1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFederata Ruse

Sulmi në Moskë: Kush qëndron pas ISIS-K?

26 Mars 2024

Çfarë dihet për grupin terrorist që dyshohet se qëndron pas sulmit në sallën e koncerteve në Moskë? Ka akuza të ndryshme se kush qëndron pas sulmit...

https://p.dw.com/p/4e5VU
Njëri nga terroristët e dyshuar në Moskë
Njëri nga terroristët e dyshuar në MoskëFotografi: Sefa Karacan/Anadolu/picture alliance

Menjëherë pas sulmit në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë tëRusisë natën e 22 marsit, përgjegjësia për krimin u mor nga një degë e të ashtuquajturit Shteti Islamik, i cili e quan veten "Shteti Islamik Provinca e Khorasanit" (ISIS-K). Deklarata u publikua nga agjencia e lajmeve Amaq e lidhur me ISIS dhe u shpërnda në platformën e mesazheve Telegram.

Kush qëndron pas ISIS-K?

ISIS-K ka një reputacion si një nga degët më të dhunshme të IS. Grupi terrorist xhihadist transnacional ka vrarë mijëra njerëz në sulme në Afganistan dhe Pakistan që nga viti 2015.

Emri i grupit rrjedh nga Khorasan, një emër i lashtë për një zonë që përfshin pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit, megjithëse aktivitetet e tyre shtrihen përtej këtij rajoni.

ISIS-K u themelua në vitin 2014 nga një grup të larguarish talebanë dhe anëtarë të Al-Kaedës në Pakistan dhe Afganistan. Grupi mbron një interpretim të dhunshëm të xhihadizmit.

Ditë e zezë për Moskën
Ditë e zezë për MoskënFotografi: Dmitry Golubovich/Russian Look/IMAGO

Në vitin 2015, grupi e përshkroi zyrtarisht veten si një degë e ISIS në rajonin e Khorasanit. Ashtu si ISIS, ISIS-K synon të krijojë një kalifat transnacional, një shtet për myslimanët që qeveriset nga interpretimi i tyre radikal i Islamit.

A ka kontakte me grupe të tjera xhihadiste?

Analistët i përshkruajnë si të ndërlidhura raportet midis anëtarëve të ISIS-K dhe grupeve të tjera terroriste, ku ka mospajtime dhe fraksione të ndryshme si Al-Kaeda dhe talibanët që shpesh dezertojnë nga këto grupe dhe kalojnë në ISIS-K.

Përpara se talebanët të rimerrnin pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, si SHBA ashtu edhe ish-qeveritare afgane luftuanm kundër ISIS-K në Afganistan dhe vranë shumë nga udhëheqësit e mesëm dhe të lartë të kësaj organizate.

Megjithatë, vakuumi i sigurisë i krijuar nga tërheqja e SHBA-së i dha këtij grupi një hapësirë të re. Kjo i mundësoi asaj të krijonte kampe të mëtejshme trajnimi dhe të zgjeronte rrjetet ndërkombëtare.

Raportet me talebanët

Talebanët thonë se po përpiqen të frenojnë aktivitetet e ISIS-K dhe pretendojnë se forcat e tyre të sigurisë kanë arrestuar mijëra anëtarë të grupit që kur talebanët u kthyen në pushtet.

Megjithatë, aftësia e talebanëve për të frenuar grupin është parë në raportet e mediave si joadekuate dhe joefektive pasi sulmet nga grupi ndaj pakicave etnike dhe fetare në Afganistan janë bërë më të shpeshta.

Policia në kërkim të terroristëve
Policia në kërkim të terroristëveFotografi: DHA

Kombet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se grupe të tilla si Al-Kaeda dhe ISIS-K, përmes lidhjeve të tyre me anëtarët e talebanëve, mund të përfitojnë dhe të posedojnë armët më të avancuara të NATO-s, që kanë lënë pas vete trupat ndërkombëtare kur janë tërhequr nga Afganistani. Sipas OKB-së, vendi është kthyer në një strehë për ta për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së sigurisë.

Aktivitetet e fundit të ISIS-K

ISIS-K mori përgjegjësinë për vrasjen e 95 njerëzve në qytetin iranian Kerman më 3 janar 2024. Agjencia raporton se, si në sulmin e fundit në Moskë, shërbimet sekrete amerikane paralajmëruan qeverinë në Teheran disa javë përpara për përgatitjen e një sulmi.

Që nga ringjallja e tij e fundit, grupi e ka përqendruar gjithnjë e më shumë vëmendjen e tij në Rusi. Në mars, zyrtarët e inteligjencës amerikane treguan se grupi ishte aktiv në Rusi dhe se po planifikonte sulme në Moskë.

Shërbimi rus i sigurisë FSB njoftoi se parandaloi sulmin e armatosur të grupit më 7 mars në një sinagogë në rajonin Kaluga pranë Moskës.

Sipas ekspertëve, një nga motivet e sulmeve terroriste ndaj Rusisë mund të jetë ndërhyrja ruse në luftën civile siriane. Moska, sipas ekspertëve, mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad dhe ka kryer sulme ajrore në pozicionet e ISIS. Shumë udhëheqës të ISIS-it që atëherë e kanë akuzuar Putinin se ka gjakun e muslimanëve në duart e tij.

Propaganda e ISIS-K bazohet gjithashtu në historinë e pushtimit sovjetik të Afganistanit. Qeveria e Bashkimit Sovjetik e pati pushtuar vendin nga viti 1979 deri në vitin 1989.

Gjermania po vepron kundër terroristëve
Gjermania po vepron kundër terroristëveFotografi: Christoph Hardt/Panama Pictures/picture alliance

Grupi po përpiqet të kryejë sulme terroriste edhe në Evropë. Policia gjermane ka arrestuar disa mbështetës të ISIS-K në vitet e fundit. Kohët e fundit, në mars, dy mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik u arrestuan në landin NRW. Ata u akuzuan për planifikimin e një sulmi në parlamentin suedez.

Pas sulmit në Moskë, ministrja gjermane e Brendshme Nancy Faeser deklaroi se ky grup aktualisht përfaqëson kërcënimin më të madh islamik në Gjermani dhe se rreziku i sulmeve terroriste në Gjermani mbetet i madh.

Pas sulmit në Moskë, Franca deklaroi ka shpallur gjendjen më të lartë të gatishmërisë kundër sulmeve terroriste. Gjendja më e lartë e gatishmërisë shpallet në Francë kur supozohet se ekziston një kërcënim i real për një sulm të menjëhershëm terrorist.

Udhëheqësit e ISIS-K kanë kërcënuar se do të ketë sulme hakmarrëse kundër Suedisë, Holandës dhe Danimarkës për shkak të djegies së Kuranit në këto vende.