1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120509 USA Menschenrechte

11 Maj 2009

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë të martën (12.5.) për përbërjen e re të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, mandati i të cilit zgjat tre vjet.

https://p.dw.com/p/Hnph
Pamje simbolike e të drejtave të njeriut me logon e Këshillit të OKB.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë të martën (12.5.) për përbërjen e re të Këshillit për të Drejtat e Njeriut.Fotografi: picture-alliance / dpa / AP / Montage DW

Këshilli është një organ multilateral dhe puna e tij varet prej vullnetit politik të qeverive anëtare. Në Gjenevë kanë përfaqësitë dhe të drejtën e votës në këtë Këshill 47 vende. SHBA-ja dikur ka qenë kundër fuqizimit të këtij organizmi, ndërsa tani kërkon të jetë pjesë e tij.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut nuk i përket organeve kryesore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ish - sekretari i përgjithshëm Kofi Annan, parashtroi në vitin 2005 idenë që edhe ky Këshill të kthehet ndër organet kryesore si Këshilli i Sigurimit apo Këshilli Ekonomik dhe Social. SHBA-ja votoi në vitin 2006 kundër kësaj ideje. Eksperti Wolfgang Heinz, nga Instituti për të Drejtat e Njeriut në Berlin, mendon se shkaku për këtë votim ishte fakti që në pushtet në Uashington ishin forcat konservatore. "Forcat politike të qendrës së djathtë mendojnë, se rezolutat ndërkombëtare sjellin gjithmonë vetëm ngarkesa dhe kufizime për përdorimin dhe ushtrimin e pushtetit të SHBA-së. Prandaj ekziston një dozë e lartë skeptizicmi ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe OKB-së."

Burgu i Guantanamos.
SHBA-ja me siguri që nuk mund të trajtohet si idol i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, për shkak të ngjarjeve në Guantanamo dhe Abu Ghraib.Fotografi: dpa

SHBA-ja kërkon tani vendin dhe të drejtën e votës në Këshillin për të Drejtat e Njeriut, që do të thotë një fitore e forcave liberale në këtë vend. “Në qeverinë e presidentit Obama ka njerëz, ekspertë dhe politikanë të cilët mendojnë ndryshe. Ata shohin edhe sukseset nga një këshill i tillë, sepse në të mund të trajtohen edhe politika të ndryshme, mënyra veprimi dhe çështje si korrupsioni apo dhe të tjera. Këto tema trajtohen edhe në organe të tjera, por ekziston bindja se çështjet fillimisht duhet të trajtohen së bashku me OKB-në, dhe jo kundër saj.”

Megjithatë duket se ekzistojnë edhe motive të tjera. Në këtë Këshill në rendin e ditës kanë qenë pothuajse gjithmonë tema e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Izraeli, ndërkohë që sjellja e autoriteteve palestineze nuk është trajtuar. Kjo çështje ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në konferencën e fundit kundër racizmit. “Prandaj unë e di që SHBA-ja do të jetë shpesh në anën e Izraelit, sa herë që do të flitet për rezolutat kundër Izraelit. Në kumtesën e fundit të lëshuar me 4 prill, thuhet shprehimisht se SHBA-ja është e shqetësuar për shkak të politizimit të çështjes së të drejtave të njeriut dhe për faktin se Këshilli flet gjithmonë vetëm për një vend."

Human Rights Room në Gjenevë.
Human Rights Room në Gjenevë. Këshilli për të drejtat e njeriut të KB është një organ multilateral, puna e të cilit varet prej vullnetit politik të vendeve anëtare.Fotografi: picture-alliance / dpa

SHBA-ja ka përdorur veton në KS të OKB-së në 20 vitet e fundit, kryesisht kur janë paraqitur rezoluta, që sipas mendimit të amerikanëve kanë qenë të njëanshme kundër Izraelit. Pritet që kjo temë të vendoset sërish në rend të ditës, sepse në OKB ka mbërritur raporti i fundit për sulmet në fillim të vitit të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Anëtare të Këshillit për të Drejtat e Njeriut janë edhe Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia. Por Uashingtoni ka dhe motive tjera, pse dëshiron të bëhet anëtar i plotfuqishëm i këtij organi.

SHBA-ja me siguri që nuk mund të trajtohet si idol i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, për shkak të ngjarjeve në Guantanamo dhe Abu Ghraib, ku qeveria e presidentit Bush, ka refuzuar të bashkëpunojë me raportuesit e posaçëm të OKB-së. Ndërkohë që në SHBA vazhdon të ekzistojë dënimi me vdekje. Shtrohet pyetja nëse SHBA-ja mund të futet në këtë Këshill? “Mendoj se shanset janë të mira, sepse qeveria e presidentit Obama, e ka thënë qartë se do të marrë një drejtim të ri. Disa prej këtyre gjërave edhe i ka realizuar. Shumë vende janë të mendimit, madje edhe kritikët e SHBA-së, se më mirë është që të bashkëpunohet dhe të diskutohet së bashku në këtë Këshill, se sa lënia jashtë e SHBA-së."

Ekspertët e të drejtave të njeriut në Gjermani janë të mendimit se pjesëmarrja e SHBA-së në këtë Këshill do t'i jep atij një dinamikë tjetër, sepse vota e këtij vendi ka një peshë të veçantë.

Autor: Ulrike Mast-Kirschning / Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama