Shqipëri: Përkujtim jubilar dhe protestë e dhunshme
9 Dhjetor 2015Në bulevardin kryesor të Tiranës dhe në fasadën e kryeministrisë një ditë pas protestës së opozitës (08.12) nuk ka gjurmë nga aktet e dhunës. Në ditën e 25 vjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që i priu rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, Partia Demokratike (PD) në opozitë organizoi një protestë masive kundër qeverisë aktuale. Gurët e kalldrëmit të hequra nga protestuesit për të thyer xhamat e Ministrisës së Brendshme janë zëvendësuar me të reja, gjurmët e vezëve dhe bojrat blu dhe jeshile të hedhura nga protestuesit në shkallët e hyrjes dhe fasadën e Kryeministrisë janë fshirë. Bunkeri, pranë Ministrisë së Brendshmë, të cilit protestuesit i vunë flakën por nuk arritën ta rrafshojnë është e vetmja gjurmë fizike që duket qartë. Por aktet e dhunës në protestën e një dite më parë, kanë shënuar një kthim pas dhe një rekord negativ për kulturën demokratike të politikanëve në Shqipëri. Degacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përmes një deklarate e quajti “të papranueshme dhunën”dhe u bëri “thirrje gjithë partive dhe nëpunësve publikë, përfshirë veçanërisht opozitën, që ta dënojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog politik konstruktiv.”
Kërkesat e protestuesve, fillimi i mosbindjes civile
Protestuesit kërkuan rrëzimin e qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama dhe zëvendësimin e saj me një qeveri teknike. Ata e akuzuan atë për korrupsion si shkakun kryesor që shqiptarët po largojen dhe po kërkojnë azil në vendet e Europës. Ish-kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri Berisha tha të martën në konferencën ndërkombëtare “Shqipëria dhe Europa, 25 vjet nga rënia e komunizmit”, se “vendi ndodhet në një gjendje dëshpëruese për shkak të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar”. Demokratët bënë të ditur gjatë zhvillimit të protestës, se ajo është vetëm fillim i mosbindjes civile deri sa qeveria Rama të zëvendësohet me një qeveri teknike.
Jo dhunë - Alternativa konstruktive nga opozita
Afrim Krasniqi,Drejtor Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studime politike, analist, thotë për DW se aktet e dhunës janë të pajustifikueshme.“Për Shqiperinë e vitit 2015 dhe për 25 vjetorin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, për ditën e pluralizmit politik është e pafalshme, bilanci që ofroi politika në Tiranë është mungesa totale e dialogut politik midis palëve, sjellja arrogante e liderëve politike, përdorim i lirive demokratike për të keqpërdorur lirinë. Ndodhën akte dhune ndaj instituciomneve, kërcënim publik, retorikë konflikti dhre ftesë për mosbindje civile. Oferta të tilla janë apolitike, pa sens, pa përmbajtje, pa vizion dhe të pa papranueshme. Shqipëria ka nevojë për alternativë konstruktive nga opozita politike dhe një mazhorancë jo arrogante që merr dhe mban përgjegjësi. Nga protesta dhe retorika dëmtohet imazhi i vendit, interesat e gjera publike dhe sidomos agjenda e reformave që është jetike për Shqipërinë.
Merkel: Gjermania edhe në të ardhmen do të jetë partnerja e mirë e Shqipërisë
Në plotësimin e kësaj agjende Gjermania rikonfirmoi (08.12) se do të mbështesë Shqiperinë. Kancelarja Merkel, përmes një video-mesazhi adresuar me rastin e 8 dhjetorit, 25 vjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, të shfaqur në Konferencën Ndërkombëtare “Shqipëria dhe Europa, 25 vjet nga rënia e komunizmit” që u zhvillua në Tiranë me rastin e këtij përvjetori theksoi se: “Gjermania e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dhe tani ju shoqërojmë me këshilla dhe vepra konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sigurisht që kjo nuk është rrugë e lehtë. Por Shqipëria tashmë ka kapërcyer etapa të rëndësishme. Do të gëzohesha shumë, nëse ju këtë e shikoni si nxitje për reforma të mëtejshme. Gjermania edhe në të ardhmen do të jetë partnerja juaj e mirë”
Ajo vuri në dukje rëndësinë para së gjithash “që të përmirësohen perspektivat e njerëzve të rinj në Shqipëri, nga talentet e tyre varet çdo gjë. Mirëpo ata duhet të kenë mundësinë t'i shpalosin talentet e tyre.”
Arritje cilësorë të shoqëruara me zhgënjim nga pritshmëritë e mëdha
Aktet e dhunës në protestën e opozitës treguan që kultura demokratike në Shqipëri mbetet ende e brishtë dhe e cënueshme edhe pas 25 vitesh demokraci. "Ne ende nuk e kemi kapërcyer kulturalisht fazën e ndërmjetme, ku kundërshtari, oponenti, i ndryshmi të pranohet si pjesë e diversitetit që kemi zgjedhur, duke zgjedhur demokracinë dhe të mos jetë armiku që duhet asgjësuar”, tha në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare kryeministri Rama. Ai i quajti aktet e dhunës vepra të "shëmtisë së dëshpëruar" dhe "vandalizëm i mjerueshëm”
Bernd Fischer, profesor dhe shef i Katedrёs sё Historisё nё Universitetin Indiana Fort Ëayne nё SHBA, autor librash pёr historinё e Shqipёrisё dhe anëtar i komisionit shtetëror për rishkrimin e historisë, përgjegjës për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, i ftuar në konferencën ndërkombëtare, “Shqipëria dhe Europa, 25 vjet nga rënia e komunizmit” tha për DW: “Ka progres real në Shqipëri, ka progres në zbatimin e ligjit që është vënë në dukje edhe nga organizma të rëndësishme ndërkombëtare. Ka një ndryshim cilësor. Natyrisht ka vështirësi ekonomike, është kriza e azilantëve. Por zhgënjimi vjen nga pritshmëritë shumë të larta. PD me aktet e djeshme të dhunës nuk ka vepruar në mënyrë demokratike.