Pa reformën në drejtësi, nuk përshpejtohet integrimi
14 Qershor 2016Shefi i diplomacisë gjermane Steinmeier pati rast që të shkëmbente mendime me zyrtarë të lartë të mazhorancës dhe opozitës. Në takime u prekën edhe temat për bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe procesi i integrimit europian të vendeve aspirante të rajonit. Frank-Walter Steinmeier u ndal në nevojën e vijueshmërisë së reformave dhe plotësimin e kushteve për vendin në rrugën drejt anëtarësimit në familjen europiane. Ai kujtoi dhe koston e reformave, por rëndësi të dorës së parë ka ecja përpara e zhvillimit të vendit.
“Për reformat nuk merr vetëm falenderime, sepse shpesh herë ka kritika të ashpra dhe ndoshta kostoja mund të reflektohet edhe në zgjedhje. Kam mësuar se në opozitë nuk mund të fitohet gjithmonë duke refuzuar. Ka situata në të cilat një qeveri do të duhet të marrë risqet përkatëse për ta çuar vendin përpara, por e njëjta gjë vlen edhe për opozitën. Nuk duhet menduar për avantazhet afatshkurtra, por për ato afatgjata, në të mirën e vendit”.
Frank-Walter Steinmeier ishte i drejtëpërdrejtë kur artikuloi rëndësinë që ka realizimi sa më parë të reformës në drejtësi. “Pa reformën në drejtësi, nuk mund të përshpejtohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE”. Veç impaktit direkt tek qytetarët, sipas tij, kjo reformë krijon mundësinë që vendi të bëhet në rajon pararendës i ristrukturimit të sektorit të drejtësisë në kuptimin e shtetit të së drejtës.
Homolgu shqiptar, Ditmir Bushati shprehu gatishmërinë e mazhorancës për ta miratuar paketën e reformës në drejtësi ku kanë kontribuar në çdo hap të procesit dhe ekspertët ndërkombëtarë. Miratimi i saj do të jepte sipas Bushatit efekte “në forcimin e sundimit të ligjit në ekonomi, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, dhe në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit... Shqipëria i ka të qarta detyrat e saj, në mënyrë që të sigurojë mbeshtetjen e nevojshme për të kryer hapin e rradhës, atë të një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.”
Kryeministri Edi Rama në shenjë kortezie, pak para se të takohej me shefin e diplomacisë gjermane shpërndau përmes adresës personale në rrjetet sociale shënimin: “Mikpresim sot një mik të madh, ministrin e Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, mbështetës i madh i Shqipërisë për hapjen e negociatave.”
Shefi i opozitës Lulzim Basha gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë përmendi ndikimin e Partisë Demokratike për të përmirësuar draftin e reformës në drejtësi. Në një komunikatë për median, që u shpërnda të martën pasdite nga zyra e shtypit e opozitës mbi takimin Basha-Steinmeier, thuhej dhe se PD ka kërkuar zbatimin e plotë të rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias.
“Parimi duhet të pranohet për të gjitha institucionet, theksoi Basha, sepse një drejtësi nuk mund të jetë e pakapur nëse kryeministri vendos se kush është i pastër dhe kush jo nga gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është refuzuar deri tani nga Edi Rama.”
Gjatë kohës që shefi i diplomacisë gjermane zhvillonte agjendën e tij zyrtare në Tiranë, në mjediset e kryesisë së Kuvendit u zhvillua një mbledhje e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi, që u monitorua nga afër nga dy diplomatë të rëndësishëm të akredituar në Tiranë, ambasadorja e BE-së, Vlahutin dhe ambasadori amerikan, Lu.
Deputetët e opozitës qëndruan vetëm pak minuta dhe lëshuan sallën, duke mos u përfshirë në debatin e diskutimit nen për nen të draftit të reformës, një procedurë që kaloi vetëm me votat pro të bashkuara të deputetëve të PS dhe LSI-së. Akti i sotëm ka shënuar fillimin e procesit për miratimin e reformës përmes parlamentit.
Periudha e mbetur në afër dy javë do të shfrytëzohet dhe për të arritur ndonjë kompromis me afrim qëndrimesh, mes mazhorancës dhe opozitës, për pikën më të debatueshme të momentit që lidhet me formulën e përzgjedhjes së përfaqësuesve në organet e reja të drejtësisë. Dhe duket se presioni i faktorit ndërkombëtar nuk do të rreshtë deri në hapin e fundit, kur drafti të futet për diskutim dhe votim në seancë plenare në Kuvend.