"Shuplakë për demokracinë" - Reforma elektorale në Hungari
28 Nëntor 2012Në bazë të rregullit të ri zgjedhësit e Hungarisë në të ardhmen duhet të regjistrohen, nëse duan të marrin pjesë në votime. Sipas mazhorancës reforma elektorale synon ta lehtësojë përpilimin e listave elektorale. Partitë parlamentare në opozitë e kritikojnë detyrimin për regjistrim si një masë për kufizimin e kamufluar të së drejtës së votës, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, ajo më pak e arsimuar dhe ajo e pavendosur do t'u qëndrojë larg kutive të votimit. Aktvisti i të drejtave civile dhe kryetar i lëvizjes joqeveritare "Shoqata Milla", Péter Juhász, në bisedë për DW e quan reformën elektorale si "një përpjekje të kryeministrit Viktor Orbán dhe partisë së tij, për ta sanksionuar në mënyrë administrative fitoren".
Në bazë të rregullores, që u miratua të hënën (26.11.), zgjedhësit çdo katër vjet ose duhet të regjistrohen duke u paraqitur personalisht në zyrën përkatëse të qarkut apo të komunës, ose duke lëshuar nënshkrimin në mënyrë elektronike - në rast se e kanë këtë mundësi - përmes internetit. Për regjistrimin elektronik përmes internetit qytetarët me të drejtë vote paraprakisht duhet të marrin lejen përkatëse personale për këtë lloj procedure. Regjistrimi duhet ketë përfunduar më së voni dy javë përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës. Ky regjistrim është i vlefshëm si për zgjedhjet parlamentare, ashtu dhe për ato lokale, në votimet për Parlamentin Evropian si dhe për referendumet popullore. Hungarezët që jetojnë jashtë vendit, rreth tre milionë pjesëtarë të minoritetit hungarez në Rumani, në Serbi, në Sllovaki dhe në Ukrainë, të cilët qysh nga viti 2010 kanë të drejtën e votës, mund të regjistrohen përmes korrespondencës me letër.
Krahas detyrimit për regjistrim për zgjedhësit, reforma elektorale sjell edhe kufizim të mundësive për fushatë elektorale: Partitë dhe kandidatët në të ardhmen nuk lejohen të bëjnë reklamë në radiot e televizionet private si dhe në gazetat lokale. Qysh vitin e kaluar në valën e reformës së sistemit elektoral u ripërcaktuan qarqet elektorale dhe numri i mandateve parlamentare u përgjysmua. Kritikuesit ngrenë shqetësimin, se në këtë mënyrë partitë e mëdha si ajo në pushtet do të jenë të favrizuara.
"Shuplakë për demokracinë"
Për reformën aktuale elektorale është debatuar prej muajsh në mënyrë kontroverse. Jo vetëm politikanët e opozitës, por edhe shumë juristë dhe ekspertë të së drejtës elektorale kritikojnë, se nuk ka një argumentim bindës për regjistrimin e detyruedhëm të zgjedhësve. Vende me të tilla rregulla si SHBA-ja nuk posedojnë një regjistër qendror, ndërkohë që në Hungari ka një të tillë.
Përfaqësues të partisë në pushtet i hodhën prerazi poshtë kritikat ndaj reformës elektorale përpara votimit në parlament. Deputeti i partisë Fidesz Gergely Gulyás tha, se është "i papranueshëm" cilësimi i reformës elektorale si antidemokratike dhe në kundërthënie me shtetin ligjor.
Nënkryetari i partisë socialiste (MSZP), József Tóbiás, e konsideron reformën elektorale si një "shuplakë për demokracinë". Kolegu i tij Tamás Harangozó u shpreh për një përpjekje "pedante dhe të marrë, për të influencuar rezultatin e zgjedhjeve". Partitë e opozitës demokratike në parlament dhe shumë shoqata të qytetarëve për ditët e javët e ardhshme kanë shpallur manifestime të reja proteste kundër reformës elektorale.
Orbani i trembet humbjes së pushtetit
Komentatorët e mediave kritike ndaj qeverisë e shohin reformën si një përpjekje të partisë në pushtet Fidesz, për të rikuperuar humbjet e dukshme të popullaritetit në dy vitet e fundit dhe për të siguruar afatgjatë rezultate të mira në zgjedhje. Ndërkohë që qeveria e Orbán kultivon një retorikë nacionalisto-populisto-antikapitaliste, ajo ndjek një politikë klasike dhe rigoroze kursimesh, prej së cilës vuajnë kryesisht shtresat e dobëta sociale dhe pensionistët. Kjo ka bërë që Fidesz në sondazhe të pësojë humbje të forta. Nëse aktualisht do të bëheshin zgjedhje ajo nuk do ta arrinte më shumicën e dy të tretave.