1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresë për paqe në Afganistan

Benjamin Knight/Esat Ahmeti26 Qershor 2013

SHBA dhe Afganistani kanë toleruar hapjen e një zyre të talebanëve në Katar. Kjo nënkupton një shans të vogël për paqe. Por a do të diskutojnë SHBA-të tani e tutje më shumë me grupet më militante?

https://p.dw.com/p/18wh3
Zyra e talebanëve në Doha QatarFotografi: Reuters

Zyra ishte e hapur, por tabela duhet të hiqej. Janë pak gjëra që mund të pasqyrojnë më mirë kompleksitetin e konfliktit në Afganistan si hapja e zyrës së talebanëve në Katar javën e kaluar. Presidenti afgan Hamid Karzai kishte qenë fillimisht dakord me dëshirën e grupit të rebelëve për të ngritur një zyrë në shtetin e Gjirit. Por kur ai pa se në hyrje të zyrës ishte vendosur tabela me mbishkrimin "Emiratet Islamike të Afganistanit", ai ishte zemëruar. Ky ishte emri që mbante vendi i tij nga viti 1996 deri në 2001 nën regjimin islamik taleban.

Dukej sikur një qeveri në mërgim kishte marrë të drejtën e ekzistimit. Dhe jo vetëm nga Katari, por edhe nga qeveria e SHBA-ve, e cila kishte lejuar hapjen e zyrës si një hap të parë drejt negociatave. Pas një dekade në mërgim dhe klasifikimin si një organizatë terroriste, talebanët ishin papritmas një grup politik me një prani ndërkombëtare.

Përkundër këtyre problemeve në këtë fazë të hershme duket sikur Uashingtoni, Kabuli dhe talebanët tani janë të hapur për bisedimet e paqes. Dhe për të ardhur deri në këtë pikë të gjitha palët duhet të bënin lëshime të mëdha, thotë Matt Waldman, analist në think tank-un britanik Chatham House.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës hoqën dorë nga kërkesa që talebanët të distancohen publikisht nga Al Kaida, qeveria afgane hoqi dorë nga qëndrimet e saj në lidhje me zyrën në Doha dhe talebanët pushuan të deklarojnë publikisht se ata nuk do të flasin me qeverinë e Karzait . "Ky ishte gjithmonë qëndrimi i tyre për publikun, edhe pse ata janë takuar në të kaluarën shumë herë me zyrtarë të Karzait", thotë për DW, Matt Waldman.

Simboli i diskutueshëm

Diskutimi për tabelën e vendosur në ndërtesën në Doha tregon në shumë mënyra se cilat janë arsyet e konfliktit. A do të thotë se në fund të fundit qëllimi i talebanëve është të pozicionojë veten përsëri si qeveri legjitime në Afganistan? "Kjo është një pyetje shumë e mirë," thotë Waldman. "Kjo është një pyetje që u duhet bërë udhëheqësve talebanë të negociatave. Sepse në qoftë se ata me të vërtetë duan të kthejnë sërish vetëm Emiratet atëherë nuk mund të shkohet shumë përpara. Por në qoftë se ata janë të gatshëm për kompromis, ka vend për dialog dhe ndoshta mundësia e një marrëveshje të paqes bile e një marrëveshjeje që do të ndante edhe pushtetin në vend."

Kjo nuk është një sajim i imagjinatës, thotë Waldman. Të paktën tani edhe talebanët e kanë kuptuar që një kërkesë për të qeverisur mbarë vendin mund të çojë sërish në një konflikt të armatosur. "Pragmatistët në mesin e talebanëve e kanë kuptuar se popullsia afgane ka ndryshuar. Njerëzit tani presin më shumë në aspektin e shërbimeve sociale dhe lirive dhe talebanët e dinë se ata vetëm nuk mund ti përmbushin këto pritje", thotë analisti.

Ehemalige Taliban-Kämpfer bei Waffen Übergabe
Ish luftëtarë talebanëFotografi: picture alliance / AP Photo

Të ngopur me luftë

Një motivim për gatishmërinë e re për bisedime paqësore është lodhja nga lufta. "SHBA-ja dëshiron të tërhiqet dhe t'i japë fund konfliktit", thotë Waldmann. "Dhe siç e shohim afganët janë duke pësuar humbje të rënda - çdo muaj vriten rreth 250 ushtarë dhe policë. Dhe popullata afgane natyrisht që pas dekadash në luftë dhe kaos ka nevojë për paqe. Por edhe vet talebanët, të paktën disa prej tyre, u vjen keq për vuajtjet që i kanë shkaktuar në vend."

"Çfarë kthese pas 10 vitesh luftime të tmerrshme", thotë Judy Dempsey, një partnere drejtuese në think tank-un Carnegie Europe. "Kjo më kujton kohën kur askush nuk dëshironte të fliste me IRA-n në Irlandën e Veriut. Dhe dikur, Dublini dhe Londra arritën në përfundim se ata nuk do të arrijnë kurrë një paqe të qëndrueshme në qoftë se ata nuk flasin me të dyja palët. Ata e kanë bërë këtë me një fuqi bindëse të pabesueshme dhe diplomaci fantastike për shkak se ata e kishin kuptuar se në qoftë se do të kishte jë luftë ata kurrë nuk do ta fitonin atë ushtarakisht."