zonën e Matit dhe Dibrës një luftë të vogël kundër italianëve.

Pas përfshirjes së Italisë në luftë, shërbimi sekret britanik u përpoq të nxiste rezistencën në Shqipëri. "Seksioni D", që u quajt më vonë në S.O.E (Special Operations Executive) pati treguar që në maj 1945 interes ndaj Shqipërisë, e cila i dukej vend ideal për organizimin e një lufte guerrile. (Burimi: Bickham Sweet Escott: Baker Street Irregular).

Me përgatitjen e rezistencës u ngarkua Dayrell Oakley Hill, i cili ishte marrë dikur me shkollimin e xhandarmërisë së Zogut. Ai u dërgua më 1940 në Zyrën e S.O.E. në Beograd dhe u vendos në kontakt me shokët shqiptarë, kryesisht me Gani dhe Said Bej Kryeziun. Abaz Kupi u thirr të vinte nga Stambolli në Beograd dhe në plane u përfshi edhe Mustafa Gjinishi, i cili shihej si komunist.

Përmendore e rezistencës në Tiranë
Përmendore e rezistencës në TiranëFotografi: Mimoza Dhima

Më 7 prill 1941, Oakley - Hill, vëllezërit Kryeziu dhe Abaz Kupi të shoqëruar nga 300 burra kaluan kufirin jugosllav me Shqipërinë, për të nxitur atje rezistencën. Ky aksion i papërgatitur mirë, dështoi sepse familjet katolike të malësisë nuk dhanë mbështetjen e tyre (Dayrell R. Oakley Hill: An Englischman in Albania), dhe sepse momenti ishte shumë i papërshtatshëm, sepse me marrshimin në Ballkan të fuqive të Aksit, lufta mbërriti përfundimisht edhe në Evropën Juglindore.

Bashkë me italianët kundër Greqisë

Më parë, më 29 tetor 1940 Italia sulmoi Greqinë nga Shqipëria, sulm që përfundoi me humbje. Shqiptarët morën pjesë në sulmin kundër Greqisë me një trupë të rregullt me 20 mijë burra dhe me një trupë vullnetare. Kontributi i tyre vlerësohet në mënyra të ndryshme. Sipas një raporti gjerman të 7 dhjetorit 1940, "ushtarët shqiptarë kaluan në numër të madh tek grekët". Edhe autorët shqiptarë flasin për dezertime dhe që dezertorët shqiptarë iu bashkuan ushtrisë greke për të luftuar kundër italianëve. Kurse guvernatori i Mbretit në Shqipëri, Francesco Jacomoni flet "për legjendë të tradhëtisë shqiptare", sepse sipas tij asnjë ushtar shqiptar nuk shkoi tek armiku". (Francesco Jacomoni di San Savino: La politika dell`Italia in Abania...).

Humbja e madhe ushtarake e detyroi Musolinin të kërkonte ndihmë tek aleatët gjermanë. Më 6 prill 1941, trupat e aksit sulmuan si Greqinë ashtu edhe Jugosllavinë. Rezistenca në të dy vendet u shpërbë menjëherë. Më 17 prill kapitulloi ushtria jugosllave, më 24 ushtria greke.

"Shqipëria e madhe"

Në ndarjen e re territoriale që pasoi, u vendosën nën administrimin italian territoret e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi, pjesa më e madhe e Kosovës, Maqedonisë perëndimore dhe pjesa e banuar nga shqiptarët në Mal të zi. Kur italianët bashkuan më 12 gusht 1941 territoret e pushtuara me Shqipërinë, u krijua një Shqipëri e Madhe, e ëndërruar dikur nga patriotët shqiptarë. Kështu, Shqipëria përmblidhte 42.469 km katrorë me 1.756.000 banorë. Kjo Shqipëri e Madhe ishte pjesë përbërëse e perandorisë italiane me shtetësi të kufizuar. Meqenëse fushata kundër Greqisë, tregoi dobësitë e italianëve, filloi forcimi i rezistencës në Shqipëri. Pas një atentati të pasuksesshëm mbi Mbretin Viktor Emanuel në Tiranë, në maj 1941u kontrolluan 1130 shtëpi, u morën në pyetje 21131 persona dhe u internuan në kampet italiane 5279 persona.( Historia e Shqipërisë- Tiranë 1965). Italianët filluan të humbasin kontrollin mbi vend, me përjashtim të qytetete mëdha dhe rrugëve kryesore. Më e rëndë situara u bë me krijimin nga komunistët e një grupi tjetër rezistence, i cili do të merrte shpejt drejtimin.

