1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD fitoi zgjedhjet në Bremen

Bahri Cani*
14 Maj 2023

Socialdemokratët mbeten në pushtet në landin e Bremenit, ku kanë qeverisur prej dekadash. Në zgjedhjet e zhvilluara të dielën ata fituan zgjedhjet.

https://p.dw.com/p/4RL7x
Deutschland Wahlzettel Bundestagswahl 2009
Fotografi: AP

Sipas parashikimeve të para, socialdemokratët kanë fituar 29.5 për qind të votave, ndërsa konkurrentët më të mëdhenj janë kristiandemokratët (CDU) me 25.5 për qind.

Të Gjelbrit (12.5 përqind), E Majta (10.5) dhe Liberalët (5.5) janë futur po ashtu në parlamentin e landit. Por në parlament është futur edhe partia lokale e djathtë "Qytetarët e zemëruar” me 10.5 për qind. Kjo parti ka përfituar më së shumti vota nga ndalimi i pjesëmarrjes në zgjedhje të partisë Alternativa për Gjermani (AfD).

Ajo nuk mori pjesë në zgjedhje për shkak të mosmarrëveshjeve të ndërsjella dhe një gabimi administrativ - pasi që nga kjo parti u dorëzuan dy lista zgjedhore.

Landi më i vogël në Gjermani mbetet pra në duart e socialdemokratëve, ndonëse për koalicionin e ardhshëm ekzistojnë kombinime të shumta. Akoma nuk dihet se cili do të jetë koalicioni i ardhshëm.

Deutschland Wahl zur Bremischen Bürgerschaft
Fotografi: Hauke-Christian Dittrich/dpa/picture alliance

Kryebashkiaku do të mbetet Andreas Bovenschulte, i cili deri më tani ka udhëhequr koalicionin me të Gjelbërit dhe të Majtën. "Çfarë dite, çfarë rezultati”, tha Bovenschulte pas fitores. Edhe socialdemokratët në nivelin federal u shprehën shumë të kënaqur. Humbësit më të mëdhenj janë ekologjistët.

Landi më i varfër

Siç kujton agjencia dpa, Bremeni me një traditë të pasur marinarësh dhe tregtarësh ka probleme të mëdha financiare. Në Bremen, ka rreth 17.1 për qind të qytetarëve që jetojnë nga ndihmat sociale, që është përqindja më e lartë në të gjitha landet. Gjithashtu, sistemi shkollor atje renditet më keq në të gjithë Gjermaninë. Sfidat do të jenë të mëdha për qeverinë e ardhshme të landit, cilado qoftë ajo.