1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Mbështetje për të prekurit nga tërmeti

Ani Ruci'
23 Shtator 2019

Përgatitje në Shqipëri për lëkundje potenciale tërmeti. Në stadiumin e Durrësit ushtria përfundoi vendosjen e ҫadrave, në dispozicion veç stadiumeve janë vënë edhe shtëpi pushimi e kampuse.

https://p.dw.com/p/3Q4gQ
Albanien Tirana nach dem Erdbeben
Fotografi: DW/A. Ruci

Dy ditë pas rënies së tërmetit 5.8 ballësh të shtunën e kaluar (21.09.2019), kryefjala e ditës në Shqipëri vazhdon të jetë mbështetja ndaj qytetarëve që u plagosën dhe familjeve që pësuan dëme materiale, shumica në qarkun e Durrësit dhe Tiranës dhe kaluan natën e të shtunës në qiell të hapur.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes, thanë për Deutsche Wellen, se situata paraqitet e stabilizuar. Nga 132 persona që u lënduan nga tërmeti dhe u shtruan në spitale, 122 kanë dalë të dielën. Ndërsa 10 të tjerë vijojnë të marrin ndihmë  mjekësore. Shtabet lokale të Emergjencave Civile, në qarkun e Durrësit dhe të Tiranës, nisën të dielën të evidentojnë dëmet e shkaktuara në banesat e qytetarëve dhe bizneset e tyre. Deri tani rezultojnë 293 banesa të dëmtuara, 5 shkolla, 1 qendër shëndetësore, disa automjete si edhe 1 urë. Tërmeti nuk preku rrugët, autostradën Durrës-Tiranë dhe as puset e naftës në zonën e

Fierit.

Albanien Tirana nach dem Erdbeben
Fotografi: DW/A. Ruci

Masa jo të zakonshme, për një tërmet jo të zakonshëm

Kryeministri, Edi Rama ka dhënë urdhër për marrjen e të gjitha masave për të përballuar një goditje tjetër, të parashikuar nga sizmologët  më të ulët, se ajo që shkaktoi dëme. Në takimin që zhvilloi dje ( 22.09) kryeministri Rama me ministrat e tij, deputetët e Partisë Socialiste dhe autoritetet lokale në gjithë vendin e cilësoi " jo të zakonshëm tërmetin e 21  shtatorit. "Paniku ka kaluar. Tërmeti është në psikologjinë e njerëzve akoma. Nuk jemi në kushtet e rrezikut eminent. Çdo shtëpi e prekur të ketë dosjen e vet, të firmoset dhe të kalojë për trajtim tek emergjencat për fazën e rehabilitimit. Tërmete si ato të shtunës nuk janë të zakonshëm në Shqipëri”, theksoi Rama.

Për një tërmet jo të zakonshëm, masat që po merren janë gjithashtu jo të zakonshme. Për të mbështetur familjet e prekura dhe marrë masa për të përballuar lëkundje potenciale në vijim në qarkun e Durrësit, ushtria u dislokua me automjetet e saj ushtarake në qytetin bregdetar. Në stadiumin e Durrësit ushtria përfundoi vendosjen e ҫadrave, me një kapacitet prej 30 personash në secilën prej tyre. Shtëpitë e pushimit, në administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme, janë vënë në dispozicion të qytetarëve derisa të riparohen banesat e tyre të dëmtuara. Çadra janë vendosur edhe në zonat periferike të Tiranës krahas vënies në dispozicion të kampusit në qytetin Studenti.

Albanien Erdbeben
Fotografi: AFP/G. Shkullaku

Qëndra solidariteri u ngritën të dielën në Durrës, Tiranë dhe qarqe të tjera, të prekura më pak nga tërmeti. Në një nga këto qëndra në Tiranë, të ngritur në sheshin „Skandërbe" familjeve të prekura u ofrohen ushqime dhe informacion për t'u drejtuar tek institucionet lokale për ҫdo problem që kanë.

Mbrojtja Civile e BE ofron ndihmë të Shqipërisë

Komisioneri i Zgjerimit në largim, Johannes Hahn, që në Komisionin e ri Europian do të merret me ҫështjet e Buxhetit dhe të Administratës, në një status në median sociale i quan “serioze lëndimin e më shumë se 100 personave dhe dëmet në infrastrukturë prej tërmetit të 21 shtatorit. BE i ofron menjëherë ndihmë Shqipërisë përmes Mekanizmit të tij të Mbrojtjes Civile” thekson në Hahn.

Në ditët në vijim, sipas sizmologëve priten lëkundje të tjera, më të lehta pas tërmetit të 21 shtatorit, me epiqëndër në Detin Adriatk, në veri të Durrësit, në Kepin e Rodonit. Infrastruktura e ngritur ofron daljen nga banesat të qytetarëve në zonat  ku tërmeti i 21 shtatorit i zbuloi si më të rrezikuarat.