Shqipëria ishte i vetmi vend i Ballkanit, pa Parti Komuniste

Më 1928 u krijua në Moskë një Parti e vogël shqiptare komuniste në ekzil. Në të njëjtin vit, Kominterni dërgoi në atdhe disa shqiptarë që jetonin në ekzil për të ngritur një qeli komuniste. (Nicholas Pano: The People' s Republic of Albania. Baltimore 1968). Kjo njësi ishte e përçarë për çështje ideologjike dhe organizative. Komunistët shqiptarë u bashkuan vetëm pas sulmit gjerman mbi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor 1941 dhe me inisiativën jugosllave. Më 4 nëntor 1942, u takuan në Tiranë 20 delegatë nga tre grupime komuniste dhe krijuan më 8 nëntor Partinë Komuniste të Shqipërisë. I diskutueshëm është roli, që kanë luajtur komunistët jugosllavë në krijim e Partisë. Në fund të fundit midis të dy partive filloi bashkëpunimi. Kjo tregohet në marrjen e yllit të kuq si shenjë e partizanëve, e përshëndetjes partizane jugosllave "Slloboda Narodu- Vdekje fashizmit Liri popullit), por edhe e taktikës së frontit popullor, taktikë e ndjekur nga komunistët pak më vonë.

Detyra kryesore e partisë ishte lufta "për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar dhe për një qeveri demokratike në një Shqipëri pa fashizëm". (Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë, Tirana 1971). Për këtë duhet të krijoheshin grupimet e armatosura. Ata i përqëndruan përpjekjet e tyre në Shqipërinë jugore, në zonën rreth Korçës, ku ndodhej rinia e qytetit dhe fshatarët pa tokë.

Megjithatë, krijimi i çetave komuniste ecte shumë ngadalë. Mungonin armët, paratë dhe njerëzit me përvojë ushtarake. Lëvizja partizane komuniste ishte deri në atë kohë një çështje e toskëve: Komunisti Mustafa Gjinishi ishte ai që bëri lidhjen me veriun geg. Ai ishte po ashtu ai që i bindi për të bashkëpunuar me komunistët Myslim Pezën, Haxhi Lleshin dhe Baba Faja Martaneshin. Në verë të 1942 komunistët organizuan një konferencë, në të cilën do të merrnin pjesë udhëheqësit e të gjitha grupeve të rezistencës dhe të gjithë kundërshtarët e regjimit italian. Konferenca u zhvilla në Pezë më 16 shtator. "Lëvizja për çlirimin kombëtar" u kthye në konferencë në "Frontin Nacionalçlirimtar" (Reginald Hibbert: Albania' s National Liberation Struggle: The Bitter Viktory). Më tej u nxorr një "platformë e luftës nacional-çlirimtare". Kjo parashikonte: luftë për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike, mobilizimin e të gjitha forcave patriotike "pa dallim klase, bindjeje politike, feje dhe origjine", krijimin e "Këshillave Nacionalçlirimtar" si organe të pushtetit të popullit në zonat e çliruara, përgatitjen e një rezistence popullore të përgjithshme si etapën e fundit të luftës partizane dhe shpërthimin e një lufte të organizuar kundër shoqërive aksionere italiane dhe të gjithë atyre që pasurohen në kurriz të popullit me ndihmën e fuqive pushtuese. Nëpërmjet bashkëpunimit me rezistencën jokomuniste, grupet komuniste deri në atë kohë të parëndësishme, morën kuptim tjetër. Komunistët e kuptuan, se duhet të siguronin kontrollin e LNÇ. Abaz Kupi e kundërshtoi këtë zhvillim dhe nuk duroi të kishte në territoret e kontrolluara prej tij as komisarë politikë, as këshilla nacionalçlirimtare. Numri i luftëtarëve te rezistencës u rrit shumë pas Pezës.

