1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllovakia së shpejti me presidente nga shoqëria civile?

29 Mars 2019

Në Sllovaki duket se balotazhin e zgjedhjeve presidenciale që do të bëhet të shtunën do ta fitojë aktivistja për të drejtat e qytetarëve, Zuzana Caputova.

https://p.dw.com/p/3Fr1W
Slowakei Wahl Zuzana Caputova, Präsidentschaftskandidatin
Fotografi: Reuters/D.W Cerny

Sllovakia të shtunën duhet të zgjedhë në një balotazh presidentin e ri. Ngjarja konsiderohet e rëndësishme sepse mund të ndryshojë jo vetëm vendin, por edhe gjithë rajonin e Evropës Qendrore-Lindore. Raundi i parë i zgjedhjeve, dy javë më parë, nxori si dy rivalët kryesorë aktivisten e shoqërisë civile, Zuzana Caputova, dhe Komisionerin e BE-së, Maros Sevcovic, i cili është pa parti, por mbështetet nga partia e maxhorancës, SMER.

Dëshirë për ndryshim

Ndonëse Presidenti i Sllovakisë ka më tepër kompentenca përfaqësimi, analistet vendas si për shembull Matus Kostolny, kryeredaktor i së përditshmes "Denník N", e quajnë votimin e së shtunës: Zgjedhja mes mafjes alternative dhe shtetit të së drejtës. Sondazhet nxjerrin në avantazh (mbi 60 përqind) avokaten 45-vjeçare, Zuzana Caputova, e cila është një fytyrë e re në jetën politike të vendit. Ndërsa rivali i saj, diplomati i karrierës, 52-vjeçari Maros Sefçoviç, sipas sondazheve nuk e kap dot as 40 përqindshin.

Wirtschaftsminister Peter Altmaier und EU-Energiekommissar Maros Sefcovic nach den Gesprächen in Berlin
Maroš Šefčovič aktualisht komisioner i energjetikës, kandidat për president të Sllovakisë nga krahu i SMER-itFotografi: DW/N. Jolkver

Në fakt Sllovakia konsiderohet si një vend konservator, edhe pse qeveriset nga partia socialdemokrate, SMER, e cila zyrtarisht i përket spektrit të majtë. Por politika dhe retorika e saj është më afër pozitave të së djathtës nacionale dhe populiste. Që tani një grua e ndarë, e cila përfaqëson më shumë një politikë të majtë sociale dhe liberale, është kandidate serioze për postin e presidentes, kjo flet edhe për dëshirën e madhe të vendit për ndryshime, pra, për transparencë, për shtetin e të drejtës, për qeverisje më të mirë. Sondazhet dëshmojnë se kjo dëshirë është në rritje në të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Pushteti i lidhur me krimin

Ngjitja politike e Caputova-s shpjegohet nga njëra anë me zemërimin e shumë sllovakëve me aferat korruptive dhe kriminale të elitave në pushtet, në anën tjetër me mosndryshimin e gjendjes as pas vrasjes së gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij një vit më parë. Edhe pse një vit më parë, dy burrat më të fuqishëm të Sllovakisë, kryeministri Robert Fico dhe ministri i tij i brendshëm, Robert Kalinák, dhanë dorëheqjen, politika shtetërore nuk ndryshoi shumë.

Sidoqoftë, u zbardh deri diku  vrasja e Kuciak-ut dhe Kusnírová-s. Përveç kësaj, janë në burg me akuzën për mashtrim  dy biznesmenët më të diskutueshëm të Sllovakisë: Manjati i pasurive të patundshme, Ladislav Basternák, dhe biznesmeni Marian Kocner. Ky i fundit thuhet se ka dhënë edhe porosinë për vrasjen e Kuciak-ut.

