1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shprehet solidaritet me të burgosurit në Bjellorusi

30 Dhjetor 2010

Në Bjellorusi, qindra kritikë të regjimit vazhdojnë të ndodhen pas hekurave. Ata i patën arrestuar për shkak të protestave kundër falsifikimeve në zgjedhje. Simpatizantë kanë bërë thirrje për aksione solidariteti.

https://p.dw.com/p/zrHj
Aksion proteste i opozitës para burgjeve në Minsk
Aksion proteste i opozitës para burgjeve në MinskFotografi: DW

"Rroftë Bjellorusia" dhe "Largohu" - kështu thirrën dhjetëra mijëra vetë, kur menjëherë pas zgjedhjeve ecnin nëpër rrugët me borë të kryeqytetit Minsk. Shumë prej tyre u rrahën gjatë ose pas demonstratës në mënyrë brutale nga policia. Siazhuk Semianuk kishte planifikuar që të shkonte në demonstratë, por puna e tij si vëzhgues zgjedhjesh e bëri pastaj që të qendronte më gjatë në lokalin elektoral 104 në Minsk.

"Kur mbaruam punën në orën 1 të natës, ishte shumë vonë. Njerëzit po i dëbonin. Në sekondat e para ishin kaq të dëshpëruar. Njerëzit i rrihnin dhe ne nuk ishim atje", tha ai.

Thirrje në internet për të grumbulluar ndihma

Më shumë se 600 demonstrues u arrestuan më 19 dhjetor. Një ditë më pas ata u zgjuan mbi dyshemenë e ftohtë në një nga burgjet e Minskut. Në televizionin shtetëror demonstruesit u paraqitën si të alkoolizuar dhe si gangsterë të nxitur me para perëndimore. Një pjesë e popullit i dënoi protestat. Por ka edhe zëra si të Semianukut:

"Ditën në vazhdim ne mësuam se në gjyqe dhe në burgje ndodhen qindra vetë. Ata kishin nevojë për ndihmë. Ne thjesht nuk kishim alternativë tjetër. Ne, që jemi të lirë, duhet të bëjmë gjithçka për t'i ndihmuar këta njerëz."

Nga aksioni i protestës i opozitës
Nga aksioni i protestës i opozitësFotografi: DW

Semianiuku dhe shokët e tij u bënë thirrje njerëzve në internet që të dhurojnë sende dhe para për të arrestuarit. 20 minuta më vonë erdhi donacioni i parë, kujton Semianiuku. Më pas, qindra vetë sollën rroba të ngrohta, thasë të posaçëm për fjetje, artikuj higjenikë, ushqime dhe libra - gjithçka për të cilën mund të kishin nevojë të arrestuarit. Për të koordinuar përcjelljen e paketave, vullnetarët ngritën një faqe interneti. Aksionin e ndihmës ata e quajtën "ëngjëjt mbrojtës".

Një valë të tillë të gjerë të solidaritetit me opozitën nuk ka pasur kurrë në Bjellorusi, thotë Semianiuku.

"Solidariteti i krijuar nga halli tregon se bjellorusët mund të rezistojnë shumë mirë. Ne duhet të caktojmë synime të përbashkëta dhe të punojmë për to. Kjo është e mundur", shpjegon ai.

Ditët e fundit para vitit të ri, Semianiuku dhe ndihmës të tjerë duan t'i kalojnë para burgut. Të burgosurit, që i dënuan me 10 ditë burg, do të lirohen të parët, më 29 dhjetor. Ndihmësit duan t'i presin ata në mënyrë ceremoniale.

Autor: Olga Kohl/Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani