1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si mund të bëjnë migrantët karrierë në Gjermani?

Die Zeit / Angjelina Verbica22 Gusht 2013

Çfarë duhet ndryshuar, në mënyrë që migrantët të bëjnë karrierë? Studimi "Migrantët në rrugën drejt elitës" i ekspertit gjermano-iranian Armand Farsi studjon premisat e emigrantëve, për të bërë karrierë në ekonomi.

https://p.dw.com/p/19Uds
Fotografi: Kaarsten - Fotolia.com

Studimet e larta janë të domosdoshme, por nuk mjaftojnë për të bërë karrierë të lartë në Gjermani. Në këtë përfundim arrin Armand Farsi në dizertacionin e tij: "Migrantët në rrugën drejt elitës", në të cilin studjon premisat, që duhet të përmbushin emigrantët për të bërë karrierë. Farsi, vetë bir i emigrantëve nga Irani, ka anketuar 620 migrantë, me të ardhura mesatare vjetore bruto rreth 75 000 euro në vit. Në intervistën, që boton gazeta die Zeit, ai përmend si një kriter vendimtar origjinën sociale:

Origjina sociale - kriter vendimtar

"Kush nuk vjen nga shtresa e lartë e ka të vështirë në Gjermani. Kjo shprehet në një mënyrë të caktuar jetese. Ngjashmëria me vendimarrësit vlerësohet. Je në mendësinë perëndimore, njeh historinë dhe letërsinë, di si duhet të sillesh në teatër dhe në opera. Njeh kodet dhe rregullat e këtyre qarqeve dhe nuk je i përjashtuar. Këtë mënyrë edhe mund ta mësosh pjesërisht. Ka një dimension krejt tjetër, kur gjërat t'i mësojnë që në fëmijëri."

Për arsyen pse kërkohet ngjashmëria, Farsi ka këtë shpjegim. "Një vendimmarrës zakonisht mendon se është njeriu i duhur në vendin e duhur. Dhe që vetëm një njeri, që është i ngjashëm me të, mund të kryejë detyra të ngjashme. Për shembull dikush, që ka qenë në një universitet elitar të krahasueshëm me të tijin."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Përveç origjinës sociale, e cila është vendimtare edhe për gjermanët, në rastin e migrantëve vjen edhe sfondi i huaj etnik, që e pakëson edhe më shumë ngjashmërinë. "Ka edhe një pikë vendimtare, po e quaj e keqja e lidhjeve, e miqësive të emigrantëve. Të dhënat kanë treguar, se sa më "vendas" të jetë rrethi i miqve dhe i të njohurve të personave të anketuar, aq më i madh është suksesi i tyre profesional. Kush lëviz në qarqe emigrantësh, ka shanse më të pakta për karrierë."

Farsi do të dëshironte që sfondi i migracionit të shihej si avantazh për shkak të sfondit të pasur gjuhësor dhe interkulturor: "Eshtë e mundur, që në disa raste të jetë kështu, por është një rrugë e gjatë për të arritur deri aty. Studimet tregojnë se aplikantët me emra gjermanë janë më të preferuar për shembull se aplikantët turq."

Stigmatizimi i migrantëve ka qenë arsyeja që ai vendosi të bëjë këtë studim. Imazhit të migrantëve, që lënë shkollën dhe nuk duan të integrohen, Farsi dëshiron t'i vërë përballë historitë e suksesit:

Aktivitete që afrojnë

"Për të zbutur efektin e prejardhjes sociale duhen frekuentuar rregullisht teatrot, duhen organizuar orë leximi, apo mësim falas i instrumentave muzikorë". Iniciativa të tilla, si kurse grafiti dhe breakdance në lagjet problematike, i bëjnë edhe më të mëdha dallimet ndaj vendimmarrësve në ekonomi. "Do të ishte e nevojshme që në shkolla të sigurohej një përzierje e shëndoshë fëmijësh, si përsa i përket numrit të fëmijëve të migrantëve, ashtu edhe të origjinës sociale. Migrantët duhet t'i çojnë fëmijët që heret në kopsht dhe çerdhe. Kjo duhet shpërblyer dhe jo mbajtja e tyre në shtëpi."