1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanz IWF Weltbank

26 Prill 2010

Në Uashington përfundoi më (25.04.2010) takimi i pranverës së FMN-së dhe Bankës Botërore. Në qendër të diskutimeve ishin ndihmat e FMN-së për Greqinë dhe reformat e sistemit financiar dhe bankar.

https://p.dw.com/p/N62B
Dominique Strauss-Kahn, majtas, duke folur në takimin e pranverës së FMN-së dhe të Bankës Botërore në Uashington
Dominique Strauss-Kahn, majtas, duke folur në takimin e pranverës së FMN-së dhe të Bankës Botërore në UashingtonFotografi: AP

Dy tema minuan takimin e pranverës së FMN-së dhe të Bankës Botërore në Uashington. Mediet u përqendruan tek fakti që me rastin e Greqisë FMN-ja i ndihmon për herë të parë në historinë e saj një vendi të BE-së dhe të eurozonës. Ekspertët patën mosmarrëveshje për çështjen se si mund të kontrollohen në të ardhmen më mirë sistemi i financave dhe i bankave dhe ndarja e kostove për rastet e krizave.

Dominique Strauss-Kahn, Drejtori i FMN-së, u përpoq që t'u hiqte grekëve frikën prej kushteve tejet të forta me të cilat lidhen kreditë që jep FMN-ja. Nuk ka pse të keni frikë nga FMN-ja, tha ai, ne përpiqemi t'ju ndihmojmë. Gjithësesi ai nuk dha detaje në lidhje me bisedimet. Por në këtë mes një pikë është e qartë: Greqia nuk shpëton dot pa kushte të tilla si një kurs strikt konsolidimi, shkurtime në sektorin e shërbimit publik dhe zbatimi në praktikë i një sistemi efektiv taksash - dhe kjo është një gjë e mirë. Sepse po të mos ndodhë kjo atëhere 30 miliardë eurot me të cilat do të ndihmojnë vendet e euros Greqisë si dhe 15 miliardët e premtuara nga FMN-ja do të ishin vetëm një pikë ujë mbi një gur të nxehtë dhe më e vonta pas një viti do të hapeshin vrima të reja.

Ndonjë politikani evropian ndoshta nuk i pëlqen që me anë të FMN-së, amerikanët, të cilët kanë në këtë institucion peshën më të madhe të votave, mund të thonë fjalën e tyre brenda eurozonës. Por kjo është koketëri e gabuar, sepse FMN-ja është organizatë e OKB-së dhe të gjithë anëtarët që paguajnë në këtë fond duhet të kenë të drejtë që të përfitojnë kur janë në nevojë. Veç kësaj FMN-ja ka edhe përvojën dhe para së gjithash mekanizmat për realizimin e reformave, që u mungojnë vendeve të euros.

Një gjë gjithësesi është e qartë që sot: Drejtori i FMN-së Strauss-Kahn del si fitues prej krizës së borxheve: rasti i Greqisë e ngre ndjeshëm pushtetin dhe prestigjin e tij. Gjithësesi parë në një fushë tjetër ky konstatim nuk vlen. Strauss-Kahn është shprehur që herët për një taksë për bankat. Në mëynrë që sistemi financiar të marrë pjesë në kostot për krizën. Ndoshta shumë herët. Sepse në lidhje me këtë taksë mendimet janë të ndryshme. Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA e duan, kurse vende te tjera ndër to Kanadaja, Japonia, India dhe Australia janë kundër saj. Dhe ato kanë argumenta të mirë për këtë: disa vendeve u duhej t'i shpëtonin bankat me ndihma në miliarda prej parave të mbledhura prej taksave, disa vende të tjera nuk patën nevojë ta bënin këtë. Pastaj ka vende që me anë të një takse penale dëshirojnë që t'i mbledhin sërish një pjesë të kostove të shkaktuara nga kriza, kurse vende të tjera të G20, si Gjermania, duan që të grumbollojnë në një fond për krizën para për raste të tjera problematike dhe të pengojnë bizneset me risk.

Në takimin e pranverës së ministrave të Financave të vendeve të G20 në Uashington nuk u arrit të merrej ndonjë vendim. Fjala taksë ndaj bankave as që shfaqet në deklarataën përfundimtare. Tani pritet që në një takim të G20 me vendet në ekspansion që do të zhvillohet në muajin qershor në kanada të merret një vendim - në rast se arrin të merret një i tillë. Sepse ndërkohë koniuktura ka marrë sërish hov, bankat janë duke nxjerrë sërish fitime në miliarda dhe nepër bursa po kapërcehen sërish nivelet më të larta. Me fjalë të tjera harku kohor gjatë së cilës manaxherët e bankave dhe xhonglerët financiarë të kësaj bote mund të binden se kontrolli më i mirë dhe një pjesëmarrje e përshtatshme në rastin e rreziqeve është i arsyeshëm po bëhet gjithnjë e më i vogël. Shumë i janë kthyer sërish rendit të zakonshëm të ditës dhe bëjnë sikur nuk ka pasur ndonjë krizë financiare. Për këtë G20, e cila e kishte shpallur veten si shpëtimtare nga kriza, gjendet ende përpara provës së vërtetë.

Autor: Rolf Wenkel/Pandeli Pani

Redaktoi. Angjelina Verbica