Shqipëri–Kosovë: Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij
2 Tetor 2020Rezultatet konkrete të këtij takimi, i gjashti mes dy qeverive që nga viti 2014, tregojnë vullnet politik në rritje të Shqipërisë dhe Kosovës drejt synimit në perspektivë, që shpreh logoja e këtij takimi: "Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij”.
Në takimin që përfundoi të premten, (02.10), në Tiranë, mes Shqipërisë dhe Kosovës u nënshkruan 14 marrëveshje ndërqeveritare si dhe marrëveshje specifike mes ministrave përkatës të të dy vendeve.
Marrëveshjet ndërqeveritare kanë një diapazon të gjerë: që nga siguria dhe mbrojtja, ekonomia dhe lehtësirat doganore,shëndetësia dhe përballimi i COVID-19, krijimI I një korridori digjital me teknologjinë 5G mes dy vendeve, bashkëpunim në kulturë dhe sport.
Ndër marrëveshjet e nënshkruara të premten bën pjesë edhe ajo për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës.
Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti e vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjeve ndërqeveritare si "hyrjen në një fazë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë me qëllim lehtësimin e funksionimit të jetës së qytetarëve dhe të bizneseve”.
Kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp vuri në dukje se nënshkrimi i tyre mund të ishte bërë kohë më parë, por ishte penguar dhe anashkaluar nga "luftëra imagjinare që nuk ekzistojnë”, pa i përmendur ato.
" Sot Shqipëria dhe Kosova kanë vetëm një luftë: atë për zgjerim, zhvillim dhe integrim” tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp..
Porti i Durrësit: "de facto” edhe i Kosovës, edhe strategjik rajonal
Do të ndodhë së shpejti që porti i Durrësit të bëhet edhe port i Kosovës, bëri me dije kryeministri Rama në këtë konferencë shtypi.
"Ka filluar funksionimi i Zyrës Operative të Kosovës në doganën e Portit të Durrësit dhe aplikimi i funksionimit të një sistemi të ri të përbashkët doganor” tha ai.
Rama vuri në dukje firmosjen, javët e ardhshme, të marrveshjes për zbatimin e lehtësirave të ndërsjellta për procedurat doganore dhe kontrollin e hyrje-daljes së mallrave, gjë që e "shndërron portin e në një port "de facto” edhe të Kosovës, në një stacion të vetëm, ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë, nga pikëpamja legjislative dhe juridike do të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës” dha detaje ai.
Duke iu referuar marrëveshjes muajin e kaluar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në Adriatik ai tha se "shndërrimi i portit të Durrësit edhe në një port të Kosovës është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit që ky port të kthehet në një port strategjik, jo vetëm për të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, por edhe për atë rajonale” .
Schengen-i rajonal, Kosova dhe hapja e kufinjve në rajon
Krahas marrëveshjeve të firmosura takimi mes dy qeverive në Tiranë risolli temën e zgjerimit dhe të integrimi të tregjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe projektin e Schengen-it rajonal.
"Kjo nuk sjell në rajon asgjë të keqe, përkundrazi sjell më shumë ekonomi, punësim dhe mundësi për paqe apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore, që është njohja e Kosovës nga Serbia” - tha kryeministri Rama.
Ai tha pjesëmarrja edhe e Kosovës në projektin e Schengen-in rajonal mundëson heqjen e të gjitha barrierave kufitare. Pa këtë zhvillim Uashingtoni, Brukseli, por edhe Beogradi, do të ngrihen e thonë se po krijohet "Shqipëria e Madhe” tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konfirmoi në Tiranë se Kosova "do të ulet në tryezën e përbashkët të liderëve rajonalë si e barabartë për të diskutuar " nismën e Schengen-it rajonal, që është i përkohshëm, pasi interesi është një Schengen i plotë në BE”
Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, turp për BE-në
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën zuri vend përsëri në bisedimet Shqipëri-Kosovë. "Nuk di çfarë të besoj për liberalizimin e vizave, thjesht turp për BE-në. Një turp i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm. Jo se Kosova nuk i ka bërë detyrat, por se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme nga vendet e BE-së. Kosova duhet të presë si mbarojnë një palë zgjedhje në një vend dhe pastaj kur ka zgjedhje në një vend, kjo duket sureale.” - tha kryeministri Rama në takim.
Kurse kryeministri Hoti vendosi si prioritare kriteret për liberalizimin e vizave. "Mos ta shajmë shumë BE-në por të mbajmë të plotësuara kriteret” tha ai.