1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohen tensionet në Luginën e Preshevës

Bahri Cani4 Janar 2013

Vendosja e përmendores së UÇPMB-së në Bujanoc, e ka rritur tensionin në Luginën e Preshevës. Boegradi ka kërkuar heqjen e përmendores, ndërsa shqiptarët refuzojnë.

https://p.dw.com/p/17EGL
Proteste in Bujanovac, Sued Serbien. ***Foto: Milica Ivanovic, Septembre 2011, Serbien
Proteste in Bujanovac Süd SerbienFotografi: DW

Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe të OSBE-së do të takohen së shpejti në Beograd me autoirtetet e Serbisë, në përpjekje për të evituar tensionet e mëtejshme rreth përmendores së UÇPMB-së në Bujanoc. Mediat serbe njoftojnë se ambasadorët do të bisedojnë edhe me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës për të gjetur një kompromis.

Daçiq kërkon prishjen e përmendores

Kryeministri i Serbisë, njëkohësisht dhe ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq u ka kërkuar shqiptarëve të Luginës që ta heqin vet këtë përmendore. Autoritetet e Serbisë kanë vënë si afat për largimin e përmendores më 17 janar, kur në Bruksel duhet të vazhdojnë negociatat mes kryeministrave të Serbisë Daçiq dhe të Kosovës Hashim Thaçi. Në rast të kundërt Daçiq dhe presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq kanë deklaruar, se autoritetet e këtij shteti do ta heqin përmendoren me dhunë, që do të mund të rezultonte edhe me incidente. Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës thonë se "nuk ka pasur dhe nuk do të ketë negociata me Beogradin për ndonjë model të mundshëm për heqjen e monumentit".

Shqiptarët me qëndrime të ndryshme

Gazeta "Danas" shkruan se deri tani nuk ka ndonjë qëndrim unik mes shqiptarëve se çfarë do të ndodhë, në qoftë se autoritetet vendosin që ta heqin me dhunëpërmendoren. Disa përfaqësues të shqiptarëve thonë se do të ketë protesta masive, ndërsa të tjerët se "do të veprohet njësoj si në Kosovë me përmendoret serbe." Analistët e Luginës pohojnë se "prishja e përmendores do të mund t'i dëmtonte marrëdhëniet e brishta ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në këtë rajon".

Autoritetet e Serbisë pohojnë se përmendorja me emrat e 27 të vrarëve gjatë luftës në Luginë paraqesin "një provokim të terroristëve shqitparë". Ndëkrohë që shqiptarët me këtë përmendore nderojnë heronjt e tyre, të rënë para 12 vitesh. Konflikti i armatosur përfundoi para 12 vjetësh me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe BE-së, por shumë probleme kanë mbetur pa u zgjidhur.