1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sondazhi: Kancelarja Merkel e vlerësuar nga të gjithë

24 Shtator 2021

Në shumicën e vendeve të anketuara njerëzit besojnë, se Angela Merkel merr vendimet e duhura në skenën botërore. Sidoqoftë, grekët janë ende skeptikë ndaj kancelares gjermane, sipas një sondazhi të PEW.

https://p.dw.com/p/40lyU
Merkel vor Kanzleramt
Fotografi: Laurence Chaperon

Kancelarja në largim e GjermanisëAngela Merkel vazhdon të gëzojë një reputacion të mirë jashtë Gjermanisë dhe asaj i besohet më shumë se Joe Biden, Vladimir Putin, Xi Jinping ose Emmanuel Macron, sipas një sondazhi të ri të publikuar nga Qendra Kërkimore Pew.

Cilat janë gjetjet e studiuesve?

Qendra Kërkimore Pew është një qendër jopartiake me qendër në Uashington D.C, e cila kryen sondazhe, kërkime demografike dhe analiza përmbajtjeje. Raporti i fundit ka grumbulluar të dhëna nga 16 sondazhe publike në vendet me ekonomi të përparuara.

Kancelarja gjermane mori vlerësimin më të lartë të besimit në krahasim me udhëheqësit e SHBA, Rusisë, Kinës dhe Francës.

77% e të anketuarve shfaqën besimin se Merkel do të bënte gjënë e duhur në lidhje me çështjet ndërkombëtare. Megjithatë mendimi pozitiv nuk ishte i dallueshëm në Greqi, ku vetëm 30% e të anketuarve kishin besim se Merkel po bënte gjënë e duhur. Qeveritë greke dhe gjermane janë përplasur vazhdimisht gjatë krizës së borxhit në eurozonë, e cila mbi një dekadë më parë paralizoi ekonominë e Greqisë.

Po gjermanët dhe europianët e tjerë?

Angela Merkelgëzon gjithashtu besimin e gjermanëve që kur u zgjodh kancelare. Më shumë se 2/3 e tyre e kanë ruajtur këtë besim gjatë gjithë rrugëtimit të saj.

Në vitin 2021 shifrat janë akoma më të larta, ku 77% e të anketuarve kanë besim tek udhëheqësja e tyre, e cila i jep fund karrierës së saj politike pas zgjedhjeve parlamentare të kësaj jave.

Anketuesit gjithashtu e shtrinë studimin në tetë vende të tjera europiane, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë. Shtatë nga 10 persona në vendet e anketuara janë të bindur se Merkel do të bëjë gjënë e duhur në bashkësinë ndërkombëtare. Ndërsa në Holandë dhe Suedi, nëntë në 10 persona mendojnë njësoj.

Cilat janë ndjenjat e përgjithshme ndaj Gjermanisë?

Studimi nxorri në pah se 79% e të anketuarve kanë konsideratë për shtetin gjerman.

Ata gjithashtu mendojnë se qeveria gjermane e menaxhoi siç duhet pandeminë e COVID-19, më mirë se Organizata Botërore e Shëndetësisë, Kina, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Tetë nga 10 vetë të pyetur në Greqi, mendojnë se Gjermania ka shumë ndikim. Të njëjtin shqetësim ndanë edhe shumica e italianëve dhe spanjollëve.