Slovakai | ermordeter Journalist Jan Kuciak und Martina Kusnirova | Freedom Square
Gazetari Jan Kuciak dhe e fejuara e tij Martina Kusnirova u vranë para një viti, sipas të gjitha gjasave, me porosi të një manjati. Fotografi: picture-alliance/dpa/CTK/S. Petr

Për opininonin publik në Sllovaki ata simbolizojnë biznesin korruptiv dhe lidhjen me krimin e ku suksesi varet vetëm nga përkrahja politike dhe publike.  Basternák-u dhe Kocner-i për shumë  vite kishin marrëdhënie shumë të ngushta me politikanë dhe zyrtarë të lartë të vendit. Për shembull, Robert Fico banon ende në një apartament luksoz në një kompleks banimi, i cili deri në konfiskimin e tij të paradokohshëm ishte pjesë e perandorisë së biznesit të Basternak-ut.

Kandidatja e besueshme

Zuzana Caputova përfaqëson luftën kundër fijeve të këtilla. Edhe pse deri vonë ajo mund të ketë qenë e panjohur për shumë njerëz, mediat e vendit e njohin fare mirë. Prej dy dekadash punon si avokate e të drejtës së qytetarëve dhe madje, me anë të një grindjeje disa vjeçare nëpër gjyqe, ka arritur edhe një vendim historik për Sllovakinë, pengimin e ngritjes së një deponie ilegale plehrash në vendlindjen e saj, në qytetin Pezinok, në verilindje të Bratislavës.

Ajo duket e besueshme, jo vetëm për shkak të punës dhe luftës së saj disavjeçare kundër establishmentit, por edhe sepse edhe gjatë fushatës elektorale i ka mbrojtur të gjitha pikëpamjet e saj, edhe kur ato kanë qenë kundër opinionit të shumicës, si për shembull në lidhje me martesën mes personave të së njëjtës gjini, ose abortin. Kjo i jep asaj edhe imazhin e një personi të pakorruptueshëm dhe të pavarur.

Kundër rrethit të oligarkëve

Ndërsa rivali i saj, Komisioneri i Energjisë në BE, Maros Sefçoviç, dukej gjithnjë e më pak i besueshëm në javët e fundit. Ai është i njohur më shumë si një socialdemokrat i majtë, por gjatë fushatës elektorale u prezantua më shumë në si ruajtës i vlerave tradicionale dhe të familjes klasike, si një i krishterë besimtar dhe si një patriot i mirëfilltë slovak, - një transformim ky, të cilin shumë njerëz nuk ia besojnë. 

Mbështetja që gëzon ai nga partia qeverisëse, SMER, nuk është medoemos një plus për të, veçanërisht pasi kohët e fundit ajo po prodhon pafund tituj negativë në media. Për shembull, lideri i SMER-it, Robert Fico, i cili është i njohur tashmë për tiradat e tij ndaj medias së pavarur,  javët e fundit i ka sharë mediat aq shumë, saqë të mërkurën madje e quajti rrezikun më të madh që i kanoset demokracisë së vendit.

Slowakei Ministerpräsident Robert Fico
Robert Fico, ish-kryeministër i Sllovakisë dhe ende kryetar i SMER-it, jeton ende në një apartament të ndërtuar nga manjatët e lidhur me krimin dhe njihet për tiradat e sharjeve ndaj mediave. Fotografi: Getty Images/AFP/V. Simicek

Që nga vrasja e Kuciak-ut, publiku i sheh tirada të tilla në mënyrë shumë kritike. Beáta Balogová, kryeredaktorja e së përditshmes më të madhe të vendit, Sme, që Fico e ka sulmuar personalisht dhe ka thënë se do ta padisë në gjyq për shkak të artikujve të saj, shkruan në prag të balotazhit të së shtunës: "Nuk kemi nevojë për një anëtar tjetër të fuqishëm të rrethit të oligarkëve, ne kemi nevojë për një autoritet autentik që mund të dallojë të mirën nga e keqja dhe që e kupton se duhet të bëjë një politikë të ndershme.

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter