1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Srpska “ngrin” lidhjet me institucionet qendrore të Kosovës

Bekim Shehu
29 Dhjetor 2016

Deputetët serbë në kuvendin e Kosovës thonë se ata njohin si kryeministër të tyre vetëm Aleksandër Vuçiqin. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kundërpërgjigjet: Vendimet e “Srpska” - destruktive e të papranueshme.

https://p.dw.com/p/2UzIU
Kosovo Parlament
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, pas një takimi që zhvilluan një ditë më parë në Beograd me kryeministrin e Serbisë, vendosën që të ngrijnë çdo bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Nëpërmjet një komunikatë për media të publikuar më datën 28.12, thuhet se "përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ngrijnë pjesëmarrjen në institucionet qendrore të Kosovës, që përfshin si ekzekutivin dhe legjislativin”.

Lista Srpska: Vuçiq është kryeministër i qeverisë tonë të vetme

"Aleksandar Vuçiq është kryeministër i qeverisë tonë të vetme dhe autoriteti i tij, si për ne, ashtu edhe për të gjithë serbët në Kosovë, është i padiskutueshëm. Për këtë arsye, ne, deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e institucioneve të përkohshme në Kosovë, shpallim se do të zbatojmë të gjitha vendimet e kryeministrit Vuçiq dhe do ta ngrijmë pjesëmarrjen në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Acarimi i raporteve ndërmjet qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa dhe Listës Srpska, erdhi pasi Mustafa shkarkoi ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Maric, ndërsa, në vend të tij, emëroi Mirjana Jevtic, me të cilin nuk u pajtua Lista Srpska. Në komunikatën për media të këtij subjekti politik, thuhet se, ”në përputhje me kërkesën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq, Mirjana Jevtiq do të tërhiqet nga posti i ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal”. Kjo e fundit akoma nuk është deklaruar nëse do të tërhiqet nga detyra e ministres, mirëpo, lista Srpska, thotë se "tërheqja e Jevtiqit nga posti i ministres, bëhet për faktin se ajo është serbe e Kosovës dhe e respekton autoritetin dhe kërkesën e kryeministrit të Republikës së Serbisë”.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili vendimin e Listës Srpska dhe "direktivat e qeverisë së Serbisë janë destruktive dhe të papranueshme. "Do të angazhohemi të gjithë që ata të kthehen në Kuvend, që Kuvendi të vazhdojë punën e tij të rregullt, që të kemi ministra serbë në Qeverinë e Kosovës, por jo me çdo kusht individë të caktuar. Sa i përket ndryshimeve, Mariq është shkarkuar si ministër dhe shkarkimi i tij sa i përket këtij mandati është i përhershëm dhe në asnjë rast nuk vjen në shprehje që ne të pendohemi për vendimet, sepse nuk e kam sjellë vendimin që ta kthejë mbrapsht, por që të mos kthehet më sepse ai nuk e meriton, e as e ka merituar të jetë anëtar i Qeverisë së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa në një konferencë të fundvitit për gazetar.

Primeminister of Kosovo Isa Mustafa
Fotografi: DW/B. Shehu

Mustafa: Serbët e Kosovës t'i përfaqësojnë interesat në Parlamentin e Kosovës

Veprimet e listës Srpska, kryeministri Mustafa i quajti të pakuptimta dhe u bëri thirrje atyre që të kthehen në institucionet e Kosovës dhe sipas tij, ata aty duhet të shfaqin dhe të realizojnë interesat e sebëve të Kosovës dhe kjo nuk duhet të bëhet në Serbi. "Serbët në Serbi mund t'i përfaqësojnë interesat e tyre në Parlamentin e Serbisë, pra ata që jetojnë në territorin e Serbisë, ndërsa, serbët që jetojnë në territorin e Kosovës duhet t'i përfaqësojnë interesat e banorëve, qytetarëve të Kosovës në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, qofshin ata shqiptarë, turq, malazez, boshnjak, e të tjerë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, paralajmëroi se për këto zhvillime do të njoftohet Brukseli zyrtar që është i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se ai do ta paraqes qëndrimin se "kemi të bëjmë me një qeveri dhe një shtet i cili nuk po i respekton marrëveshjet elementare të arritura dhe nuk është i interesuar përmirësojë raportet”.

Lista "Srpska”, zbehu raportet e saja me institucionet e Kosovës qysh në kohën kur parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për Trepçën. Poashtu Lista Srpska, bojkotoi edhe punimet e kuvendit në kohën kur qeveria tentonte ta kalojë demarkacionin me Malin e Zi. Lista Srpska vazhdon të kërkojë që qeveria të nisë hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si pjesë e marrëveshjes nga dialogu Kosovë-Serbi. Mirëpo, qeveria e Kosovës tashmë disa herë është deklaruar se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të krijohet vetëm atëherë kur në Kosovë të jenë shuar të gjitha strukturat paralele të Serbisë, disa nga të cilat akoma funksionojnë në Kosovë.