Trashëgimia evropiane e Thatcherit
10 Prill 2013Kur në vitin 1989 pas dhjetëra vitesh lufte të ftohtë ra perdja e hekurt dhe ribashkimi i Gjermanisë praktikisht katapultoi brenda nate në rendin politik të ditës, gjermanët u gjenden papritur përballë katër fuqive fituese, në një pozicion të panjohur për ta.
Qëndrimi kritik i Thatcher-it ndaj Evropës dhe bashkimit gjerman
Në Gjermani ishin mësuar që britanikët dhe francezët gjithmonë kishin ndërhyrë për bashkimin e Gjermanive. Dhe ata e kishin bërë atë me të vërtetë, përderisa bashkimi kishte qenë larg, shumë larg", shpjegon Heinz Schulte, ekspert për marrëdhëniet gjermano-britanike dhe ish-korrespondent në Londër i gazetës Die Welt.
Por kjo u provua me të vërtetë, kur ra Muri i Berlinit: Papritur situata ishte ndryshe. Dy prej ish fuqive ndërluftuese ishin - megjithëse për arsye tërësisht të ndryshme - për ribashkimin e Gjermanisë. Bashkimi Sovjetik, për shkak se nuk mbulonte dot më sferën e influencës afatgjatë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Dhe SHBA, që i kishin kuptuar menjëherë avantazhet e tërheqjes sovjetike nga Evropa Qendrore dhe Lindore.
"Pra tani ishte Britania dhe Franca, të cilat ishin skeptike, për të mos thënë kundër. Margaret Thatcher dhe François Mitterrand. Ata nuk kanë kontribuar dhe aq për bashkimin gjerman. Kjo duhet thënë për hir të së vëertetës", thotë Schulte. "Thatcher u përpoq të frenonte valën e historisë dhe me këtë dështoi."
Bashkimi si rrezik për sigurinë
Dy muaj para rënies së murit zonja e hekurt paralajmëroi në një bisedë konfidenciale me Mihail Gorbaçovin, se bashkimi gjerman do të çonte në "Ndryshimin e kufijve të pasluftës". "Këtë ne nuk mund ta lejojmë, sepse një zhvillim i tillë do të minonte gjithë stabilitetin ndërkombëtar dhe do të rrezikonte sigurinë tonë."
Parisi ndryshoi qëndrim, pasi Gjermania pranoi monedhën e përbashkët evropiane, ndërsa Thatcher mbeti në refuzimin e saj. Skepticizmi i saj bazohej edhe në shqetësimin tradicional britanik për balancën e forcave në kontinent dhe frikën e një Gjermanie të fuqishme.
"Kjo edhe prej faktit se familja e saj, përpara se ajo të bëhej studente në Oxford kishte marrë dy vajza të reja hebreje nga Vjena në Grantham", thotë politologu britanik Anthony Glees në bisedë me radion gjermane, Deutschlandfunk. "Me njerën prej këtyre vajzave Margaret Thatcher ka mbajtur shoqëri gjatë gjithë jetës. Dhe historitë, që ata tregonin për vjenën e vitit 1938 dhe hyrjen e nazistëve, Thatcher nuk i ka harruar kurrë."
Thatcher nuk e ka kuptuar kurrë si duhet RFGj-në dhe faktin, se kishte përpara një Gjermani tjetër me të tjerë gjermanë në pushtet, mendon Glees. Për të ky vend ishte gjithmonë shumë i fuqishëm, shumë i madh. Dhe një Gjermani e ndarë më dysh dukej më pak e rrezikshme se sa një Gjermani e madhe dominuese.
Kryeminitrja britanike mbeti në imazhin e saj për Gjermaninë në mendësinë e shteteve nacionale të shekullit të 20, të një botë të dominuar nga armët dhe nga emblemat e shteteve kombëtare", thotë Schulte. Por ai ishte një përfytyrim për Gjermaninë, që nuk do të vërtetohej. Gjermania dhe Europa morën një rrugë tjetër nga ajo, që kishte patur frikë Thatcher.
Jo, Jo, Jo! zgjerimit të Evropës
Ndërsa për bashkimin e Gjermanive në fund iu desh të bindej, në lidhje me Evropën ajo i mbeti besnike emrit të saj si zonja e hekurt.
Ishte fundja qëndrimi saj ndaj Evropës, që çoi në fundin e karrierës së saj politike. Edhe pse Thatcher nuk iu kundërvu Bashkimit Europian si bashkim ekonomik, planet për kalimin e pushtetit në drejtim të Brukselit ishin për të të papranueshme.
"Presidenti i Komisionit Delors thotë se e dëshiron Parlamentin e BE si organ demokratik të unionit, Komisionin si ekzekutiv dhe këshilin e ministrave si senat. Jo, jo, jo!" tha Thatcher prerë në dhomën e ulët të parlamentit britanik në vitin 1990.
Kundërshtimi i Evropës, ishte më në fund ajo që minoi pozicionin e saj edhe brenda partisë, derisa iu desh të jepte dorëheqjen.
Pa vizion
Ajo që i mungonte Thatcher-it, thotë Schulte, ishte një vizion për të ardhmen e EVropës. Ndërkohë BE -megjithë problemet - është partneri më i rëndësishëm i SHBA-së, sidomos duke patur parasysh zhvillimin e Kinës. Pesha e saj globale skon ndërkohë përtej çështjeve tradicionale të tregtisë apo të mbrojtjes së përbashkët. Si rezultat i kësaj gjithë marrëdhënia transatlantike është zhvendosur larg marrëdhënies së shkëlqyer në mes Uashingtonit dhe Londrës.
Kjo marrëdhënie me të vërtetë është ende, por ka edhe një marrëdhënie mes Uashingtonit dhe Berlinit, për shembull, apo midis Uashingtonit dhe Canberra, kur kemi parasysh zonën e Paqësorit", thotë Schulte.
Thatcher do të mbahet mend si një nga figurat qendrore në zhvillimin e Evropës dhe Gjermanisë në rrugën e ribashkimit. Por shumë nga shqetësimet e saj mbi Evropën dhe Gjermaninë ishin më të ndikuara nga një vështrim nga e kaluara, se sa nga vizioni i një Evrope të bashkuar.
"Zoti Cameron e sheh veten sigurisht në traditën e Thatcherit - por në qoftë se ështëobjektivisht kështu, e dyshoj", thotë Schulte. "Thatcher ishte një personalitet i shquar, por ajo duhet të parë në mjedisin dhe kontekstin e kohës së saj."
Autor: Andreas Illmer/ Ina Verbica
Redaktoi: Auron Dodi