1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të veprohet me Korenë e Veriut

Matthias von Hein15 Shkurt 2016

Armatimi atomik i Koresë së Veriut u diskutua në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kina e SHBA kanë të njëjtin qendrim në refuzimin e armatimit atomik. Por nuk kanë të njëjtin mendim si duhet trajtuar regjimi i Phenianit.

https://p.dw.com/p/1HvLJ
Deutschland Kern Innovations Tourismus Nordkorea
Fotografi: www.kerninnovations.com

Senatori i SHBA, Robert Corker shfrytëzoi një podium për rolin e Kinës në rendin ndërkombëtar për të dënuar mungesën e vullnetit të Pekinit, që të ushtrojë presion ndaj regjimit në Phenian. Së fundi, Koreja e Veriut ndezi në 6 janar një kokë me mbushje bërthamore. Në fillim të shkurtit, Pheniani testoi një raketë të distancave të largëta, e cila zyrtarisht duhet të jetë pjesë e një programi hapësinor. Corker e akuzoi veç kësaj Kinën se dërgon teknikë delikate si në Korenë e Veriut, ashtu edhe në Irak.

Fu Ying, Kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Popullor Kinez i hodhi poshtë kritikat. Njëkohësisht ajo e bëri të qartë pakënaqësinë kineze për mënyrën e veprimit të Phenianit. Kina është rreptësisht kundër këtyre testeve dhe shpreson se Koreja e Veriut do ta ndalojë këtë mënyrë të rrezikshme veprimi, tha ajo. Ajo propozoi që të nisin sërish bisedimet gjashtëpalëshe me Korenë e Veriut. Fu Ying kërkoi njëkohësisht nga SHBA që më në fund të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje me Korenë e Veriut. Që prej vitit 1953 midis të dyja palëve ekziston vetëm një armëpushim, tha Fu Ying. Një marrëveshje paqeje dhe garancia e SHBA se nuk do ta sulmojnë Korenë e Veriut mund të bëjnë që Koreja e Veriut ta ndryshojë qendrimin.

Përparimet diplomatike të domosdoshme

Kevin Rudd, ish-kryeministër i Australisë dhe njohës me emër i Azisë Jugore paralajmëroi për rrezikun e armatimit bërthamor të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut zotëron raketa me rreze të shkurtër, me rreze të mesme dhe me rreze të gjatë veprimi. Regjimi ka bërë përparime teknologjike, tha ai. Nëse Koreja e Veriut do të fitojë aftësinë për të kërcënuar aleatë të SHBA në rajon, kjo do të kthehej në një problem të madh sigurie. Këtë Uashingtoni do ta shihte si rrezik fundamental. Rudd paralajmëroi: "Po të mos avancojmë në aspektin diplomatik këtu, mund të përballemi me situata shumë të shëmtuara".

Senatori Corker u tregua sërish i zhgënjyer me qendrimin e Kinës ndaj Phenianit. Kina kërkon një vend në rendin botëror, por atje ku mund të arrijë me të vërtetë diçka me rëndësi thelbësore, Pekini refuzon të japë kontribut, tha ai. Atje ndodhet çelësi për çtensionimin e programit atomik. Por Pekini nuk dëshiron ta përdorë atë.