Shkup: Reagimet ndaj zhvillimeve në veri të Kosovës
25 Shtator 2023Shtatë shtetasit maqedonas që ndodheshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, ku ndodhi sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të hënën (25.09.2023) të shoqëruar nga policia kosovare u kthyen në Maqedoninë e Veriut. Njoftimi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sipas të cilit shtetasit maqedonas janë lënë të lirë pas intervistimit dhe analizave të tjera nga Policia e Kosovës.
"Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga Policia e Kosovës, sot në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga Policia e Kosovës. rrethanat, në të cilat u gjendën, ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë”, njoftoi Osmani. Ai nuk dha detaje të tjera mbi qëndrimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në afërsi të Manastirit në Banjskë.
Kovaçevski: Rajonit i duhet përshpejtim në integrime euroatlantike
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në prononcimin e tij për situatën në veri të Kosovës, vlerësoi, se rajonit nuk i duhen situata destabilizuese.
"Apeloj për uljen e tensioneve të ngjarjeve në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë paqësore dhe demokratike. Përshpejtimi i integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor është vendimtar, është e vetmja mënyrë për të siguruar progres dhe stabilitet në rajon, si dhe reduktimin e ndikimit të palëve të treta destabilizuese. Rajoni duhet të ecë përpara, qytetarët meritojnë prosperitet, një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese”, deklaroi Kovaçevski. Ai tha, se situata e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është e qendrueshme dhe se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësime.
"Të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë po monitorojnë me vigjilencë situatën. Sipas informacioneve të shkëmbyera ndërmjet shërbimeve të inteligjencës në vend dhe informacioneve të marra nga shërbimet e aleatëve tanë në aleancën e NATO-s, nuk ka indikacione që tregojnë për shkelje të sigurisë në Maqedoninë e Veriut”, vlerëson kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani e dënoi sulmin ndaj policisë së Kosovës, ku si pasojë mbeti i vrarë një polic.
"Dënoj fuqishëm vrasjen e policit në detyrë në veri të Kosovës. Ky akt dhune duhet të hetohet dhe të ndiqet tërësisht. Stabiliteti dhe siguria e Kosovës nuk do të cënohet nga aktet e dhunës. Siguria e qytetarëve është e para”, ka thënë ministri Osmani.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi e ka cilësuar situatën në Banjskë si zhvillim të paramenduar e destabilizues dhe ka thënë se vepimet e tilla janë të papranueshme.Veprimet në veri të Kosovës janë tentativë për të nxitur krizë dhe konflikt me pasoja mbi paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.
"Apeloj për kujdes dhe maturi, arrestim të menjërshëm të vrasësve, stabilizim të situatës, vendosmëri në rikthimin e rendit dhe ligjit dhe koordinim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh Grubi.
Reagimet e partive politike për situatën në Kosovë
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti sulmin vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë e ka cilësuar si sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit.
"Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, ndaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri për arsye se pasojat mund të jenë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin. Këto zhvillime janë të papranueshme dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, garantues i paqes dhe pavarësisë së Kosovës, është i domosdoshëm dhe urgjent”, nënvizon kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
Partitë opozitare Alternativa, Besa dhe Lëvizja Demokratike veprimet në veri të Kosovës i vlersojnë si tregues të qartë se qëllimet dhe politikat e Serbisë janë të njëjta si të Rusisë, e cila për momentin kryen agresion në Ukrainë.
"Faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE, duhet të veprojnë që të mos lejojnë që në Ballkan të ndodhë një Ukrainë e dytë. Vlerësojmë se SHBA si partnere dhe mike kryesore e shqiptarëve dhe Kosovës por edhe BE, të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat e mundshëm që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s. Me këtë veprim do të ndalohet skenari për një Ukrainë të dytë, do të garantohet integriteti territorial i Kosovës si dhe do të sigurohet paqja në të gjithë rajonin”, thuhet në reagimin e partive politike opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut.