1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Mbyllet pa incidente protesta e opozitës

21 Shkurt 2019

Protesta masive e opozitës, përballë Parlamentit, të enjten (21.02.) përfundoi pas tri orësh, pa incidente dhune. Disa fishekzjarre dhe bomba molotov nuk arritën të përhapen dhe të dominojnë protestën.

https://p.dw.com/p/3DoDM
Albanien, massiver Protest der Opposition vor dem Parlament
Fotografi: DW/A. Ruci

Mijra mbështetës të opozitës, të ardhur në Tiranë nga gjithë Shqipëria, kërkuan përsëri largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për t'i dhënë fund asaj që opozita e quan " qeveri të korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Atmosfera e protestës ishte ndryshe nga ajo e protestës së 16 shkurtit kur protestuesit qëlluan me gurë godinën e kryeministrisë dhe policinë, i vunë zjarrin pemëve,  shkatërruan veprën artistike të artistit të famshëm gjerman Carsten Hӧller, "Kërpudha gjigande” të vendosur në kopshtin e kryeministrisë. Policia nuk përdori të enjten as gaz lotsjellës dhe as plumba gome ndaj protestuesve. Por gazetarët dhe fotorepertorët vendosën maska kundër gazit pas hedhjes së disa bombave Molotov nga protestuesit. Thirrjet paraprake të BE, ambasadores gjermane në Tiranë, Schütz,  SHBA dhe OSBE-së për të hequr dorë nga dhuna duket se kësaj here patën efekt tek organizatorët e protestës për të frenuar protestuesit në kryerjen e akteve të ngjashme të dhunës, nisur nga deklarata publike në prag të protestës se do të "shkatërronin Parlamentin”.

Albanien, Sporadische Gewaltakte auf Oppositionsprotest in Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Por vendimtare në shmangien e akteve  të rënda të dhunës në një protestë masive me mijëra protestues duket se ka qënë deklarata e përbashkët e Përfaqësues së Lartë të BE per Politikën e Jashtme Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, pikërisht ditën e zhvillimit të protestës. " Riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t'u angazhuar në demostrata paqësore si një tipar dhe vlerë thelbësore e demokracisë, por ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga drejtues politikë që bëjnë thirrje për dhunë”, theksuan Mogherini dhe Hahn në ditën e zhvillimit të protestës së opozitës  para Parlamentit. Të njëjtin mesazh dhanë të enjten (21.02) edhe SHBA, Ambasada Amerikane në Tiranë në deklaratën e saj bëri të qartë që ”nuk do të pranojë asnjë akt dhune dhe asnjë ndryshim politik që vjen si pasojë e kërcënimeve. Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar që debati politik të zhvendoset nga rruga në Parlament.

65 deputetë të opozitës hoqën dorë nga mandatet parlamentare

Që nga dita e sotme liderët e opozitës dhe grupet e tyre parlamentare do të jenë ish-deputetë. Pjesë e protestës ishte edhe dorëzimi i mandateve parlamentare në Kryesinë e Parlamentit. Komisioneri i zgjerimit Hahn e dënoi këtë veprim duke e cilësuar një veprim  që "dëmton demokracinë dhe minon përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE”.  Pas protestës së të enjtes, Parlamentit të Shqipërisë,  do t'i duhet të funksionojë vetëm me deputetët e maxhorancës, pasi 65 deputetët e opozitës dorëzuan në Kryesinë e Parlamentit, si pjesë e protestës së sotme, mandatet e tyre parlamentare. 74 deputetët e maxhorancës në Parlamentin prej 140 vendesh, do t'u duhet të zhvillojne seancat plenare pa  65 deputetët e opozitës për aq kohë sa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor, do t'i zëvendësojë ata me kandidatë që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe që janë në listat për kandidatë të PD dhe partive të tjera opozitare në  zgjedhjet e sipërpërmendura. Analistët politikë parashikojnë që në rast se kandidatë në listën e PD dhe LSI nuk do të pranojnë të jenë deputetë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, atëhere ka gjasa që të formohet një opozitë e re parlamentare me kandidatë të partive të vogla opozitare, që nuk arritën të futen në Parlament por që përfaqësohen nga  politikanë të njohur.

Kryetari i PD dhe ish-deputeti demokrat Lulzim Basha bëri me dije se opozita do të vazhdojë protestat antiqeveritare.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana