Apeli i Stoltenberg në Tiranë: Vendosni konsensus politik
3 Qershor 2019Në përfundim të një takimi, që ai zhvilloi me kryemnistrin Edi Rama, pasditen e së dielës, në konferencën e përbashkët për shtyp, ai i kushtoi vëmendje situatës aktuale politike në Shqipëri.
"U bëj thirrje gjithë aktorëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe me vetëpërmbajtje dhe të tregojnë konsensus politik të nevojshëm për të vazhduar në rrugën e integrimit Euro-Atlantik, zgjidhur çdo mospajtim mes tyre përmes dialogut dhe jo përmes minimit të institucioneve dremokratike. Sepse kjo kontribuon për një të ardhme më të mirë për njerëzit në Shqipëri dhe tërë rajonin”, tha Jens Stoltenberg në Tiranë.
Dhuna absolutisht e papranueshme
Në kontekstin e mungesës së deritanishme të dialogut mes palëve në një vend demokrat, anëtar të NATO-s si Shqipëria, Stoltenberg, tha se "NATO është një aleancë e demokracive. Në vendet demokratike ka përherë mospajtime dhe debat, që nuk janë dobësi por në themel të asaj që i bën demokracitë tona të forta. Por dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike. Ajo është absolutisht e papranueshme.” vuri në dukje Stoltenberg.
"Bëj thirrje për respektimin e plotë të institucioneve tona demokratike në të gjitha vendet anëtare. NATO është një aleancë ushtarake politike e cila është ndërtuar mbi disa vlera thelbësore, demokracinë, sundimin e ligjit, institucionet demokratike janë sigurisht një pjesë e rëndësishme e kësaj dhe prandaj çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë sigurisht një pjesë thelbësore e proceseve demokratike në vendet tona anëtare, në vendet aleate të NATO-s, duke përfshirë edhe në Shqipëri” tha Stoltenberg.
Rama: Nuk do lejojmë asnjë formë destabilizimi të vendit
Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet lokale të 30 qershorit mbetet një ҫështje e nxehtë në debatin politik dhe publik lidhur me karakterin e demokratik të zgjedhjeve dhe potencialin për të destabilizuar vendin e mospjesëmarrjes në to të elektoratit tw PD, më të madhes në opozitë dhe për rreth 30 vjet ka bërë me PS rotacionin e pushtetit.
Kryeministri Edi Rama tha në koferencën e përbashkët për shtyp me Stolenberg, se mospjesëmarrja e opozitës nuk i bën zgjedhjet jo demokratike: " Ne të zhvillojmë zgjedhjet si një process të patjetërsueshëm demokratik. Nëse dikush nuk preferon dhe vendos të mos hyjë në zgjedhje, kjo nuk i bën zgjedhjet jodemokratike”.
Ai i quajti protestat antiqeveritare të opozitës” insekinim politik që nuk ka shans të shtrihet përtej kufijve të skenës politike”.
"Nuk do të lejohet të ndodhë asnjë formë destabilizimi që do të cënonte imazhin e vendit përtej atij që sjell organizimi i shfaqejeve të dhunshme në një perimetër të ngushtë dhe pa mbështetje”, tha Rama.