1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të veprohet me Phenianin?

5 Shtator 2017

Pas testit të fundit atomik të Koresë së Veriut, u mblodh Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Në tryezë janë opsione të ndryshme. Shumica janë të vështira për t'u realizuar. Mbetet vetëm një mundësi.

https://p.dw.com/p/2jLYa
Nordkorea Kim Jong-Un
Fotografi: Reuters/KCNA

"Ai po lyp luftë". Kështu e interpreton ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, testin e fundit me bombë të diktatorit korean, Kim Jong Un. SHBA nuk kanë dashur kurrë luftë, as tani, deklaroi ajo të hënën para KS të OKB-së. Anëtarët e KS u takuan në një mbledhje urgjente për të diskutuar për provokimet më të fundit të Koresë së Veriut.

Të hënën Koreja e Veriut ndezi një bombë me hidrogjen. Ajo shkaktoi një tërmet të shkallës 6,3. Një bombë e ndezur në 9 shtator 2016 shkaktoi një tërmet të shkallës 5,3. Programi ka avancuar, deshi të linte të kuptonte me këtë Kim Jong Un.

Kërcënimet nuk bëjnë efekt

Para së gjithash, koreanoveriori la të kuptohet se nuk pranon që t'ia përcaktojnë rregullat as Kombet e Bashkuara dhe as SHBA. Në fillim të gushtit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi sanksione masive kundër Koresë së Veriut. Me rezolutën e pranuar njëzëri, Kombet e Bashkuara vendosën të bojkotojnë artikuj të rëndësishëm eksporti të vendit: qymyr, hekur, plumb, por as fruta deti nuk lejohet më të eksportojë Koreja e Veriut. Përgjigjia e regjimit: manovra të tjera ushtarake dhe teste.

Edhe fjalët e drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo mbetën me sa duket pa efekt: "Përsa i përket regjimit, shpresoj që do të gjejmë një rrugë për ta ndarë nga sistemi", deklaroi ai në qershor. Kjo deklaratë u kuptua nga të gjithë si një aluzion për një ndryshim regjimi.

Sanksione ekonomike problematike

Edhe sanksione të tjera ekonomike pritet të bëjnë pak efekt. Edhe të tashmet thuajse nuk kanë arritur gjë. Sipas një raporti të OKB-së të marsit të këtij viti, dy nga tre koreanoveriorë janë të nënushqyer. "Kur vendi është në gjendje të keqe ekonomike, te ushtria regjimi kursen jo në krye, por në fund", thotë politologu që jep mësim në Universitetin Pacific të Hawaii, Seung-Kyun Ko në një intervistë me CNN. "Në Korenë e Veriut janë mësuar me vuajtje dhe regjimi është shumë i ushtruar për ta duruar."

Edhe një gjë tjetër flet kundër një embargoje më të gjerë: rezistenca që pritet e Kinës. Rrëzimi i Kim Jon Unit jo vetëm do ta afronte në kufirin e Kinës rivalin strategjik të Kinës, SHBA. Edhe kaosi dhe një emigrim masiv konsiderohet si skenar tmerri në Pekin. "Në thelb, Kina dhe SHBA duhet të bien dakord për ta mënjanuar problemin e "Koresë së Veriut", thotë  në bisedë me DW Wang Jiangyu, profesor i asociuar në National University of Singapor. "Qeveria e Phenianit përfiton nga rivaliteti midis Uashingtonit dhe Pekinit."

Dialogu si opsion i fundit

Edhe në rrugë negociatash, Kim Jong Un si zor që të heqë dorë nga programi raketor. Ai duhet ta ketë parë se si përfunduan regjimet e shteteve të shpallura "shtete vagabonde", në Irak dhe në Libi, kur hoqën dorë nga programi atomik. Udhëheqësit e të dyja vendeve nuk e mbijetuan ndryshimin e sistemit, të iniciuar njëherë nga SHBA dhe njëherë nga NATO. Të dyja shtetet që atëherë ndodhen prej vitesh në buzë të kolapsit.

E vetmja mundësi për ta bërë Phenianin që të ndryshojë qëndrim duket se është instrumenti më i vjetër i politikës: dialogu. Këtë e kujtoi në një telefonatë me Presidentin koreanojugor Moon Jae-in Presidenti rus, Vladimir Putin. Të gjitha mjetet politike-diplomatike duhet të përdoren aktivisht, kërkoi ai.