Përmendore e rezistencës në Berat
Përmendore e rezistencës në BeratFotografi: DW / Aida Cama

Në Konferencën e Pezës nuk erdhën të gjithë politikanët jo-komuniste që ishin ftuar. Në të nuk mori pjesë Mithat Frashëri. Ai dhe i ati, Mehdi shihen si iniciatorët e lëvizjes nacionaliste të rezistencës "Balli Kombëtar", data e themelimit të të cilës është e diskutueshme. Balli Kombëtar e shihte veten njëjtë si LNÇ, si bashkim mbipartiak i patriotëve shqiptarë, Balli ishte antifashist, republikan dhe ishte për kufijtë etnikë. Sipas programit të organizatës, asnjë fshatar nuk duhet të ishte pa tokë, asnjë punëtor pa mundësi për të siguruar jetesën. Për tradhëtarët, spekulantët dhe feudalët nuk do të kishte më vend. Programi i Ballit ishte shumë më nacional dhe social se ai i LNÇ. (Muharrem Dezhgiu: Shqipëria në luftë(1939- 1944). Prandaj me të u bashkuan edhe grupe të vogla marksiste si "Zjarri" dhe socialdemokratët. Nga pikëpamja organizative, Balli ishte ndërtuar si LNÇ. Ai kishte një komitet qendror me Mithat Frashërin në krye dhe një Komitet rajonal, një organizatë rinore dhe dy periodika ilegale. Edhe tek Balli, u ngritën njësi partizane që luftonin kundër trupave pushtuese italiane. Në fillim pati bashkëpunim më partizanët komunistë, si përshembull gjatë luftimeve për Tragjasin (Vlorë). Balli Kombëtar u kthye në rrezik serioz për komunistët. Enver Hoxha, i cili u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm në Konferencën e parë kombëtare në Labinot (17-22 mars 1943) duhet të merrte parasysh situatën e re të krijuar.

Në një letër drejtuar komitetit të Korçës, ai konstaton se duhej arritur mirëkuptim me ballistëve, përderisa mes tyre "ka shumë elemente të drejtë", që e "duan vërtetë luftën dhe bashkimin". Në Mukje, në Krujë pati bisedime midis të dy grupeve të rezistencës (1-3 gusht 1943), të cilat përfunduan me një marrëveshje. U morr vendimi për krijimin e një "Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë", i cili do të ushtronte funksionin e një qeverie provizore. Trupat e huaja duhet të luftoheshin. Synimi ishte Shqipëria e lirë, e pavarur dhe demokratike popullore në kufijtë e saj etnikë. Mbi formën shtetërore do të vendosej në zgjedhje të përgjithshme.

Ajo që duhet thënë është se edhe komunistët e delegacionit të LNÇ, mes tyre Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi, e nënshkruan mrrëveshjen duke hequr në këtë mënyrë dorë nga roli drejtues i partisë së tyre. Nuk dihet nëse kjo është bërë me direktiva të partisë. Ajo që dihet është se vendimet e Mukjes binin ndesh me partinë komuniste jugosllave. Ndërkohë që pas Mukjes ballistët e shtuan luftën e tyre kundër italianëve, Komiteti qëndror i Partisë Komuniste e hodhi poshtë marrveshjen e 8 gushtit duke e quajtur kapitullim para ballistëve.

