Solidaritet me detyrim: Komisioni Europian vepron
9 Maj 2016„Nuk ka leje gratis për Turqinë“, deklaroi prerazi zëvendëspresidenti i Komisionit Europian (KE), Frans Timmermans, por megjithatë KE e dha rekomandimin për lirinë e lëvizjes për turqit. Brukseli me këtë po fiton kohë, sepse Turqia aktualisht nuk i plotëson pesë kriteret më të rëndësishme. Megjithatë këtij vendi i jepet një afat i ri për të bërë përmirësimet e nevojshme.
Kriteret janë shumë të rëndësishme: Ligji kundër terrorit duhet përshtatur me rregulloret europiane, bashkëpunimi me autoritetet europiane të drejtësisë dhe Europolin duhet përmirësuar, po ashtu mbrojtja e të dhënave dhe luftimi i korrupsionit. Ndërsa përsa i përket çështjes delikate të lirisë së mendimint, Turqia duhet të demonstrojë përmirësime –sipas KE kjo duhet verifikuar në praktikë, gjë që nuk ka për të qenë e lehtë.
Kommisioni angazhohet për Turqinë
Shumë eurodeputetë por edhe Franca e Gjermania kanë shprehur shqetësimet e tyre, prandaj KE do të ngrejë një mekanizëm kthyes: Në rast se Turqia nuk e respekton marrëveshjen, pra marrjen e refugjatëve nga Greqia, Brukseli do të shfuqizojë lirinë e vizave. Ankaraja ka protestuar fort për këtë.
Me qëllim që të hiqet dyshimi i diskriminimit, opcioni i shfuqizimit do të futet në të gjitha marrëveshjet për lëvizjen e lirë, prandaj kjo do t'i prekë në të ardhmen si kosovarët ashtu edhe ukrainasit. Për të qetësuar vendet anëtare, eurokomisioneri, Timmermans shtoi se “udhëtim në BE pa vizë do të ketë vetëm për atë që ka një pasaportë biometrike –pa përjashtim.”
Kritika vijnë nga kampi konservator i Parlamentit Europian. “Jo me mua”, deklaroi eurodeputeti gjerman i partisë kristiansociale, CSU, Markus Ferber. Turqia nuk duhet të marrë paradhënie sa kohë që nuk janë plotësuar të gjitha kriteret. Skeptikëve të tillë Timmermans i përgjigjet: “Në vitet kur ne nuk jemi angazhuar për Turqinë, atje nuk kanë lëvizuar gjërat.” Nuk mjafton të ushtrosh vetëm kritikën nga larg. Timmermans kërkon të hapë kapituj të tjerë negociimi për ta lidhur Turqinë me rregullat europiane. “Ata nuk po afrohen, po largohen më shumë nga ne. Prandaj duhet të ballafaqohemi me një problematikë të tillë”, përsërit Timmermans vlerësimin e tij të dikurshëm për Turqinë.
Reformat e Dublinit – tentativë e re me ndëshkime
Ndërsa me propozimin e ri për një reformë themelorëetë marrëveshjes së Dublinit, KE ndeshi në granit. Parimin bazë që vendi ku refugjati shkel për herë të parë mbetet vendi përgjegjës për të, nuk donte ta dorëzonte askush. Sigurisht jo dy vendet kryesore të prekura, Italia dhe Greqia.
Frans Timmermans propozon një mekanizëm korrigjues për t'i lehtësuar këto vende. Baza është një shpërndarje sipas madhësisë dhe kapacitetit ekonomik të një vendi. Në rast se numri tejkalohet, atëherë refugjatët automatikisht shpërndahen në vende të tjera- me kuotë. Greqia mund t'i shpërndante kështu më shpejt refugjatët në vende të tjera. Kush nuk e respekton këtë rregullore duhet së paku të paguajë në të ardhmen. KE do të vendosë një gjobë prej 250.000 eurosh për çdo refugjat që nuk pranohet në bazë të këtij “mekanizmi të drejtë”. Kështu vende si Sllovakia që e refuzuan këtë propozim, duhet ta bëjnë gati çekun.
Kërcënim shteteve europianolindore
Komisioni Europian –pa përmendur emra- dërgoi sinjale të forta në drejtim të shteteve të Vishegradit. “Ose ne përballemi me këtë sfidë të gjithë së bashku, ose ta lemë. Dhe nëse nuk tregojmë solidaritet këtu, atëherë nuk do të ketë solidaritet edhe për çështje të tjera.” Një kërcënim i qartë ndaj shteteve europianolindore që refuzojnë pranimin e refugjatëve. Komisioneri Timmermans thotë se “propozimi ynë është ambicioz dhe i drejtë”. Kjo reformë mund të miratohet me shumicë të kualifikuar në Këshillin e BE edhe pa miratimin e vendeve lindore, sigurisht si zgjidhja e fundit.
Zgjatja e kontrolleve kufitare
"Greqia ka bërë hapa të mirë përpara në drejtim të sigurimit të kufijve të jashtëm”, lëvdoi komisari i BE-së për migrimin, Dimitris Avramopoulos. Megjithatë ka ende dobësi, prandaj vendet e Shengenit lejohen të vazhdojnë kontrollet në kufijtë e brendshëm. Gjermania dhe vende të tjera do të bëjnë kontrolle kufitare edhe për një gjysmë viti tjetër. Megjithatë theksohet se kjo është “një masë e jashtëzakonshme dhe ne duam sa më shpejt të jetë e mundur të kthehemi tek rregulloret e Shengenit.” Me këto propozime KE kërkon të bëjë goditjen çliruese. Në marrëdhënien me Turqinë, KE përpiqet ta kthejë në element pozitiv, situatën e pakëndshme të të qenit i shantazhueshëm. Edhe tek shpërndarja e refugjatëve, KE do të tregojë vendosmëri. Solidaritet me detyrim në rast nevoje, thuhet në Bruksel. Sigurisht europianolindorët nuk gëzohen për këto sinjale të reja nga Brukseli.