1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190611 NATO Libyen

20 Qershor 2011

Gjatë sulmeve të NATO-s ndaj Tripolit (19.06.), sipas të dhënave të qeverisë, kanë gjetur vdekjen disa civilë. Regjimi i al Gaddafi-t akuzon NATO-n për sulme të qëllimshme ndaj civilëve. NATO i hedh poshtë akuzat.

https://p.dw.com/p/11fDa
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me një eskavator dhe thjeshtë me duart e tyre banorët e Tripolit përpiqen me nxitim të mënjanojnë rënojat e një shtëpie të rëzuar. Ndërtesa dy katëshe në lagjen Al Arada të qytetit është shkatërruar gjatë një sulmi të NATO-s nga ajri.

Papritur dëgjohen thirrjet gjithnjë e më të forta të njerëzve të indinjuar. Fqinjët dhe forcat e shpëtimit nxjerrin një trup të pajetë nga rënojat. Sipas të dhënave të qeverisë libiane, kjo nuk është e vetmja viktimë: Në një spital aty pranë reporterëve perëndimorë u tregojnë gjatë natës disa kufoma, ndër to edhe dy fëmijë të vdekur. Trupat e tyre të vegjël janë mbuluar nga pluhuri. Ato duhet të kenë gjetur vdekjen nën gërmadha, thotë ministri i Jashtëm i Libisë Chaled Kaim. „Me vetëdije të plotë dhe qëllimisht janë vënë në shënjetër shtëpi të civilëve. Të paktën shtatë vetë kanë gjetur vdekjen prej sulmit të NATO-s. “

NATO-Angriff auf Libyen
Fotografi: picture-alliance/dpa

Korrespondentët njoftojnë, se në qendrën e qytetit të Tripolit rreth mesnatës duke gdhirë dita e dielë (19.06) u ndie goditja e një shpërthimi të fortë. NATO prej ditësh është duke bombarduar në kryeqytetin e Libisë objektiva, që konsiderohen si qendra të komandës së pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi. Zëdhënësi i qeverisë libiane pretendon diçka tjetër dhe thekson, se vdekja dhe shkatërrimi nuk janë propagandë: „Kjo nuk është gjë tjetër veçse një tjetër natë me vdekje, terror dhe horror në Tripoli, që shaktohet prej NATO-s. Tani e keni parë me sytë tuaj, se çfarë katastrofe e tmerrshme po ndodh dita ditës në Tripoli.“

Ende mungon konfirmimi i një pale neutrale

Nëse kufomat e treguara janë vërtetë nga godina e shkatërruar, deri tani kjo nuk ka arritur të konfirmohet nga një palë e pavarur. Gazetarët mbërritën në vendin e ngjarjes një orë e gjysmë pas shpërthimit. Përpara dy javësh një punonjës i të njëjtit spital u pati dhënë fshehurazi në dorë një shënim të huajve. Në të shkruhej: Një fëmijë, që u deklarua prej regjimit të Gaddaf-it si viktimë e një sulmi të NATO-s, ishte plagosur në të vërtetë gjatë një aksidenti automobilstik.

Beschädigtes Wohngebäude in Tripolis Libyen NO FLASH
Fotografi: dapd

Por nëse konfirmohet me të vërtetë, që të vdekurit dhe të plagosurit në Tripoli janë viktima civile të një sulmi nga ajri, atëherë ky nuk do të ishte gabimi i parë me pasoja vdekjeprurëse i NATO-s: Të shtunën (18.6.) aleanca ushtarake perëndimore kërkoi falje nga Brukseli për një sulm të gabuar ndaj rebelëve në Lindje të vendit. Njëkohësisht zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu e hodhi poshtë akuzën për sulme të qëllimshme ndaj civilëve duke e cilësuar atë si "monstruoze". Al-Gaddafi sulmon sistematikisht dhe brutalisht popullin e vet, tha Lungescu. Ndërsa NATO shpëton çdo ditë jetë njerëzish.

Në një konferencë të shtunën (19.06) në Kairo përfaqësues të nivelit të lartë të organizatave ndërkombëtare diskutuan për luftën në Libi. Shefat e Ligës Arabe, të Unionit Afrikan, të Konferencës Islamike si dhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Catherine Ashton u ulën së bahsku në një tryezë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon u lidh përmes një videokonference. Të gjitha palët u shprehën për një proces politik për zgjidhjen e konflitkit të Libi.

Autor: Cornelia Wegerhoff / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: E. Xhani