1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si shoferët e taksive bëhen përsëri mjekë

Anne Allmeling / Angelina Verbica3 Prill 2013

Që prej një viti është në fuqi ligji për njohjen e kualifikimit profesional. Kështu emigrantët nga vendet jashtë BE-së mund t'i nostrifikojnë diplomat e tyre në Gjermani. Megjithatë ende ka pengesa të shumta.

https://p.dw.com/p/188nS
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me kualifikim të lartë, të motivuar dhe me përvojë, kush i ka këto cilësi, ka shanse të mira në tregun gjerman të punës. Por për atë, që të duket e vetëkuptueshme, ka pasur deri para pak kohe kufizime. Së paku për njerëzit, që kanë përfunduar studimet në një shtet të tretë, për shembull jashtë BE-së. Sepse kualifikimi i një mësuesi nga Lesotho, apo i një infermieri nga Kazakistani nuk është njohur zakonisht në Gjermani. Një shkak ky, se përse mjekët nga Irani punojnë si shoferë taksishë në Gjermani.

E drejta e provimit

Kjo ka ndryshuar me ligjin federal për vlerësimin e kualifikimeve profesionale, (BQFG). Që prej 1 prillit 2012 emigrantët kanë të drejtë, që në Gjermani t'u testohet ekuivalenca e kualifikimit të tyre profesional. Nëse marrin një vlerësim pozitiv, atëherë ata lejohen ta ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani. Nëse konstatohen mangësi, ata mund ta plotësojnë kualifikimin e tyre profesional.

Afro 30 000 vetë kanë përfituar vitin e kaluar nga kjo e drejtë. Më shumë se 8000 prej tyre ishin mjekë. Gati gjysma e tyre lejohen të ushtrojnë tani profesionin në Gjermani. "Tani vendimtar nuk është vendi i origjinës, por kualifikimi, që ke", thotë Eva Müller, punonjëse shkencore në Shkollën e lartë të Agjencisë federale të Punës në Manheim.

Një rrugë e gjatë deri tek pranimi

Por deri tek pranimi është një rrugë e gjatë. Aplikantët duhet të paraqesin dokumente të noterizuara nga vendlindja e tyre, të përkthyera dhe ajo që është më e komplikuara, të gjejnë një profesion korrespondues në Gjermani, që i përgjigjet të kualifikimit të tyre profesional. Ndihmë mund të marrin nga "shërbimi telefonik për njohjen e diplomave të huaja" i Zyrës federale për Migracionin dhe Refugjatët. "Shkollimet janë shumë të ndryshme në vende të ndryshme të botës", shpjegon Erwin Schindler, drejtues i grupit të shërbimit telefonik. "Për punonjësit tanë është një sfidë e madhe, që të konstatojnë, se cili profesion në Gjermani mund të ishte korrespondues. Në bazë të tyre bën vlerësimin zyra përgjegjëse për aplikimet."

Sprachkurs an der Volkshochschule
Për migrantët në Gjermania tani është më e lehtë ta ushtrojnë profesioninFotografi: picture alliance / dpa

Rruga për në zyrën përkatëse është e përcaktuar qartë, por e komplikuar. Sepse njohja e disa profesioneve si mësues, edukator është kompetencë e secilit land gjerman më vete. Problemi është se deri tani vetëm në pesë lande gjermane ka ligje për njohjen e diplomave: Ai që do të bëjë njohjen e diplomës në një land tjetër gjerman, duhet të presë, derisa atje të miratohen ligjet përkatëse. "Ne kemi akoma një boshllëk të madh, përsa i përket ligjeve në lande dhe aplikantëve mund t'u themi në moment vetëm që të kenë durim", thotë Erwin Schindler.

Nevojë përmirësimi në rang landesh

Një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit federal ka akoma nevojë për përmirësime, me qëllim që diplomat e huaja të mund të njihen në të gjithë Gjermaninë. Megjithatë: Jo të gjitha kualifikimet profesionale nga jashtë kanë ekuivalentet e tyre në Gjermani. Një shembull mund të ishte një "mjeshtër Kung-Fu" nga Kina, thotë Erwin Schindler. Sado i kualifikuar, i motivuar dhe me përvojë të mund të jetë ai, profesioni i tij në Gjermani nuk do të njihet deri në një të ardhme të parashikueshme.