Britanikët

Pas fiaksos së aksionit të Oakley Hill-it më 1941, britanikët nuk u morën më me Shqipërinë. Situata ndryshoi kur Aleatët zbarkuan në verë të 1943-it në Sicili. S.O.E. u përpoq të vendoste kontakt me rezistencën në Shqipëri për ta stimuluar. Në fund të 1943-it, oficerët Billy Mc Lean, David Smiley dhe Garry Duffy u futën ilegalisht në Shqipëri. (Burim: S. David Smiley: Albanian Assignemnt. London 1984).

Pas disa vështirësish ata vendosën kontakt me partizanët komunistë në jug të Shqipërisë. Enver Hoxha përpiqej prej mosbesimit t`i mbante britanikët larg burimeve të informacioneve. Ky mosbesim kishte të bënte me lidhjet që oficerët britanikë mbanin kontakt edhe me partizanët jo- komunistë. Në prill 1944, tek partizanët komunistë në jug ushtronin aktivitetin 11 oficerë britanikë, tek nacionalistët në veri 16 oficerë britanikë. Megjithë mosbesimin udhëheqja e Partisë Komuniste kishte nevojë për britanikët sepse me misionet ushtarake lidheshin edhe ndihmat. Vetëm në muajt qershor- gusht 1943 në zonat e partizanëve u hodhën 19,5 ton armë, municione dhe pajisje ushtarake, të cilat u përdorën kryesisht për armatosjen e Brigadës së 1 partizane, të trajnuar nga Mc Lean dhe Smiley. Kjo ndihmë u forcua pas ofensivës dimërore gjermane kundër partizanëve, me përshembull 27,5 ton armë vetëm në prill 1944.

Kapitullimi i Italisë

Ndërkohë ndodhi shpërbërja ushtarake e italianëve. Më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi para aleatëve. Shqipëria u pushtua nga ushtria gjermane, Wehrmacht. 90 000 italianë ranë rob i gjermanëve, rreth 45 000 u shpërndanë nëpër vend. Oficerët britanikë dhe udhëheqësit komunistë u përpoqën të bindin italianët që t`ia jepnin armët e tyre partizanëve. Sukses patën vetëm tek divizioni "Firence", prej të cilit rreth 1 500 - 2200 veta iu bashkuan LNÇ duke krijuar batalionin "Antonio Gramshi". Njësitë e tjera italiane u përpoqën të arrinin bregdetin për të shkuar prej atje në Itali. Njësi të tjera italiane nuk iu dorëzuan as gjermanëve as partizanëve por krijuan qendrat e veta të rezistencës kundër gjermanëve. Në fund të luftës në Shqipëri ndodheshin rreth 20 mijë ushtarë italianë.

Gjermanët

Ushtria gjermane, Wehrmacht kishte në dispozicion pak trupa për të treguar prezencë të madhe ushtarake në Shqipëri. Prandaj pala gjermane u përpoq që të krijonte në Shqipëri raporte stabile politike. Më nëntor 1943 Hermann Neubacher u dërgua në Shqipëri si "Agjent special i Ministrisë së Jashtme gjermane për Juglindjen". Ai duhet të merrej me nxitjen e "një inisiative për Shqipërinë e pavarur" (Burimi: Hermann Neubacher: Sonderauftrag Südost 1940- 1943.) Politikanët shqiptarë duhet të nxiteshin për krijimin e një qeverie dhe për marrjen e administrimit. Qeveria duhet të ishte pro-gjermane dhe antikomuniste. Por politikanët u treguan të rezervuar. Në atë kohë besohej se Aleatët do të zbarkonin shpejt në Ballkan dhe politikanët nuk donin të kompromentoheshin. Përpjekjet gjermane patën sukses në "territoret e reja shqiptare", që do të thotë në territoret e bashkuara pas 1941. Me inisiativën e kosovarëve Bedri Pejani dhe Xhafer Deva si dhe elbasansit Ibrahim Biçaku, u krijua më 13 shtator 1943 një Komitet Kombëtar, i cili duhet të krijonte një qeveri provizore të drejtuar nga Biçaku. Ky Komitet Kombëtar u mblodh më 16 tetor 1943, vendosi në fuqi kushtetutën e 1928-ës, emëroi një regjencë dhe zgjodhi një qeveri, në krye të të cilit u vendos kosovari Rexhep Mitrivoca. Shqipëria u shpall e pavarur dhe neutrale. Pavarësia shqiptare u pa nga Gjermania si "sovranitet relativ". Por Aleatëve nuk e bëri përshtypje deklarata e pavarësisë dhe e neutralitetit e Shqipërisë dhe vazhduan të përkrahnin kundërshtarët e qeverisë, nëse këta luftonin kundër gjermanëve.

