1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spiuni në familjen tënde

11 Mars 2013

Shërbimet sekrete komuniste, pas Luftës së Dytë Botëore shfrytëzuan identitetet e fëmijëve me origjinë gjermane për identitete të rreme agjentësh. Ato e instrumentalizuan afrimin me Lindjen për infiltrimin e spiunëve.

https://p.dw.com/p/17urj
Majtas spiuni Jerzy K. dhe djathtas gjermani i vërtetë Janusz, fotografi e viti 1974
Majtas spiuni Jerzy K. dhe djathtas gjermani i vërtetë Janusz, fotografi e viti 1974Fotografi: WDR

Kur Gjermania dhe Polonia rifilluan marrëdhëniet diplomatike për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në 1970, shërbimet sekrete ishin në gatishmëri. Sipas modelit të Bashkimit Sovjetik, i cili që prej vitit 1920 shfrytëzonte identitetet e jetimëve për identitete të rreme për agjentë, edhe shërbimet sekrete komuniste në vendet lindore të bllokut komunist, u përpoqën me një metodë të guximshme spiunazhi të infiltronin agjentë në Perëndim. Në rastin më të mirë agjentët duhej të kishin origjinë gjermane dhe një familje të humbur diku në Perëndim.

Në vitet '60 qendra e shërbimit sekret në Varshavë dha një udhëzim për pikat rajonale të shërbimeve informative, ku më parë jetonin gjermanë, shpjegon Władysław Bułhak, historian në Institutin polak për Kujtesë Kombëtare. Atje duhej të kërkoheshin identitete të përshtatshme, të cilat mund të përdoreshin si maskim. Kush shkonte si gjerman në Republikën Federale konsiderohej i besueshëm dhe kishte shanse më të mira.

Këmbim agjentësh: spiuni polak Jerzy K. kalon më 11.2.1986 Glienicker Bruecke pranë Berlinit
Këmbim agjentësh: spiuni polak Jerzy K. kalon më 11.2.1986 Glienicker Bruecke pranë BerlinitFotografi: BSTU

Historiani, Sławomir Cenckiewicz, thotë: "Në sajë të afrimit politik ishte më e lehtë të infiltroheshin agjentë. Nuk ishin operacione të zakonshme, por nga ato të ruajtura më mirë. Metoda të tilla origjinale ishin nën 'patronazhin' e seksionit special të shërbimit sekret, shpesh të etiketuara me shkronjën 'N' që do të thoshte 'i paligjshëm'. Shërbimet informative lindore i ndërtonin strukturat e tyre në përputhje të plotë me modelin sovjetik.

Rekrutim me sistem

Për identitete të përshtatshme nevojiteshin edhe kandidatë të mirë, që flisnin përsosur gjuhë të huaja. Për këtë arsye ishin të preferuar studentët e gjermanishtes. Si në rastin e Jerzy K. nga Polonia, të cilin shërbimi sekret i Republikës Popullore të Polonisë e kontaktoi gjatë kohës që studionte në Leipzig. Pastaj atij iu dha emri i një djali me origjinë gjermane, të cilin mamaja Hildergard e kishte lënë pas kur ishte arratisur nga Pomerania. Djali i saj i vërtetë, i pagëzuar me emrin "Heinz", por që më vonë mori emrin polak Janusz, u rrit në Poloni nga prindër adoptivë dhe mësoi për origjinën e tij vetëm në moshë të rritur. Shërbimi sekret besonte se ai nuk do ta mësonte kurrë këtë gjë dhe me identitetin e tij pajisi një agjent

Tre vitet që pasuan spiuni u stërvit si agjent polak, për maskim punoi dy vjet si mësues në Poloni, për të pasur në rast kontrolli një histori të besueshme. Në fund përmes Kryqit të Kuq ai gjeti nënën e Janusz-it, së cilës iu shit si i biri. Takimi përfundoi në mënyrë tragjike, pasi gruaja pak kohë më pas humbi jetën nga infarkti. Spiuni megjithatë u njoh si djali i saj dhe u vendos në Bremen, një qytet me traditë socialdemokrate, ku vinin shumë të shpërngulur nga Polonia dhe Bashkimi Sovjetik..

