1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Inflacioni shqetësimi më i madh i gjermanëve

17 Maj 2022

Rritja e shpejtë e çmimeve po i shqetëson konsumatorët më tepër se lufta në Ukrainë apo Covid-19. Pothuajse një në tre vetë ka frikë se do t'i duhet të kufizojë stilin e jetës.

https://p.dw.com/p/4BNur
Eurobanknoten
Fotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Rritja e shpejtë e çmimeve në pothuajse të gjitha fushat e jetës po shkakton në Gjermani më shumë shqetësim se çdo gjë tjetër. Madje edhe lufta në Ukrainë dhe pandemia e koronës nuk kanë shkaktuar kaq shqetësim. Ky është rezultati i një sondazhi të fundit të kompanisë McKinsey.

Rreth 40 për qind e më shumë se 1000 të anketuarve thanë se shqetësimi i tyre më i madh është aktualisht inflacioni. 34 përqind e të anketuarve thanë si shkak pushtimin e Ukrainës dhe vetëm tetë përqind pandeminë COVID-19. Pothuajse një e treta e të anketuarve (29 përqind) kanë frikë se për shkak të rritjes së çmimeve do t'u duhet të bëjnë kufizime në stilin e tyre të jetesës. Frika nga inflacioni është veçanërisht e theksuar tek njerëzit me të ardhura të ulëta. Dy të tretat e të anketuarve supozojnë se gjatë 12 muajve të ardhshëm çmimet do të vazhdojnë të rriten.

Benzinpreis | Preistafel für Kraftstoffe | Symbolbild
Fotografi: Peter Kneffel/dpa/picture alliance

"Dy vitet e pandemisë së koronës kanë lënë gjurmë. Por inflacioni dhe pushtimi i Ukrainës po i bëjnë njerëzit më pesimistë se kurrë më parë," tha përmbledhtazi për rezultatet e sondazhit eksperti i McKinsey, Marcus Jacob. Njerëzit po i ndjejnë çmimet më të larta dhe shohin se në portofolin e tyre u mbetet më pak në fund të muajit. Po ashtu edhe ata që kanë të ardhura të larta po i kufizojnë shpenzimet.

Deutschland Symbolbild Inflation | Lebensmittelpreise
Fotografi: Moritz Frankenberg/dpa/picture alliance

Sipas sondazhit, dy të tretat e të anketuarve kanë shpenzuar kohët e fundit më shumë para për ushqime, 61 për qind më shumë për benzinë dhe kosto transporti, si dhe për energjinë. Rezultati i sondazhit: thuajse një ndër çdo treti vetë e ka reduktuar konsumin e tij në fusha të tilla si në shpenzimet për kozmetikë, veshje, argëtim dhe udhëtime.