1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G-8 konsultohen në Londër

(dpa) Mimoza Cika-Kelmendi11 Prill 2013

Ministrat e jashtëm të vendeve të grupit G-8, shtatë vendeve më të fuqishme industriale dhe Rusia, kanë nisur një takim dyditor në kryeqytetin britanik, në Londër.

https://p.dw.com/p/18EDI
Fotografi: Reuters

Një ndër temat kryesore takimit është situata në Siri. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle u shpreh në këtë takim kundër armatosjes së opozitës siriane nga Perëndimi. "Nuk mund të siugorhet, se duke furnizuar me armë kryengritësit, do të ulet numri i viktimave në njerëz", tha ai në Londër.

Para takimit ministri i Jashtëm gjerman dhe homologu i tij britanik William Hague zhvilluan bisedime me përfaqësues të opozitës siriane, në mesin e të cilëve edhe me shefin e qeverisë së përkohshme të shpallur nga ana e opozitës, Ghassan Hitto. Westerwelle në këtë kuadër deklaroi se "mbështesim Hitto-n në përpjekjet për një opozitë të fortë të krijuar mbi bazën e parimeve demokratike". Sekretari i Jashtëm britanik Hague, tha se Britania është e gatshme dhe do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve politike. “Diskutuam se çfarë ndihme shtesë mund të japë Britania për të shpëtuar jetë njerëzish në Siri dhe se si mund të punojmë së bashku për të siguruar që kjo mbështetje të jetë sa më efektive”, theksoi ai.

Ministrat e jashtëm të vendeve të grupit G-8
Ministrat e jashtëm të vendeve të grupit G-8Fotografi: Paul Rogers/AFP/Getty Images

Një temë tjetër e takimit të G-8 është edhe kërcënimi i vazhdueshëm me sulme i Koresë komuniste të Veriut. Ministrat ishin të një mendimi se kombinimi i kërcënimeve luftarake nga Pheniani me përgatitjet për teste të reja raketash bërthamore, përbëjnë një provokim tepër të rrezikshëm. “Nuk ka asnjë mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara në lidhje me Korenë e Veriut”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, në Londër. Një temë tjetër në rend të ditës së takimit të G-8 është edhe konflikti atomik me Iranin.