1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtete policore në kufijtë e jashtëm të Evropës - Në prag të zgjedhjeve në Bjellorusi dhe Ukrainë

Ute Shefer10 Tetor 2004

Monarkistë mesjetarë në mes të Evropës? Fqinjë të rinj me dhespotë që nuk e lëshojnë postin deri në vdekje dhe që kanë për qëllim kthimin në të kaluarën sovjetike? Ky rrezik ekziston. Në Bjellorusi votohet për vazhdimin e mandatit të Aleksandër Lukashenkos, në Ukrainë në fund të tetorit zgjidhet një president i ri dhe pas gjashtë muajsh në Moldavi ka zgjedhje parlamentare.

https://p.dw.com/p/ArGA

Në sfondin e vendosjes së piketave politike gjatë javëve të ardhëshme në fqinjët e rinj të BE-së, shtrohet pyetja, se ç´qëndrim do të mbajë Evropa ndaj fqinjëve jodemokratikë në Lindje.

Regjimet në fqinjët lindorë të BE-së po i kthejnë vendet e tyre në epokën e hekurt sovjetike. Kjo vlen si për Republikën e Moldavisë ashtu edhe për Bjellorusinë. Presidenti Aleksandër Lukashenko e ka izoluar vendin e tij. Bjellorusët nuk kanë asnjë shans që të mësojnë dicka për Evropën nëpërmjet medieve. Kush të mundet largohet nga vendi. Kanë kaluar 10 vjet me Lukashenkon në pushtet dhe pothuajse askush nuk ka më shpresa për një ndryshim politik. Ish-drejtori i kolkozeve, që preferon të vishet me uniformën e një marshalli, nga pamja e jashtme të kujton Brezhnjevin. Qëllimi i shpallur i Lukashenkos është risovjetizimi i vendit.

Në këtë drejtim ai ka ecuar mjaft. Parlamenti në Minsk nuk ka ansjë kompetencë. Medie të lira nuk ekzistojnë. Një sërë politikanësh opozitarë janë zhdukur gjatë viteve të shkuara. Nëpër universitete është futur sërish lënda e "formimit ideologjik", nëpër ndërmarrje duhet të ketë një në dhjetë punëtorë që të jetë i ngarkuar për cështjet ideologjike. Shërbimi sekret vazhdon të jetë i emërtuar KGB dhe njerëzit e këtij shërbimi ndodhen kudo. 10% rritje ekonomike ka deklaruar Lukashenko këtë vit, por kjo shifër është thjeshtë e fantazuar, sepse nëpër statistikat e ekonomisë së planifikuar bjelloruse as që regjistrohen sektorët jo rentabël.

Bjellorusia ndodhet në rrugën e shtetit policor, paralajmërojnë opozitarët e fundit që kanë mbetur në vend. Këta kritikojnë me shumë të drejtë faktin që Evropa ende nuk ka gjetur ndonjë strategji të përbashkët kundrejt këtij regjimi të padrejtë. Ndërkohë që Rusia në të tria shtetet bën poliitkë aktive, qoftë si ndërmjetësues në konfliktin e Transnistrien, në blerjen e ndërmarrjeve rentabël bjelloruse apo në fushatën elektorale ukrainase, as që bie në sy politika e Evropës.

Për të qenë e kujdesshme ndaj Moskës, Evropa qëndron e tërhequr, kritikon opozita në këto tri shtete. Nga njëra anë ata kanë të drejtë, por ka edhe arësye të tjera: Evropa thjeshtë nuk di se ç´qëndrim duhet të mbajë ndaj regjimeve e padrejta të vendeve fqinjë. Brukseli shpreson qysh prej vitesh më kot që të ketë ndonjë kthesë të shpejtë. Tashmë Brukselit do t´i duhet që të ambjentohet me fqinjët jodemokratikë.

Eshtë e rëndësishme që Evropa të ketë një pozicion të qartë dhe të prerë. Kjo do të thotë, që shoqëritë të mbështeten si nga pikëpamja financiare edhe nga ajo strukturore duke kufizuar përfaqësuesit e regjimeve autoritare pikërisht aty ku u dhëmb atyre: në komoditetin personal që kanë fituar ata. P.sh. përse duhet që presidenti bjellorus të marrë çdo vit vizë për në Austri, ku ai kalon pushimet dimërore për ski? Kthesa politike në Republikën e Moldavisë apo në Bjellorusi nuk mund të ndodhë nga humanizimi dhe dashuria për tjetrin, por nga përgjegjësia për popullin që po varfërohet gjithnjë e më shumë.

Por sanskionet nuk janë gjithcka; duhet edhe iniciativa e politikanëve evropianë. Nëse në Ukrainë pavarësisht nga fushata jo korrekte elektorale do të fitojë kandidati i opozitës për president Viktor Jushtshenko, atëherë Brukseli duhet ta mbështesë kthesën politike në Ukrainë, në mënyrë që t´u tregojë edhe fqinjëve të tjerë, se demokracia ia vlen.

Shtetet fqinjë të Evropës janë të rrezikshme. Ato eksportojnë rreziqe në fushën e sigurisë kryesisht në drejtim të Perëndimit. Nga 47 milionë ukrainas rreth 7 milionë jetojnë në botën perëndimore legalisht ose ilegalisht. Firmat bjelloruse shesin armë në të gjithë botën. Ukraina zë vendin e parë si pikë tranziti e armëve dhe drogës. Një politikë konseguente e Brukselit kundrejt fqinjëve të rinj është e domosdoshme pra jo vetëm për kthesën demokratike në këto vende, por edhe për interesin e vet Evropës.