1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të sigurohen pensionet në Gjermani?

13 Korrik 2024

Gjermania ka vendosur që pensionet të mos jenë më pak se 48% e të ardhurave, por askush nuk e di ende - si ta bëjë këtë? Gjermania ka probleme të mëdha me kontributet.

https://p.dw.com/p/4i3Mw
Pensionet në Gjermani, një i moshuar mban ca para në dorë!
Sa të sigurta janë pensionet në Gjermani?Fotografi: DW

Qeveria gjermane pranoi së fundmi se do të garantohet ligjërisht se deri në vitin 2039 pensionet nuk do të bien nën 48% të të ardhurave mesatare në këtë vend. Kjo është padyshim dëshira e të gjithëve, jo vetëm në koalicionin qeverisës, por për shkak të zhvillimit demografik askush nuk e di se si ta arrijë atë.

"Pensioni i solidaritetit” siç është tani nëGjermani dhe në shumë vende të tjera është në fakt një koncept relativisht i ri. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore është futur koncepti sipas së cilit pensioni nuk ishte më një çështje e punonjësit individual, kështu që nëse ai kujdesej për pleqërinë e tij, atëherë do të merrte diçka. Pikërisht këtu është përhapur parimi se popullsia aktuale e punës paguan pensionet e atyre që nuk janë më në punë, pra brezat e ardhshme paguajnë për pensionet e atyre që dalin në pension.

Por kjo nuk mund të mbetet më kështu. Ka gjithnjë e më shumë të moshuar dhe pensionistë, ndërsa numri i të rinjve po zvoglohet, ndaj nuk dihet si do të shkojë puna me pensionet në dekadat e ardhshme. Në Gjermani tani raporti është afërsisht 2 punonjësme një pensionist, por po vijnë ditë edhe më të këqija.

Sa janë të sigurta pensionet? Dy të moshuar rrinë ulur së bashkë.
Sa janë të sigurta pensionet?Fotografi: Neundorf/Kirchner-Media/picture alliance

"Kryeqyteti i gjeneratës"

Për të siguruar një pension të denjë për gjeneratat e ardhshme, mes politikanëve dhe partive gjermane dëgjohen ide të ndryshme. Emërtimet e koncepteve tingëllojnë mirë - por efektet nuk janë të qarta. Ministri gjerman i Financave dhe politikani liberal, Christian Lindner mbron formimin e "Generationenkapital" (Kapitali i brezave). Ai nuk sheh zgjidhje tjetër veçse që shteti, jo më vonë se mesi i viteve 2030, të marrë borxh dhe të formojë një fond të posaçëm prej 200 miliardë eurosh që do të nxirrej në tregun e kapitalit dhe do të arrinte fitim të mjaftueshëm përmes aksioneve, në mënyrë që të financohen pensionet edhe nga ky kapital. Përndryshe përfitimet e sigurimit pensional do të duhet të rriten në mënyrë të pashmangshme.

Por jo të gjithë në politikën gjermane janë të kënaqur me këtë ide. Fondet e pensioneve që janë aktive në bursë ekzistojnë edhe në vende të tjera. Në SHBA ekistojnë pothuajse vetëm fonde të tilla dhe gjërat shkojnë kryesisht mirë. Kështu ishte deri në kolapsin si ai që ndodhi me Lehmans Brother, kur u kuptua se ky sistem ka mangësi shumë të mëdha për pensionet dhe pensionistët. Një gjë tjetër është funksonimi vetëm përmes bursave dhe kredive, por kjo është tepër e rrezikshme.

„Deutschland-Rente"

Edhe sistemi i tretë është një çështje politike. Ky propozim i kreut të liberalëve sigurisht që do të ishte i pranueshëm tek të pasurit dhe spekultantët në bursë, por jo tek punonjësit. A mund të jetë pra kuptimi i reformës, që dikush me portofol të majmë të përfitojë, e dikush të rrezikojë të gjitha?

Tani po përmendet edhe ideja e ardhur nga landi Hessen: Deutschland-Rente. Ministri i landit i Financave Alexander Lorz propozoi zyrtarisht formimin e një fondi të posaçëm të mbikqyrur nga një komision financiar në Bundesrat. Fondi do të funksiononte nën drejtimin e bankave private, por nën mbikëqyrjen e shtetit, gjë që do t'i mundësonte të gjithëve që duan të marrin pjesë në atë fond në kushte më të favorshme.

Lindner, Habeck dhe Scholz - a do të arrihet marrëveshje përfundimtare?
Lindner, Habeck dhe Scholz - a do të arrihet marrëveshje përfundimtare?Fotografi: picture alliance / BMF/photothek.de

Stefan Schmidt nga partia ekologjiste thotë se një gjë e tillë "korrespondon me propozimin tonë për një fond qytetar të menaxhuar publikisht."

Kush e do këtë?

Një "fond i investimeve popullore” është diskutuar edhe në vitin 2018, por as atëherë nuk gjeti mbështetje. Me konceptin e të ashtuquajturit Riester-Rente, u bënë përpjekje që të zgjidhet problemi, por problemi është se ky koncept ishte mbi baza vullnetare. Ndaj shumë njerëz nuk e kanë praktikuar, veçanërisht ata me rroga më të vogla.

Nuk dihet nëse do të pranohet ideja e mbikëqyrjes shtetërore të një fondi të tillë, sepse mund të ketë probleme me investimet, në veçanti me prejardhjen e parave të investuara. Ekologjistët kanë rezerva të mëdha ndaj idesë. Ndërsa socialdemokratët gjermanë, nga ana tjetër, angazhohen për diçka tjetër - për një ringjallje dhe nxitje të re të pensionit federal, një pensioni shtesë i ofruar nga disa kompani apo shoqata profesionale, ku punëdhënësi do të paguante një pjesë të caktuar. Sigurisht, kjo është më tërheqëse për pensionistët e ardhshëm, por gjithnjë e më pak kompani ofrojnë edhe një privilegj të tillë për punonjësit e tyre.

Ministri i Financave Lindner pretendon se pensionet duhet të jenë "Enkelfit", që do të thotë se duhet të funksionojnë edhe në kohën e nipërve tanë. Koalicioni qeverisës është dakord, por ende nuk e ka të qartë se si mund të arrihet kjo.