1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si funksionon në Gjermani mbrojtja nga katastrofat 

Thomas Kohlmann
25 Korrik 2021

Mbrojtja nga katastrofat në Gjermani është kompetencë e landeve. Në rast nevoje ato kërkojnë ndihmë nga federata, që dërgon në zonat e prekura ushtrinë, policinë ose Organizatën e Ndihmës Teknike. 

https://p.dw.com/p/3xlI6
Deutschland Unwetter Dernau
Fotografi: Christoph Hardt/Future Image/imago images

Kur populli në Gjermani kërcënohet nga rreziqe natyrore si përshembull përmbytjet, atëherë vihet fillimisht në lëvizje njësia më e vogël administrative, që është komuna. Nëse shihet se komuna nuk është në gjendje ta përballojë e vetme situatën, atëherë aktivizohet burimi tjetër administrativ, që është rrethi ose qyteti. Këto dërgojnë zjarrfikëset ose ambulancat. 

Në Gjermani ekzistojnë gjithsej 294 rrethe dhe 107 qytete të lira (si përshembull Këlni, Kili ose Lajpcigu). Nëse mundësitë që ka rrethi nuk mjaftojnë, atëherë kërkohet ndihmë nga rrethet e tjera, që nuk janë prekur nga kriza. Ndihma në këtë rast organizohet nga një shtab ndër-rajonal krize, që ngrihet ta zemë në nivel landi, dhe që koordinon ndërhyrjen e forcave në vendin e krizës. 

Roli i federatës 

Vetëm në rastin kur një land federal nuk është më në gjendje ta manaxhojë vet krizën në vend, atëherë aktivizohet mbrojtja nga katastrofat e Federatës. Për këtë rrethi ose qyteti duhet të shpallë gjendjen e katastrofës. Në këtë rast ushtria hap rrugët me mjete të blinduara dhe mbledh rrënojat. Ose policia federale dërgon helikopterët për të evakuuar njerëzit. 

Deutschland Unwetterkatastrophe | Heimerzheim, NRW, Rhein-Sieg-Kreis
Aksion evakuimi me helikopter gjatë përmbytjeve në Gjermani Fotografi: Marius Becker/dpa/picture alliance

Përveç kësaj në Gjermani ekziston edhe Shoqata e Ndihmës Teknike (THW), e cila është e pajisur me mjetet e nevojshme për ndërhyrje në raste përmbytjesh ose tërmetesh. Ekspertët e THW nuk ndihmojnë vetëm në Gjermani, por shkojnë në gjithë botën në misione për të ndihmuar me rrymë elektrike dhe ujë të pijshëm, njerëzit që ndodhen në zonat e katastrofave. 80 mijë vetë punojnë pë THW, shumë prej tyre vullnetarisht. Një nga detyrat që ata kanë në përmbytjen që sapo ka ndodhur është të pompojnë ujin nga digat e mbushura plot për të penguar shkatërrimin e tyre dhe përmbytjen e rajoneve të tjera. 

Miliona ndihmës vullnetarë 

Po ashtu në ndihmë vijnë edhe vullnetarët që veprojnë në të gjitha landet, si përshembull samaritanët nga Arbeiter-Samariter-Bund, vullnetarët e Shoqërisë gjermane për shpëtimin e jetës, Deutsche Lebens-Rettungs-Gesellschaft (DLRG), nga Kryqi i Kuq Gjerman, (DRK), nga organizata e Johanitëve për rastet e katastrofave, die Johanniter-Unfall-Hilfe dhe maltezët nga Malteser Hilfsdienst.

Deutschland nach Unwetter l Bayern Schöngau - Aufräumarbeiten
Fotografi: Elliot Douglas/DW

Vetëm në Landin e Renanisë Veriore Vestfalisë (NRW) ndodhen 30 zjarrfikëse profesionale dhe gati 400 zjarrfikëse vullnetare, që vihen në lëvizje në raste katastrofash. 

Sipas të dhënave nga Federata, në Gjermani punojnë vullnetarisht, pra pa pagesë 1,7 milionë ndihmësa. 

Komunikimi në raste krizash 

Në nivel landesh janë krijuar qendrat e përmbytjeve, të cilat vëzhgojnë nivelin e ujit të lumenjve dhe liqeneve për të paralajmëruar sa më shpejt që të jetë e mundur për rrezikun e përmbytjeve. Në rastet kur ujërat rrjedhin në disa vende, si në rastin e Lumit Rin, atëherë vëzhgimi i ujërave bëhet në nivel ndërkombëtar. Kompetencat për këtë i ka Komisioni Ndërkombëtar për mbrojtjen e Rinit, Internationale Kommission zum Schutz des Rheins

Deutschland nach Unwetter l Bayern Schöngau - Aufräumarbeiten
Fotografi: Elliot Douglas/DW

Shërbimi gjerman i Sinoptikës, Deutsche Wetterdienst (DWD), i cili varet nga Federata, bën parashikimet paraprake për rreziqet që mund të vijnë nga moti, si në rastin konkret për reshjet e mëdha. Nëpërmjet aplikimeve që merren me paralajmërimet siç është NINA, bëhet paralajmërimi i kushteve ekstreme të motit, si stuhira apo valë përmbytjesh, paralajmërime të cilat i dërgohen popullsisë që preket eventualisht. Problemi që ekziston është se vetëm një pjesë e vogël e njerëzve në Gjermani i përdorin në celular aplikimet paralajmëruese, si puna e NINA-s. 

