Sot në KS vendoset për projektrezolutën!
20 Korrik 2007
SHBA kanë kërcënuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe pa vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, në qoftë se Rusia vazhdon të bllokojë projektrezolutën e propozuar. Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoleza Rajs ka deklaruar se Kosova do të bëhet shtet i pavarur, në këtë apo atë mënyrë. Rusia deri tani ka bllokuar të gjitha përpjekjet për nxjerrjen e rezolutës për Kosovën. Ambasadori amerikan në OKB, Zalmaj Halilzad tha se konsultimet do të vazhdojnë edhe sot dhe se Rusisë do t'i jepet edhe një ditë kohë për të shqyrëtuar pozicionet e saja. Halilzad tha se ditën e premte do të dihet definitivisht, nëse Rusia do të bllokojë procesin për nxjerrjen e rezolutës së re. Ndërkohë Gjermania angazhohet për vazhdimin e bisedimeve shqiptaro - serbe lidhur me statusin e ardhëshëm të Kosovës. Sekretari i shtetit në ministrinë e jashtme gjermane, Gernot Erler i deklaroi agjencisë Rojters, se nga Serbia dhe shqiptarët e Kosovës kërkohet më shumë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Erler tha se çështja e Kosovës do të jetë një prej temave kryesore në axhendën e takimit të ministrit të jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, sot në Berlin.