Sëmurë nga emigrimi?
6 Mars 2013Kur ishte në fillimet e tö njëzetave Sara B. (emri i ndryshuar nga redaksia) pati një depresion të rëndë. Gjithçka ishte për të e mundimshme. Me vështirësi të mëdha 27 vjeçarja ngrihej në mëngjez nga shtrati. Pastaj ajo kërkoi ndihmë tek një terapeut dhe punoi intensivisht me jetën dhe identitetin e saj.
Prindërit e Sarës janë të dy nga Maroku. Babai erdhi në Gjermani në fillim të viteve 70-të. Gjermania e joshi për të punuar. Ai ëndërronte për një jetë më të mirë ekonomike për vete dhe familjen e tij.
Nëna e Sarës, e cila ishte 19 vjeçe, kur erdhi me burrin në Gjermani, ndjehej shpesh e përbuzur dhe e përjashtuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës gjermane. Pasoja: tek nëna e Sarës u manifestua një frikë e thellë, siç e kanë të zhvilluar shumë migrantë nga të ashtuquajtura familje punëtorësh emigrantë.
Arif Ünal është marrë me shkaqet: "Punëtorët emigrantö nuk dinin gjermanisht, nuk kishin asnjë informacion për Gjermaninë. Dhe kjo i vinte ato nën një trysni të madhe. Kishte prej atyre, që nuk kishin kaluar kurrë një semafor të kuq. Ata kishin kujdes për gjithçka, me qëllim që të mos bënin asnjë gabim." Ünal, si politikan i të Gjelbërve në parlamentin e landit tö Renanisö Veriore-Vestfalisë, drejton në Këln "Qendrën psikosociale të kompetencës për migracionin", që i ka vënë qëllim vetes, të përmirësojë kujdesin shëndetësor mendor të migrantëve. Histori si ajo e nënës së Sarës ai dëgjon çdo ditë këtu.
Obsesioni mund të jetë rrjedhojë e migracionit
Nëna e Sarës gjatë 40 viteve të fundit zhvilloi një obesion për t'u larë. Për të gjithçka duhet të jetë e pastër. Nëqoftëse ajo prek këpucët, duhet t'i lajë menjëherë duart. Nga të larët e shpeshtë lëkura i është tharë e plasaritur. Nga vjen ky obsesion? "Unë besoj, se ajo ka frikë nga paragjykimi i të huajve "të pisët", supozon e bija Sara.
Një sjellje e sëmurë, si e nënës së Sarës, mund të jetë një pasojë tipike e migracionit, thotë Arif Ünal: "Migracioni nuk të bën automatikisht të sëmurë, por nëqoftëse ka dispozita të tjera, migracioni mund të jetë një faktor për t'u sëmuruar", thotë politikani i të Gjelbërve.
Familia e Sarës duhet të ballafaqohet shpesh me racizmin dhe paragjykimet. Vendi, ku ata banojnë, konsiderohet si qëndër e neonazistëve në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë. Një herë në vit ekstremistët e djathtë marshojnë në këtë qytezë. Për të qenë e sigurtë familja e Sarës mbyllet pastaj në shtëpi. Për Sarën është më e vështirë që të përballohet racizmi i përditshëm, i cili është shumë më subtil, në shkollë për shembull. Gabimet, që ajo i bënte në shkollën fillore, mësuesja i theksonte me qejf të madh para gjithë klasës. Sara ndjehej e turpëruar para fëmijëve të tjerë.
"A jam gjermane? A jam marokane? Jam gjermano-marokane?"
Fakt është se Sara ndjehej shpesh e përjashtuar si e vetmja muslimane në klasën e saj. Atë e shoqëronte shpesh ndjenja se nuk bënte pjesë askund: "Këtu në Gjermani unë jam marokanja. Por në pushimet e vetës në Marok unë jam gjermanja."
Nëse jeta nuk bëhet më e mirë nga ndërrimi vendit, nëse njerëzit në atdheun e ri, që kanë zgjedhur për të jetuar, përjetojnë dhunë, përjashtim dhe racizëm, kjo thotë Ünal mund të favorizojë sëmundjet psikike. Këto mund të shfaqen edhe përmes problemeve të identitetit, si në rastin e Sarës.
Sara ende nuk e di se kush është: "Jam gjermane? Jam marokane? Jam gjermano-marokane? Unë kam ndjesinë se kam dy personalitete." Dhe në varësi të temës apo situatës ajo nxjerr njërën anë të personalitetit të saj, atë që pritet prej atyre, që ka përballë. Në universitet do që të jetë e re dhe moderne, të jetojë e lirë nga konvencionet. Ana tjetër e saj, ajo marokane, është shumë më e orientuar nga doket e zakonet, më konservatore. Këtu kanë rëndësi respekti dhe virtytet. Sara e ka të vështirë të bashkojë të dyja anët në një.
Kjo i bie në sy sidomos në fundjavë. Për shoqet e saj është e vetëkuptueshme, të shkojnë në diskoteka. Kur Sara shkon me to, e vret ndërgjegja. Jam tani nga këndvështrimi marokan një person i dyshimtë, pa virtyte? Kur shkon në festa, ka gjithmonë kujdes të mos e shohin marokanët e tjerë. "Çfarë do të thonin ata për mua", pyet ajo veten. Ec e jaket ndërmjet dy kulturave i shkaktojnë Sarës konfuzion, pasiguri, frikë: "Unë kam frikë nga situata të caktuara dhe prej jetës si e tillë", pranon ajo.
Psikoterapia si një mënyrë për të dalë nga kriza personale
"Sipas shkallës së simptomave, ka metoda të ndryshme për të shëruar një sëmundje psiqike për shkak të një përvoje negative me migracionin", thotë Arif Ünal. Simptomat mund të kurohen me ilaçe, thotë ai. Por për luftimin e sëmundjes nevojitet medoemos ndihma psikoterapeutike, si ajo që merr Sara.
"Unë ballafaqohem me temën dhe përpiqem që të gjej një rrugë përmes terapisë, për të jetuar me të dyja anët", thotë ajo. "Shumica nga rrethi im familjar dhe i miqve kanë vendosur për njërën anë, por pikërisht kjo nuk funksionon për mua. Unë nuk mund të them, se jam gjermane apo marokane. Por pikërisht këtë duhet të pranoj. Deri atje është një rrugë e gjatë."
Ndërsa vret mendjen për krizën e identitetit të saj, Sara qesh papritur. Ajo thotë: "Ah, po ndërkohë kam një personalitet të tretë, gjermano-marokan. Ajo tund kokën për dy personalitetet e tjera."