Steinmeier vlerëson kontributin e hebrenjve në Gjermani
22 Shkurt 2021"Qoftë në filozofi, në letërsi, pikturë dhe muzikë, në shkencë, mjekësi, në biznes, hebrenjtë i kanë dhënë formë historisë sonë dhe e kanë bërë kulturën tonë të shkëlqejë", tha Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier në sinagogën e Këlnit. Judaizmi ka dhënë një kontribut vendimtar në rrugën e Gjermanisë drejt epokës moderne. Si shembull ai solli Moises Mendelssohn (1729-1786), pionierin e "Iluminizmit hebraik".
Shekuj përjashtimi dhe persekutimi
Njëkohësisht Presidenti gjerman, nën kujdestarinë e të cilit zhvillohet viti përkujtimor "1700 vjet të jetës hebraike në Gjermani", kujtoi shekujt e përjashtimit dhe të persekutimit të hebrejve dhe bëri thirrje për një "vështrim të ndershëm" ndaj historisë hebraike. "Kjo është mënyra e vetme që ne mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe për të ardhmen. Kjo është dhe do të mbetet përgjegjësia jonë."
Hebrenjtë pothuajse gjithmonë shiheshin si të huaj dhe të ndryshëm. "Historia e hebrenjve në Gjermani është një histori emancipimi dhe prosperiteti, por është gjithashtu një histori poshtërimi, përjashtimi dhe heqjesh së të drejtave."
Sot jeta hebreje në Gjermani është "e larmishme, shumëplanëshe, e gjallë, plot energji". Steinmeier tha se është "thellësisht mirënjohës" që kjo është e mundur pas vrasjes së rreth gjashtë milionë hebrenjve evropianë gjatë Holokaustit. Kjo jetë ka lulëzuar përsëri edhe në sajë të emigrantëve nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe të rinjve izraelitë që janë vendosur në Gjermani: "Çfarë lumturie e pamatshme për vendin tonë!"
Edhe Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin tha në fjalën e tij përshëndetëse: "Megjithëse nuk do t'i harrojmë kurrë tragjeditë e së kaluarës, ne theksojmë trashëgiminë tonë të përbashkët, kontributin e hebrenjve gjermanë në shoqërinë gjermane dhe miqësinë e thellë midis Gjermanisë dhe shtetit izraelit."
Rreziku prej antisemitizmit
Në të njëjtën kohë jeta hebreje në Gjermani kërcënohet prej antisemitizmit të hapur dhe sulmeve si ndaj sinagogës në Halle. Në jetën e përditshme shumë hebrenj përballen me paragjykime, klishe dhe injorancë. Prandaj ne duhet t'u kundërvihemi atyre, paralajmëroi Presidenti gjerman. "Republika Federale e Gjermanisë është e përkryer, vetëm kur hebrenjtë ndihen këtu plotësisht si në shtëpinë e tyre."