1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria 2015: retrospektivë e zhvillimeve kryesore

Arben Muka28 Dhjetor 2015

Shqipëria 2015: zgjedhjet lokale, fluksi i azilkërkuesve në Gjermani, vizita në Tiranë e kancelares Angela Merkel, kualifikimi i Shqipërisë në Evropianin “Francë 2016”, seria e protestave antiqeveritare të opozitës.

https://p.dw.com/p/1HUXc
Albanien Tirana Skanderberg Platz
Fotografi: picture-alliance/robertharding

Që në ditët e para të janarit u dhanë sinjalet se viti 2015 do të ishte mjaft dinamik: thuajse zyrtarisht partitë kryesore politike shpallën hapjen e fushatës elektorale për qeverisjen lokale, sipas stilit shqiptar, që 6 muaj para zhvillimit të votimeve. Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj ndoqën strategjinë e konsiderimit të zgjedhjeve lokale si zgjedhje politike, kurse aleanca PS – LSI në qeverisje u orientua në favor të konfirmimit për vijimin e reformave dhe të ruajtjes së fitores bindëse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Në javët e para të 2015-s mbërriti në Tiranë ambasadori i ri SHBA-së, Donald Lu, i cili ka preferuar që në publik të flasë shqip dhe në akord me diplomatë të tjerë të rëndësishëm përendimorë të akredituar në Shqipëri krijoi një “pol” tejet aktiv në nxitjen e reformave, veçanërisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit, demkriminalizimit të politikës dhe administratës së lartë, reformës në drejtësi etj.

Muaji i dytë i vitit 2015 vërtet ishte më i shkurtri, por ka qenë më i nxehti në atmosferën e politikës së brendshme. Një deputet i shumicës ngriti akuza shumë të rënda për kreun e parlamentit Ilir Meta, sipas tij, për tentativë për eliminim fizik. Siç ndodh me shumicën e akuzave e kundërakuzave në Shqipëri rezultoi se gjithçka e pretenduar ishte thjesht sajesë. Gjithësesi ky rast trazoi ujërat në rradhët e koalicionit të majtë në prag të zgjedhjeve lokale.

Marsi dhe prilli ishin muajt ku energjitë kryesore u shpenzuan për përcaktimin e koalicioneve zgjedhore. Në garën për Tiranën u ravijëzua superpërballja Erion Veliaj nga koalicioni i majtë dhe Halim Kosova nga koalicioni opozitar. Ndërkohë që afrimi i partisë së çamëve, PDIU, me grupimin politik të kryeminstrit Edi Rama, provokoi largimin drejt opozitës të partisë që mbron më së shumti interesat e minoritetit grek, PBDNJ.

Nga agjenda diplomatike e majit veçohet vizita në Tiranë e kryeminstrit serb Aleksandër Vuçiç. Ndryshe nga vizita e homologut të tij Edi Rama në Beograd, që u mbisundua nga kontraktimi dhe dogmatizimi, dy politikanët reflektuan më shumë nota bashkëpunimi bilateral dhe multilateral, për një erë të re komunikimi dhe konkretizimi të projekteve me interes reciprok, në favor të objektivit të përbashkët për integrimin evropian.

Zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015 nxorën më shumë fitues të majtë për drejtimin në katër vitet e ardhshme të bashkive në të gjithë vendin, 45 nga 61 gjithsej. Demokratët arritën të paktën të kënaqen me surprizat e fitores disa “bastione” të majta, si Pogradeci, Përmeti, Lezha e Selenica. Fitorja bindëse e koalicionit të majtë u shtri edhe në disa “bastione” të djathta, si Hasi, Malësia e Madhe dhe Puka. Risi tjetër ishte se votimet u kryen për herë të parë sipas ndarjes së re administrative, por do të mbahen mend dhe për kohën më të shkurtër të shënuar ndonjëherë për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar, apo si votimet me numrin më të ulët të kontestimeve nga subjektet dhe kandidatët garues.

Në muajin korrik në Tiranë mbërriti kancelarja gjermane Angela Merkel, me një agjendë diskutimi me zyrtarët më të lartë shqiptarë që u dominua nga shqetësimi për rritjen e fluksit të azilkërkuesve. Kancelarja ishte e drejtëpërdrejtë kur deklaroi se “Shqipëria nuk është vend, azilkërkuesit e të cilit do të njihen nga Gjermania si azilantë. Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe Shqipëria mund ta ofrojë këtë”. Merkel e lidhi aspektin e azilkërkimit me procesin e hapjes së negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE. “Le të flasim hapur, nga njëra anë kërkojmë të hapim negociatat e antarësimit dhe nga ana tjetër kemi qytetarë që kërkojnë azil ekonomik?!”, vuri në dukje Kancelarja dy dinamika zhvillimesh të cilat nuk mund të ecin bashkë.