Glienicker Bruecke pranë Berlinit
Glienicker Bruecke pranë BerlinitFotografi: ullstein bild - Röhrbein

Jerzy K. zyrtarisht quhej "Heinz Arnold" dhe punonte në Zyrën e Bremenit për të Shpërngulurit dhe Imigrantët, si dhe në shkollën popullore si mësues gjermanishteje. Ai ishte anëtar i Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD) dhe angazhohej në organizata humanitare, ku mësoi shumë për industrinë gjermane të armatimit dhe eksportet e saj. Më shumë ai interesohej për kontrollet e sigurisë, të cilave i nënshtroheshin të shpërngulurit nga Lindja, pasi kjo ndihmonte në Lindje përgatitjen më të mirë të infiltrimit të agjentëve. Për këtët arsye ai mblidhte informacione në Zyrën për të Shpërngulurit dhe Imigrantët, por edhe në ambjentet e opozitarëve polakë, të cilët nga jashtë mbështesnin lëvizjen Solidarnosh. Spiuni kishte akses në shumë dosje personale. Një tjetër objektiv i tij ishte të arrinte më vonë në një post vërtet me influencë.

Drama dhe politika

Ndërkaq djali i vërtetë Janusz, në Poloni, nuk e kuptonte përse i refuzohej dalja jashtë vendit dhe merrej rregullisht në pyetje nga milicia ushtarake. Në vitin 1984 ai fillon të kërkojnë nënën biologjike përmes Kryqit të Kuq. Kështu në Gjermani u konstatua se dy burra paraqisnin të njëjtin identitet. Vetëm muaj më vonë, në mars 1985, agjenti polak zbulohet dhe arrestohet. Pak më vonë në korrik 1985, vdes papritur në Poloni huazuesi i identitetit të spiunit, Janusz.

Në Gjermani ndërkohë prokuroria vazhdonte hetimet për spiunin nga Lindja. Fjala ishte për më shumë se dhënien e një dënimi. Asokohe kur kapej një spiun, mendohej se si mund të shfrytëzohej ai në aspektin politik, thotë Lothar Jachmann, bashkëpunëtor afatgjatë në zyrën e landit për mbrojtjen e kushtetutës në Berlin dhe Bremen. Kjo ishte diçka e zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë dhe kryhej sigurisht jashtë procedurës normale, ligjore, nga zbulimi deri tek dënimi.

Politika dhe shërbimet informative kërkonin para së gjithash të rimerrnin njerëzit e tyre, të kapur nga pala tjetër. Pra bëhej këmbimi i agjentëve. Kur në pranverë 1985 erdhi në pushtet Mihail Gorbaçov, transparenca e tij solli lëvizje në biznesin e këmbimit. Shpejt do të ndodhnin dy aksione spektakolare këmbimi në urën legjendare Glienicke pranë Berlinit. Në këtë pikë të gjithë ishin njëlloj, thekson sot Hans Koschnik, ish kryebashkiak i Bremenit. Nuk kishte asnjë ndryshim mes KGB-së, CIA-s apo BND-së dhe Stasi-t, ishte metoda e punës në Lindje dhe Perëndim, thotë Koschnick.

Spiuni polak Jerzy K. raporton fundin e operacionit të tij në Gjermani para oficerëve të tij në Berlinin Lindor, 11.2.1986
Spiuni polak Jerzy K. raporton fundin e operacionit të tij në Gjermani para oficerëve të tij në Berlinin Lindor, 11.2.1986Fotografi: BSTU

Trashëgimia e panjohur e Luftës ë Ftohtë

Kështu ndodhi edhe në rastin e Jerzy K., i cili pas dhjetë muajsh në arrest hetimor, u këmbye në urën Glienicke. Para tij ishin këmbyer në 11.2.1986 tetë persona të tjerë, i pari disidenti rus Anatolij Schtscharanski, i cili u la i lirë nga rusët pas përpjekjesh të gjata të amerikanëve. Polaku ishte agjenti i fundit i këmbyer i Luftës së Ftohtë, që kaloi mbi urë.

Pas kësaj ai vazhdoi të punonte për shërbimin sekret, nën identitetin e rremë të një biznesmeni polak në tregtinë e jashtme polake. Pas vitit 1989 u largua nga shërbimi informativ. Se cilat ishin rezultatet konkrete të punës së tij si spiun dhe nëse shërbimi i fshehtë ka pasur lidhje me dy vdekjet, nuk dihet ende. Po kështu e paqartë është nëse dosjet operative në Poloni janë shkatërruar pas 1989 apo nëse vazhdojnë të jenë sekret.

Ish spiuni u konfrontua me të kaluarën e tij pas rreth 30 vjetësh, në kuadër të një dokumentari televiziv. Si motiv për aktivitetin e spiunazhit ai deklaroi një përzierje të dëshirës për aventura me perspektivat materiale. Ai beson se ende sot janë në veprim agjentë, të cilët në Luftën e Ftohtë ishin pajisur me identitete të huaja. Kush mendon ndryshe është naiv, thotë ai.

Autor: Rosalia Romaniec/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi