1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Socialidemokracia në udhëkryq dhe kulaçi i FDP-së

29 Shtator 2009

Rezultati i zgjedhjeve në Gjermani është tema më e komentuar në shtypin e sotëm (29.09.2009) gjerman.

https://p.dw.com/p/JtGE
Shtypi gjermanFotografi: picture-alliance/dpa

"Nordsee-Zeitung" komenton humbjen e socialdemokratëve: "Socialdemokracisë i ka ikur ideja nga duart dhe bashkë me të edhe personeli. Si mund të shpjegohet ndryshe që hapi i parë tani për ripërtëritjen është që Frank-Walter Steinmeier do të marrë përsipër drejtimin e grupit parlamentar? Bëhet kjo sepse ai mundi t'ia dalë në luftën elektorale? Sepse ai e reklamoi mirë planin e tij për Gjermaninë? Se na ka mbetur pozitivisht në kujtesë kabineti i dëshiruar prej tij? Ndokush mund të fërkojë sytë. Një shok prej hallit të madh, sepse nëse ka një gjë që nuk e donin zgjedhësit, kjo është pikërisht kontinuiteti në personelin e partisë. A jemi në rregull, mos vallë në selinë Willy Brandt s' ka mbetur më njeri?"

Po në të njëjtën linjë është edhe komenti i "Kölner Stadt-Anzeiger", për humbjen e socialdemokratëve: "Partia duhet të mbledhë ato çfarë i kanë mbetur nga një parti popullore, të fokusojë një fillim të ri dhe njëkohësisht të shohë, që të mos shpërbëhet i gjithë konstruksioni SPD - duke u ndarë në persona dhe program sipas mendimit individual dhe në inciativa. Vetëm në një sfond të tillë është e kuptueshme, përse kryetari i partisë Müntefering tërhiqet duke e lënë këtë të nënkuptohet dhe jo menjëherë. Ai mundohet të mbajë bashkë, atë ç' ka synon të ndahet duke pëcaktuar së paku një qendër të përkohshme forcash."

Ndërsa për liberal-demokratët (FDP) që dolën më të fituar nga këto zgjedhje, gazeta "Volksstimme" komenton: "Në pozicionin më interesant pas zgjedhjeve padyshim qëndron sërish FDP-ja. Nga njëra anë ajo është fituesja e qartë, me vetëdije liberalët duhet të kërkojnë copën e tyre të majme. Kjo u takon atyre. Zgjedhësit e tyre e presin këtë. Nga ana tjetër të dielën politikës liberale iu vunë kufij, gjë që në radhë të parë ka të bëjë me personin Angela Merkel. Me rafinesë kancelarja gjatë koalicionit me bazë të gjerë u pozicionua si ndërmjetësuesja e madhe mbipartiake. Kjo me sa duket i ka sjellë votat vendimtare unionit, pavarësisht nga kritika ndaj rezultatit. Për FDP-në është e rëndësishme që të ruajë masën në këtë fitore. Konkretisht kjo do të thotë, që ajo të mos e dëmtojë rolin e Merkelit, si figura drejtuese e qendrës politike në Gjermani. Nëse ia dilet kështu, atëherë koalicioni mes kristiandemokratëve dhe liberaldemokratëve mund të qeverisë edhe pas vitit 2013."

Autor: V.F.B/Agenturen

Redaktoi: Bahri Cani