Shumë deklarata pa garanci realizimi - Marrëveshja e koalicionit mes CDU/CSU dhe FDP-së
26 Tetor 2009Në gazetën FRANKFURTER RUNDSCHAU lexojmë:
"Marrëveshja e koalicionit midis unionistëve dhe liberalëve të FDP-së është përpjekja për të gjetur një gjuhë bazë të përbashkët për katër vjetët e ardhshme. Një moto vetjake, të deklaruar për këtë, megjithatë e kërkon më kot... Në vitin 2005 Merkeli këndoi këngën e ecjes me hapa të vegjël. Pasi në krizë ju desh të vishte çizmet e marshimeve të gjata, tani ajo kthehet në llojin e komunikimit të preferuar prej saj. Koalicioni shumë hapa i deklaron pa garanci realizimi, ngre komisione ose lë të hapura afate. Edhe kjo tregon, se unionistët dhe liberalët e FDP-së nuk kanë në mendje një projekt me ngjyrat përkatëse të partive "zi dhe gjelbër", por se e ndiejnë të nevojshme të mbledhin veten për të ecur përpara. Në këtë mënyrë, megjithatë, marrëveshja e koalicionit është edhe një prove ekuilibri e spostuar në të ardhmen për aftësinë drejtuese të kancelares."
Ja edhe mendimi i gazetës BILD AM SONNTAG:
"Angela Merkel, Guido Vestervele dhe Horst Zehofer me kabinetin e ri e bënë më laramane republikën. Një djalë jetim nga turbullirat e luftës së Vietnamit bëhet Ministër i Shëndetësisë. Një homoseksual i shpallur bëhet zëvendëskancelar dhe ministër i Jashtëm. Një grua me origjinë nga Lindja e Gjermanisë arrin të rizgjidhet si Kancelare. Një grua me shtatë fëmijë mbetet ministre e Familjes. Dhe një burrë 67-vjeçar në karrocë invalidi bëhet ministri i Financave më i rëndësishëm i Evropës. Konceptet konservator dhe liberal, i majtë dhe i djathtë nuk kanë më bazë përballë ndryshimeve shoqërore. Ajo që padyshim nuk ka ndryshuar: një qeveri mund të bëjë politikë të mirë ose politikë të keqe."
Autor: Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani