1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryetarja e parlamentit të Bavarisë takohet me presidenten e Kosovës

3 Shkurt 2012

Intervistë me kryetaren e parlamentit të Bavarisë Barbara Stamm, pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga

https://p.dw.com/p/13wZY
Barbara Stamm dhe Atifete Jahjaga, Mynih më 03.02.2012Fotografi: DW/A.Shuka

Parlamenti i Bavarisë ishte institucioni i parë zyrtar që vizitoi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Mynih. Jahjaga ndodhet për një vizitë triditore në kryeqytetin e Shtetit të Lirë të Bavarisë për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Sigurisë, por ajo po e shfrytëzon këtë ngjarje për t'iu prezantuar edhe disa politikanëve të Shtetit të Lirë të Bavarisë, tradicionalisht të lidhur me Ballkanin. Njëra syresh ishte Barbara Stamm, kryetare e parlamentit të Bavarisë, të cilën Jahjaga e takoi të premten 3.2. paradite. Kristiansocialja 68 vjeçare e njeh Kosovën qysh prej vitit 1999.

DW: Zonja Stamm, në këto ditë në Bavari kanë ardhur njerëz të rëndësishëm nga e gjithë bota, përse pikërisht e pritët presidenten e Kosovës?

Barbara Stamm: Ishte dëshira e saj, por edhe kureshtja ime për t'u takuar me të, kështu që unë jam shumë e lumtur që pata rastin ta njihja personalisht.

DW: Cili është kontributi që mund të japë Bavaria për të përshpejtuar rrugën e  Kosovës drejt këtij integrimi?

Stamm: Ne duhet të renditemi në marrëveshjet që bëhen në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare. Sigurisht që do të jemi të pranishëm, do të ruajmë kontaktet, edhe ato në nivel parlamentar, por nuk jemi ne të vetmit që mund të vemë në vijë të ardhmen. Kjo varet nga zhvillimi i vetë Kosovës e ajo ka një rrugë intensive përpara.

DW: Një nga dëshirat më akute të popullsisë së Kosovës është heqja e regjimit të vizave. Si e shihni ju këtë perspektivë?

Stamm: Ne duhet të mendojmë edhe për brezin e ri. Zonja Presidente e bëri të qartë se sa e re është popullsia. Të rinjtë që janë inteligjente dëshirojnë të arrijnë diçka, ata duan ta njohin botën dhe këto janë dëshira të drejta. Por duhen parë edhe disa gjëra të tjera, si për shembull kriminaliteti e të ngjashme. Sidoqoftë jam e bindur që në këtë drejtim do të bëhen përparime. Se cila do të jetë rrjedha kohore e tyre, këtë nuk mund ta them që tani.

DW: Ju angazhoheni edhe privatisht për Kosovën: Për shembull koncerti i bamirësisë së shoqatës Nënë Tereza për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve të sëmurë nga zemra në vitin 2010 u bë nën ombrellën tuaj. Çfarë ju lidh me Kosovën?

Stamm: Unë kam qenë mbas luftës në Kosovë me organizata humanitare dhe ne kemi ndihmuar për të ndërtuar aty një spital të shkatërruar. Ishte një ndjenjë e veçantë të shihje se sa simpati që gëzonin ushtarët gjermanë. Unë në atë kohë isha ministre e Çështjeve Sociale dhe kam qenë përgjegjëse për pranimin e refugjatëve, e kjo nuk ishte aq e thjeshtë: kishte shumë, dhe sidomos gra, që kishin përjetuar gjëra të tmerrshme, u ishin vrarë bashkëshortët, ose ishin ndarë me forcë nga familjet. Këto janë përjetime që kanë lënë gjurmë deri më sot. Dhe sigurisht që unë jam e interesuar të dëgjoj tani pas shumë vitesh se si ky vend po përpiqet të japë një kontribut të vetin në Evropën e Bashkuar, dhe që në këtë rrugë duhet të plotësojë disa kushte, siç e bëri shumë të qartë edhe zonja presidente. Por le ta lemë mënjanë politikën e madhe. Përshtypja ime personale për të, është se presidentja Jahjaga është një ambasadore e mirë e vendit të saj dhe se këtë do ta shfrytëzojë edhe në Konferencën e Sigurisë.

DW: Ju pritët një presidente që është shumë më e re në moshë se ju, por që ashtu si ju ka një post me përgjegjësi në një vend që dominohet nga meshkujt. Cila do të ishte këshilla juaj për të si femër me pushtet?

Stamm: Me sa pata mundësinë ta njihja brenda një kohe kaq të shkurtër, ajo (Jahjaga) jo vetëm që ka shumë sharmë, por ka edhe njohuri të shkëlqyera e instinkt në politikë. Unë gjykoj se ajo vërtet që i paraqet çështjet njerëzisht, por është edhe këmbëngulëse. Dhe e tillë duhet të mbetet.

Intervistoi Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora