Sqarohet identiteti i të vrarit nga policia në Mynih
5 Shtator 2024Personi i cili u qëllua për vdekje nga policia në Mynih ishte një shtetas austriak, me prejardhje nga Bosnja. Sipas agjencisë austriake të lajmeve APA, bëhet fjalë për një 18-vjeçar, që njihej nga autoritetet austriake për lidhje me islamizmin radikal.
I dyshuari hapi zjarr pranë Qendrës Dokumentare për Nazizmin në Mynih, dhe si pasojë u qëllua për vdekje nga policia. Kjo qendër ndodhet pranë Konsullatës Izraelite dhe Qendrës Dokumentare për Nazizmin.
Policia e Mynihut ndërmori masa të rrepta sigurie, duke vendosur një perimetër të kontrolluar dhe duke përdorur forca speciale për të hetuar situatën.
Gjendja në Mynih, sipas të dhënave të tanishme, "është stabilizuar", theksoi ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann. Policia u alarmua shpejt dhe mbërriti menjëherë në vendngjarje. Tani duhet të "sqarohet së pari" sfondi i ngjarjes. Megjithatë, fakti që incidenti ndodhi pranë Qendrës Dokumentare për Nazizmin dhe Konsullatës Izraelite mund të "japë të dhëna për lidhje të mundshme".
Data përkon me përvjetorin e masakrës së Mynihut 1972
Incidenti përkon me një datë të ndjeshme, përvjetorin e sulmit terrorist të Lojërave Olimpike të Mynihut 1972, kur një grup terrorist palestinez vrau dy sportistë izraelitë dhe mori peng nëntë të tjerë, të cilët u vranë më pas gjatë një përpjekjeje për shpëtim.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, e përshkroi këtë ngjarje si shumë serioze. "Është një incident shumë serioz", deklaroi ajo dhe falënderoi policinë e Mynihut për reagimin e shpejtë. Ajo theksoi se "Mbrojtja e institucioneve hebraike dhe izraelite ka përparësinë më të lartë".
Konsullja e Përgjithshme e Izraelit për Gjermaninë Jugore, Talya Lador-Fresher, gjithashtu reagoi duke thënë: "Ky incident tregon se sa i rrezikshëm është antisemitizmi në rritje. Është e rëndësishme që publiku të ngrejë zërin kundër kësaj dukurie".
Ky artikull përditësohet vazhdimisht