Muaji gusht nuk ishte vetëm një muaj vakancash. Marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës dhe Athinës regjistruan tension nga shkaku i prishjes së një objekti në bashkinë e Dhërmiut në jug të vendit. Një grup banorësh, besimtarë ortodoksë, pretenduan se objekti që nga fillimi i viteve '90 shërbente si kishë. Fluksit të deklaratave pasionante nga Ministria e Jashtme në Athinë autoritetet shqiptare iu përgjigjën me paraqitjen e dokumenteve se ndërtimi i asaj që ishte shembur ishte pa leje dhe gjendej pikërisht në rrënojat e një objekti kulti të besimit katolik.

Me rifillimin e sesionit parlamentar në shtator opozita e djathtë dha sinjalet e një seriali protestash antiqeveritare. Korrupsioni dhe dekriminalizimi i politikës dhe administratës në të gjitha nivelet u artikuluan si kauza kryesore. Por mazhoranca i përshkruante këto qëndrime si heqje e vëmendjes ndaj problemeve të brendshme brenda PD-së dhe nga frika e opozitës për të miratuar reformën në drejtësi.

Në tetor toptemë e zhvillimeve në Shqipëri ishte performanca e kombëtares së futbollit, që zhvillonte dy ndeshjet e fundit për eleminatoret e Evropianit Francë 2016. Mbërritja e kombëtares serbe në Tiranë u shndërrua në një makth sigurie, aq sa shumëkush hamendësonte se ndeshja e kthimit Shqipëri – Serbi nuk do të arrinte të mbyllte 90 minutat në stadiumin e Elbasanit. Një gur i hedhur në autobuzin e lojtarëve serbë shkaktoi një seri deklaratash nervoze mes dy vendeve, por të nesërmen gjithçka u pa si një “stuhi në gotë”, pasi nën masat e rrepta policore ndeshja nuk regjistroi asnjë incident të rëndë. Ekipi shqiptar i De Biazit pas një fitore je spektakolare disa ditë më vonë në Armeni arriti atë që konsiderohej si ëndër, kualifikimin për herë të parë për në finalet e një kompeticioni ndërkombëtar, duke qenë mes 24 ekipeve për në Evropianin Francë 2016.

Se sa shqetësim mbetet të jetë për autoritetet gjermane problemi i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, këtë e tregon dhe vizita e përsëritur brenda 4 muajsh në Tiranë e ministrit të Brendshëm federal, Thomas de Maizière. Në takimin me homolgun shqiptar Saimir Tahiri, ai foli hapur në nëntor kur tha se të gjithëve do t'u refuzohet aplikimi për azil dhe se ishte e papranueshme që shtetas nga Shqipëria pretendonin tek autoritetet gjermane se ishin të përndjekur politikisht. “Shqipëria është një vend i sigurtë i origjinës, Shqipëria ka një sistem demokratik, ndaj nuk ka arsye pse të pretendohet që këtu ekziston përndjekje politike. Shpesh shqiptarët vijnë në Gjermani duke qenë plotësisht të qartë për arsyet për të cilat ata kanë ardhur atje. Ata shprehen se e dinë të gjithë që nuk ia vlen të përmendet arsyeja e përndjekjes politike, por sepse ata janë aty për të kërkuar punë dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. E sigurt është që të gjithë këtyre do t'u refuzohet aplikimi për azil”.

Deutschland Abschiebung der Flüchtlinge nach Kosovo und Albanien vom Flughafen München
Aeroporti i Mynihut, policia gjermane shoqëron azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar në Gjermani gjatë kthimit të detyruar në atdheFotografi: Reuters/M. Rehle

PD, partia më e madhe e opozitës, shfrytëzoi 8 dhjetorin, një ditë simbolike për fillimin e procesit të rrëzimit të komunizmit 25 vjet më parë, për të organizuar një protestë antiqeveritare në bulevardin kryesor të Tiranës. Kredoja e saj ishte rezistenca deri në mosbindje civile për rrëzimin e qeverisë, për t'i hapur rrugë krijimit të një kabineti teknik kalimtar që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme. Protesta shënoi dhe akte dhune e vandalizmi, duke dëmtuar disa godina qeveritare, për të cilat SHBA dhe BE mbajtën një qëndrim të hapur kritik.

Megjithë tendosjen mazhorancë-opozitë në muajin e fundit të vitit, nën presionin e hapur të faktorit ndërkombëtar, u regjistruan dhe akorde mes tyre për çështje të rëndësishme: u miratua me vota të përbashkëta në parlament ligji për dekriminalizmin, si dhe u mirëpritën nga të dyja palët vërejtjet dhe propozimet që Komisioni i Venecias bëri për paketën ligjore të reformës në drejtësi. Te paktën deri më tani, asnjë parti politike parlamentare nuk ka vënë në diskutim angazhimin për finalizimin e kësaj reforme, e cila përshkruhet si jetike për ecurinë e Shqipërisë në procesin e intergrimit në BE.