1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB-ja nuk e mban përgjegjësinë për romët në Kosovë

30 Maj 2017

Në një artikull të saj të martën, "Neue Zürcher Zeitung" shkruan, se nuk ka dëmshpërblim për romët në Kosovë pas një vendimi të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres.

https://p.dw.com/p/2doPV
Kosovi Sinti und Roma Kind in Flüchtlingslager in Mitrovica
Jeta e vështirë e romëve në veriun e KosovësFotografi: AP

"Neue Zürcher Zeitung" i kushton vëmendje çështjes së romëve të dëbuar që u vendosën nga Unmik-u në toka të kontaminuara me plumb në Mitrovicë. Në bazë të një vendimi të Komisionit për të Drejtat e njeriut të misionit të OKB-së në Kosovë, Unmik, në shkurt 2016, vendosja e romëve në Mitrovicë ka qenë jolegjitime dhe se romët kishin të drejtë për dëmshpërblim dhe kërkim ndjese. Romët pritën një vit.

Një çështje që mbeti pezull, deri në shkurt 2017, "kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres vendosi...se nuk do të ketë as ndjesë dhe as dëmshpërblim. Në vend të kësaj OKB-ja do të mblidhte fonde për projekte ndihme për romët në Mitrovicë e përreth."

NZZ kritikon këtë vendim të OKB-së, duke theksuar se ata që vuajnë janë familjet rome, që në vitin 1999 u dëbuan nga vendqëndrimet e tyre në bregun jugor të lumit Ibër nga shqiptarë të armatosur. "Pikërisht këtu Unmik-u ngriti kampe provizore për rreth 600 persona. Por askush nuk e di pse ato u ngritën as 200 metra larg grumbujve me mbeturina industriale të një fonderije plumbi."

Unmik e dinte që në vitin 2000, që trualli në këtë ambient ishte i ndotur, sidomos për fëmijët, vëren NZZ. Sëmundjet dhe vdekjet u shtuan si pasojë, vazhdon NZZ, por kampet provizore u shtuan. "Romët u zhvendosën në vitin 2006, në ish-kampin ushtarak, Osterode. Nuk është e kuptueshme, se pse zgjati 11 vjet, derisa një pjesë e familjeve rome të rikthehej në zonën e rindërtuar në bregun e Ibrit."

NZZ e mbyll artikullin e saj me qëndrimin kritik, se romët, që nuk kishin se ç'të fitonin në konfliktin mes serbëve dhe shqiptarëve u harruan në tokën e helmuar të Mitrovicës.

Ndërsa në një artikull tjetër, gazeta shkuran për përhapjen e racizmit në Evropë. Në këtë kontekst përmenden sulmet ndaj familjeve turke në Gjermani, para 24 vitesh - si pasojë e armiqësisë ndaj të huajve. "Ne shohim për fat të keq, se në botën perëndimore po përhapet racizmi, armiqësia ndaj të huajve dhe armiqësia ndaj botës islame", citohet të ketë kumtuar Ministria e Jashtme e Turqisë. Sipas saj, nga sulmi në Solingen të Gjermanisë kanë kaluar 24 vite, por ende nuk janë gjetur aktorët e sulmit ndaj familjes turke.