Shtypi gjerman për rezultatin e zgjedhjeve në Bavari
28 Shtator 2008Rezultatin e zgjedhjeve në landin e Bavarisë, gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e komenton:
"Në hapje të festës së 175-të të tetorit, Gynter Bekshtajni eci dy herë me pajton përgjatë Maximilianstrasse të Mynihut. Këtë e kanë bërë edhe kryeministra të tjerë, por te ai kjo ra veçanërisht në sy dhe kjo jo vetëm për shkak të kostumit karakteristik të së shoqes. A mos po ecën atje njëri lëndinave, sepse përballë rezultateve mizerable të sondazheve nuk e di, nëse kjo do të jetë hera e fundit për të? Një të diel më vonë erdhi më keq se ç'pritej. CSU-ja arriti rezultatin e saj më të keq që prej 50 vjetësh dhe e humbi shumicën absolute në parlamentin e Bavarisë. Aureola e partisë së përjetshme që përfaqëson qeverinë mori fund. Dyshja drejtuese Bekshtajn/Huber përjetoi vetëm një vit pas shkarkimit të Shtojberit, Vaterlonë e saj."
Ja edhe mendimi i komentatorit të FRANKFURTER RUNDSCHAU:
"Po dridhen malet. Rezultati në zgjedhje për raportet bavareze është i barabartë me një revolucion. Gynter Bekshtajni dhe Ervin Huberi do të hyjnë në histori si dyshja, e cila jo vetëm rrëzoi Edmund Shtojberin nga froni, por që e rrëzoi të gjithë partinë në normalitetin e trishtuar të "sukseseve në zgjedhje" në Gjermani. Fundi i identitetit midis Bavarisë dhe CSU-së u vendos me vulë. Por të gjitha partitë, me në krye të mëdhatë, duhet të mësojnë: koha e parullave " për të gjithë ofrojmë diçka" ka marrë fund. Natyrisht që ato mund ta ngrenë pretendimin se duan më të mirën për të gjithë. Por ato do të detyrohen të thonë se kujt i shërben më shumë politika e tyre konkrete dhe kush paguan për të."