1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëTimori Lindor

Shpjegues: Çfarë duhet të dini për Rafahun?

Andreas Noll
27 Prill 2024

Izraeli duket se i ka përfunduar përgatitjet për ofensivën ushtarake në Rafah, sipas mediave. Për civilët janë ngritur strehimore provizore. Ende pritet miratimi i qeverisë izraelite.

https://p.dw.com/p/4fFMJ
Kampi Deir Al-Balah në Rafah
Kampi nëRafahFotografi: Ramadan Abed/REUTERS

Që nga shkurti Izraeli diskuton për një ofensivë të mundshme ushtarake në Rafah, në jug të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve në mediat izraelite këtë javë forcat e armatosura izraelite ndërkohë i kanë përfunduar përgatitjet për ofensivën. Sipas tyre pritet vetëm miratimi i qeverisë izraelite. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi së fundmi, se ofensiva mund të fillojë në "ditët e ardhshme". Ushtria izraelite ka llogaritur me rreth gjashtë javë "luftimesh të pandërprera" për operacionin.

Ekspertë të sigurisë janë të mendimit se ofensiva fillon së shpejti. Egjipti përpiqet ndërkohë të negociojë një marrëveshje të re pengjesh mes Izraelit dhe Hamasit, me shpresën e mënjanimit të ofensivës apo të paktën të shtyrjes.

Si është situata e njerëzve në Rafah?

Më shumë se 80% e popullsisë në Gaza është në arrati nga luftimet. Nga rreth 2,3 milionë banorë, 1,4 milionë vetë kanë gjetur strehë në Rafah, pasi ushtria izraelite hyri në veriun e Gazës. Rafah është sot qyteti më i populluar në Rripin e Gazës. Kampet e refugjatëve në rajonin përreth Rafah janë të tejmbushur, aty mungojnë artikujt ushqimorë, ilaçet dhe uji i pijshëm. "Gjendja humanitare në Gaza është tmerrësisht e keqe", tha një përfaqësuese e USAID-it amerikan, institucion i ndihmës për zhvillimin. Në jug të Gazës, një çereku i popullsisë vuan nga mungesa e madhe e ushqimeve. Shumë të prekur janë fëmijët.

Pse Rafahu është i rëndësishëm për Izraelin?

Rafahu konsiderohet si bastioni i fundit i madh i grupit terrorist të Hamasit që më 7 tetor të vitit të shkuar kreu një masakër në Izrael, duke vrarë më shumë se 1000 vetë dhe marrë 240 pengje izraelite në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave izraelite, aty fshihen deri në katër nga 24 brigada të dikurshme të Hamasit. Për Izraelin luftimi i tyre është një hap vendimtar për shkatërrimin e organizatës.

SHBA ngrenë port lundrues për sjelljen e ndihmave në Gaza
SHBA ngrenë port lundrues për sjelljen e ndihmave në GazaFotografi: Sgt. Ashunteia' Smith/U.S. Army/Getty Images

Aftësia luftarake e Hamasit pas 7 muajsh luftime është dobësuar dukshëm, por ushtarakisht grupi terrorist i Hamasit nuk është mposhtur. Numri i raketave kundër Izraelit ka rënë ndjeshëm, por kjo organizatë ende posedon shumë raketa dhe dronë. Vëzhguesit janë të mendimit,  se Izraeli ka shkatërruar 70-80% të arsenalit ushtarak të Hamasit.

Si do të mbrojë Izraeli popullsinë civile në Rafah?

Ushtria izraelite këtë javë ka bërë të ditur, se kanë përfunduar përgatitjet për evakuimin e civilëve. Ministria izraelite e Mbrojtes ka krijuar 40.000 çadra për civilët në Rafah për të strehuar njerëzit në dhe përreth qytetit. Agjencia e lajmeve, AP ka publikuar pamje të para të një zone çadrash në perëndim të Khan Yunis. Se ku mund të ngrihen pika të reja të strehimit nuk është e qartë.

Ndërkohë SHBA kanë filluar me ngritjen e një porti provizor para brigjeve të Gazës. Porti në veri të Gazës mund të jetë gati për punë në fillim të majit sipas të dhënave amerikane dhe do të lehtësojë furnizimin e civilëve. Por ngritja e një infrastrukture funksionuese kërkon shumë partnerë. Një proces i tillë bashkëpunimi me organizatat humanitare kërkon javë përgatitjeje. Aktualisht ndihmat në kampet në Gaza vijnë përmes pikës kufitare të Rafahut.

Kamp në Rafah, palestinezë duke ngritur strehimoren
Fotografi: Ramadan Abed/REUTERS

Çfarë thuhet për ofensivën?

Në rast të ofensivës ushtarake, Egjipti ka frikë se shumë refugjatë do të kalojnë nga Rafahu në Sinain egjiptian. Udhëheqja në Kajro ka kërcënuar në këtë rast Izraelin me anulimin e Marrëveshjes së Paqes. Kritika më e madhe për planet e ofensivës izraelite vjen nga aleati më i rëndësishëm i Izraelit, SHBA. Presidenti, Joe Biden i kërkoi kryeministrit izraelit në shkurt, të mos fillojë ofensivën pa një plan të besueshëm për mbrojtjen e popullsisë civile. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken para një jave tha, se "ne nuk mund ta mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah".

Mision i vështirë - Ndihmat për Gazën nga ajri