Deutschland Sturmjäger auf dem Brocken
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Bein

E gjithë situata mbahet nën kontroll nga Enti Federal për mbrojtjen e popullsisë dhe ndihmës në raste katastrofash (BBK). Në një intervistë në radio, drejtori i entit, Armin Schuster tha lidhur me kritikat se gjatë krizës aktuale popullsia në zonat e përmbytura është paralajmëruar me vonesë, se: "Infastruktura jonë e paralajmërimit ka funksionuar plotësisht. Nga e mërkura deri të shtunën ne kemi dërguar 150 paralajmërime."  

Ai tha po ashtu se Shërbimi gjerman i motit, DWD, "i ka bërë si duhet” parashikimet e motit dhe ka paralajmëruar herët për përmbytjet e mëdha: "Por natyrisht parashikimet nuk janë aq të sakta sa të mund të thuhet cili vend preket me çfarë intensiteti dhe me cilën përhapje." 

 Manaxhimi i informacioneve duhet përmirësuar 

Edhe qendrat e përmbytjeve kanë qenë aktive dhe kanë bërë paralajmërimet për përmbytjen. „Paralajmërimet iu dërguan autoriteteve të rretheve dhe ato e kanë në dorë që me qendrat e tyre të kontrollit të përdorin sistemin tonë të paralajmërimit. Gjë që edhe e bënë. 150 paralajmërime u dërguan në media. Ato u transmetuan tek app-et e paralajmërimeve ", tregon Schuster përmbledhtasi si janë zhvilluar ngjarjet. 

Ndihmësit e forcave të ndryshme të shpëtimit merren vesh me njëri-tjetrin nëpërmjet një sistemi digjital radioje të krijuar nga qeveria federale, sistem që është krejtësisht i pavarur nga sistemi i telefonave celularë dhe që funksionon edhe aty ku antenat janë shkatërruar ose ku valët e telefonit celularë nuk mbërrijnë ose janë prishur. Sipas të dhënave të qeverisë federale, ky rrjet mbulon 99 përqind të sipërfaqes së Gjermanisë. 

Deutschland Lassahn | Bundesweiter Warntag: Alarmsirene auf Hausdach
Pas katastrofës në Gjermani kërkohet të rivendosen sirenat e alarmit Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Büttner

Në kohën e Luftës së Ftohtë, shumë ndërtesa publike si shkolla dhe posta kanë pasur nëpër çati sirena, që bënin paralajmërimet nga rreziqet. Një pjesë e madhe e tyre janë hequr për të bërë kursime. Në situatën aktuale janë shtuar zërat që kërkojnë që në gjithë vendin të vendosen sërish sirenat, me të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore popullsia paralajmërohej nga sulmet ajrore. Duhet thënë se sirenat funksionojnë vetëm kur funksionon energjia elektrike. 

Sirena dhe apikacione paralajmëruese 

Edhe Armin Schuster, drejtori i Entit për mbrojtjen nga katastrofat e pranon se sistemi i mbrojtjes nga katastrofat duhet reformuar. Schuster, që ka qenë më parë deputet, e drejton këtë zyrë që nga fundi i vitit 2020 dhe ka filluar në muajin maj me një program reformues për mbrotjen e popullsisë. Një pjesë e rëndësishme e tij ka të bëjë me rivendosjen në çatitë gjermane të sistemit të sirenave paralajmëruese.

Deutschland Unwetterkatastrophe
Fotografi: Thilo Schmuelgen/REUTERS

"Tre muajt e parë ne jemi duke u marrë me zbatimin e reformës. Unë jam shumë i impresionuar nga shpejtësia me të cilën është duke u bërë zbatimi i reformës dhe me bashkëpunimin e landeve. Që prej dy muajsh është krijuar edhe një program ndihme për rivendosjen e sirenave," thotë Schuster. 

Deri në fund të viti, Enti Federal për mbrotjen nga katastrofat do të bëjë një përmbledhje për gjendjen e rreziqeve për gjithë Gjermaninë. "Atëherë do e marrim vesh në çfarë gjendjeje ndodhet Gjermania dhe ku duhet investuar nga Federata dhe landet." 

Deutschland Unwetterkatastrophe | Sinzig, Landkreis Ahrweiler in Rheinland-Pfalz
Fotografi: Olga Tikhomirova/DW

Schuster mendon se për të bërë më mirë paralajmërimin e popullsisë në të ardhmen do të përdoret një përzierje e mënyrave analoge të paralajmërimit, siç janë sirenat, me mënyrat digjitale siç janë aplikimet në smartfonë.