Lufta civile shqiptare

Lufta kundër trutpave pushtuese, u kthye në fund të vitit 1943 në luftë civile shqiptare. Grupet jo-komuniste ranë mes dy fronteve, organizimin kundër gjermanëve dhe pjesërisht edhe kundër LNÇ. Kjo preku kryesisht Ballin Kombëtar, likuidimin e të cilit Enver Hoxha e pati njoftuar që në tetor 1943. Kështu, LNÇ ofroi mundësinë e luftimin e vetme kundër trupave pushtuese. Dhe me këtë pati sukses. Në të njëjtin raport, sa u rrit ndihma e Aleatëve për LNÇ, aq u zvogëlua për grupet nacionaliste. Por britanikët nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga rezistenca jo-komuniste. Ata u përpoqën të nxisnin luftën e tyre kundër gjermanëve dhe t' i jepnin arsye komunistëve që të hiqnin dorë nga luftimi i nacionalistëve. Për këtë duhet të ndihmonte Davies, i cili shkoi në mes të tetorit në Shqipëri. Ai kërcënoi se nëse lufta civile vazhdon atëherë ndihmat e Aleatëve do të ndërpriten. Hoxha e pa këtë si përzierje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Megjithatë antipatinë e oficerëve britanikë ndaj komunistëve, ata nuk mund të mos shihnin se LNÇ ishte organizata e vetme që luftoi me koseguencë kundër gjermanëve. Prandaj ajo duhet të ndihmohej sa më shumë. (Burimi: Hibbert, Albania's National Liberation Struggle). Gjatë "ofensivës së dimrit" të gjermanëve, nëntor 1943- shkurt 1944, partizanët pësuan humbje të mëdha. Në mars 1944 qeveria kontrollonte të gjitha prefekturat shqiptare me përjashtim të Gjirokastrës. Por LNÇ filloi të riorganizohej dhe kaloi në prill në ofensivë. Në maj 1944 S.O.E. e vlerësonte trupën partizane që e cilësonte veten "Ushtria Nationalçlirimtare" me rreth 20 mijë vetë. Deri në tetor 1944, sipas të dhënave shqiptare, ajo arriti në 70 mijë vetë, prej të cilëve 90 përqind ishin fshatarë, 80 përqind të rinj dhe nëntë përqind femra.

Lufta vazhdoi në Shqipëri dëri në fund të nëntorit, por që në verë 1944 u pa se ajo do të përfundonte me marrjen e pushtetit nga komunistët.

Më 2 tetor 1944 trupat gjermane morën urdhërin për tu tërhequr nga Shqipëria. Partizanët morën pas tyre pushtetin në qytetet më të mëdha. Në Tiranë lufta vazhdoi nga 19 tetori deri më 17 nëntori. Aty u zhvillua konfrontimi me pasoja më të rënda midis trupave pushtuese dhe partizanëve të zhvilluar në tokën shqiotare. 2 000 ushtarë gjermane dhe 127 partizanë humbën jetën. Trupat gjermane u larguan nga qyteti i fundit shqiptar, Shkodra më 29 nëntor. Lufta në Shqipëri mori fund, por rezistenca jo. Ajo nuk drejtohej më kundër trupave pushtuese, por kundër udhëheqjes së re komuniste, e cila e kishte të vështirë të depërtonte në malësinë e veriut të Shqipërisë.

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Angelina Verbica