181109 Südkorea Obama
18 Nëntor 2009Para tre-katër vitesh në Seul zhvilloheshin rregullisht demostrata pro dhe kundër lidhjes së ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që kundërshtarët kërkonin tërheqjen e rreth 28 mijë ushtarëve amerikanë, e cila do të mundësonte afrimin e mëtejshëm me veriun komunist, miqtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksonin se pa mbrojtjen amerikane atomike, Korea e Jugut do të shkatërrohej nga veriu.
Ndërkohë kokat e nxehta janë ftohur sërish
Të dy shtetet bashkëpunojnë ngushtë në shumë pika. Korea e Veriut për shkak të provës së dytë bërthamore është izoluar edhe më shumë nga bashkësia ndërkombëtare. Qysh prej ardhjes në pushtet të presidentit koreanojugor, Lee Myang Bak para gati dy vitesh, janë reduktuar si marrëdhëniet ekonomike ashtu dhe ndihmat për vendin autoritar fqinj. Korea e Veriut duhet të heqë së pari dorë nga programi i saj bërthamor në mënyrë që jugu të aktivizohet sërish, është kredoja politike e presidentit Lee, e cila përputhet me atë të presidentit amerikan Barack Obama: "Me dekada Korea e Veriut ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe provokimit. Përfshirë këtu edhe përpjekjet për prodhimin e armëve bërthamore".
Kështu u shpreh Barack Obama në prag të vizitës së tij në Azi. Kjo ka ndikuar në izolimin dhe varfërimin e vendit edhe pse ai duhet të kishte një ardhmëri më të mirë. "Rruga për Korenë e Veriut për të realizuar këtë të ardhme është e qartë: kthimi në bisedimet gjashtëpalëshe, respektimi i obligimeve të mëparshme dhe zbatimi i marrëveshjes për mospërhapjen e armëve bërthamore si dhe heqja e dëshmueshme e armëve atomike nga ujdhesa koreane".
Presidenti amerikan është takuar disa herë me presidentin koreanojugor Lee
Por kjo është vizita e parë e Obamës në këtë vend, vizitë e cila do të zgjasë pothuajse 24 orë. Bisedimet politike dhe një drekë e përbashkët me presidentin Lee janë po aq të detyrueshme sa edhe vizita në bazën ushtarake amerikane në Seul. Komentatorët koreanojugorë shfaqin mirëkuptim për kohën e shkurtër të qëndrimit, por shpresojnë që presidenti amerikan të kuptojë sa i hapur është tregu koreanojugor. Kjo sepse në Uashington ndodhet prej dy vitesh një marrëveshje për tregtinë e lirë, e cila pret të ratifikohet. Pala amerikane e ka bllokuar deri tani ratifikimin e kësaj marrëveshje me arsyetimin se tregu koreanojugor është shumë i izoluar. Kjo është një temë e rëndësishme gjatë takimit Obama-Lee, sqaron ministri i Jashtëm dhe i Ekonomisë, Yu Myung Hwan: "Ne kemi sqaruar gjithmonë se nga kjo marëveshje do të përfitonin të dyja palët dhe se ajo do t'i përshtatej mirë politikës së re të amerikanëve ndaj Azisë".
Autor : Peter Kujath / Esat Ahmeti
Redaktoi : Aida Cama