1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Falimenton "Ferri i gjelbër"

Manfred Böhm/Elona Elezi23 Korrik 2012

Pista më e famshme gjermane e garave me makina u bë e njohur si "Ferri i gjelbër". Nürburgring u konceptua për të qenë një qendër biznesi dhe e ardhme e lulëzuar e kohës së lirë. Por projekti kërcënohet nga mbyllja.

https://p.dw.com/p/15dJE
Nyrburgring
NyrburgringFotografi: picture-alliance/Eibner-Pressefoto

Shumë persona të rëndësishëm të botës së politikës, biznesit dhe sportit ishin të pranishëm në 9 korrik të vitit 2009, kur parku i ri i argëtimit në Nyrburgring në zonën Ajfel u hap me shumë bujë. Në vetëm dy vite, ky kompleks madhështor u ngrit nga toka në këtë pjesë të largët të landit gjerman Rajnland-Pfalc.

Përveç një tribune të re, qendra kishte një shëtitore, dy hotele, një kompleks me shtëpi pushimi dhe restorante të ndryshme.

Ish-piloti i Formula 1 Hans-Joachim Stuck ishte i impresionuar. "Mendoj se është fantastike", i tha ai Deutsche Welle-s në atë kohë. "Rajoni i Ajfelit, infrastruktura e të cilit nuk është dhe aq e zhvilluar, padyshim që do të përfitojë prej saj. Është një vendim kurajoz, dhe të gjithë shpresojmë se prej saj do të fitohet shumë".

Më shumë se një Mekë e garave me makina

Michael Schumacher
Michael SchumacherFotografi: AP

Garat janë zhvilluar në Nyrburgring, 60 kilometër larg Bonit, që nga viti 1927. Legjenda skoceze e Formula 1, Jackie Stewart i dha epitetin "Ferri i gjelbër" pistës kodrinore dhe të valëzuar. Ai u kthye në vendtakimin e qindra garave emocionuese. Pati gjithashtu edhe disa aksidente tragjike dhe pasoja të mëdha pas përplasjes fatale të Niki Lauda, në "Kthesën Veriore" në Grand Prix-in e vitit 1976, të cilit i shpëtoi vetëm me disa djegie të rënda. Rruga e 21 kilometrave nuk u konsiderua mjaftueshëm e sigurt për garën e makinave. Një pistë pesë kilometër e Grand Prix u ndërtua dhe u vu në funksion në vitin 1984.

Garat gjermane me makina përjetuan një rilindje në mesin e viteve ´90, pjesërisht nga niveli i lartë i Michael Schumacher. Një shumëllojshmëri e modifikimeve në pistën e Nyrburgring e kthyen atë në një prej cirkuiteve të garave më moderne në Europë.

Por edhe para kësaj, u kuptua se garat me makina nuk ishin gjithçka. Kompleksi ka qenë "Meka" për fansat e muzikës që nga viti 1985, dhe dhjetëra mijëra njerëz ende udhëtojnë drejt festivalit që mbahet çdo verë, "Rock am Ring". Kjo dhe suksese të tjera inkurajuan organizatorët për të hartuar plane të reja, të cilat në vitin 2004 u njohën si projekti "Nyrburgring 2009".

Plane ambicioze

"Ajo çka quajmë Nyrburgring 2009 është zhvillimi logjistik i strategjisë sonë në rritje“, tha në një intervistë për DW, katër vite më parë Walter Kafitz, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë Nyrburgring. Në atë kohë, zona ishte një vend ndërtimi gjigand, me një investim që kapte shifrën 215 milionë euro (264 milionë dollarë). Investitorët privatë kontribuan me 80 milionë euro. Por duke qenë se kostot ishin tepër të larta, nuk u shfaq asnjë investitor i madh privat. Landi Rhineland-Pfalz, aksioneri kryesor me 90 %, u detyrua të investonte shumë e më shumë para në mënyrë që të siguronte projektin.

Kurt Beck
Kurt BeckFotografi: dapd

Qeveria e landit mundi të gjente një operator privat që të kujdesej për pistën e Nyrburgring. Ajo kishte për qëllim të tërhiqte sa më shumë njerëz me kompleksin e argëtimit dhe t´a drejtonte atë në mënyrë sa më efikase. Por vizitorët qëndruan larg. Si rrjedhojë, punëtorët u shkurtuan dhe parku u mbyll në muajt e dimrit.

Qiradhënësit nuk ishin më në gjendje për të paguar qiranë. Kontrata me operatorët e rrjetit të tejkalimit të krizës më në fund u anullua në shkurt të vitit 2012.

Premtime të thyera dhe shpresa zhgënjyese

Tani, në 18 korrik të vitit 2012, akti final i dramës Nyrburgring duket se ka nisur. Komisoni Europian në Bruksel refuzoi t´i japë të drejtën landit Rajnland-Pfalc për të investuar 13 milion euro të tjera në atë projekt. Nyrburgring kishte nevojë për para për të mbijetuar gjashtë muaj të tjerë. Duke qenë se cirkuiti tani e ka të pamundur të përballojë pagesat e faturave në fund të muajit, kryeministri i landit Kurt Beck ka shtypur frenat e emergjencës dhe ka njoftuar pamundësinë financiare.

Ky ishte një dështim politik për Beck. Projekti ambicioz kishte si synim të ishte "flamuri i ngritur" i kreut të Partisë Socialdemokrate. Ai vazhdimisht premtonte që taksapaguesit nuk do të harxhonin as një cent – një premtim i thyer siç ishte dhe premtimi për rimëkëmbjen ekonomike të zonës. Nyrburgring kishte si qëllim krijimin e 3 mijë vendeve të reja të punës, 500 prej të cilave në territorin e tij.

Për ata që jetojnë përreth cirkuitit – të mësuar prej një kohe të gjatë me lajme të këqija, falimentimi erdhi si një shok. "I gjithë Nyrburgring jeton nga ky rrjet. Tashmë rajoni do të marrë tatëpjetën", tha kryebashkiaku Reinhold Schüssler në një prononcim për gazetën lokale Trierischer Volksfreund.

Vizitorët në Nyrburgring
A do të ketë më vizitorë?Fotografi: DW/Anders

Frika ka marrë dhenë. "Unë varem 100% nga ky rrjet", thotë pronari i një hoteli të zonës. "Ne gjithmonë kemi pasur klientë vetëm spektatorë të garave të makinave. Nuk mund t´a ndryshoj këtë hotel dhe t´a kthej në një hotel kurativ në moshën që jam“. Pronari i një pike karburanti në zonë shton: "Nëse vjen ndonjë rus i pasur dhe e merr me qera këtë pistë për shkak të pasionit të tij, unë do të ikja brenda tre muajve".

Manfred Sattler, Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Koblenc, njëkohësisht pilot amator, vatzhdon akoma të shpresojë. "Pas kaq vitesh me operatorët aktualë, Nyrburgringu meriton që të menaxhohet sërish nga profesionistë, dhe garat e makinave duhet të vendosen në skenën kryesore".

Një rikthim në garat me makina është gjithashtu motoja e "Shpëtoni rrjetin", një grupi i përbërë nga ekipe garuese, shoferë turistë, klube dhe kompani të cilët kundërshtuan me forcën ngritjen e të ashtuquajturës "Nürodisney."

Por pavarësisht shkatërrimit të dukshëm të projektit të vitit 2009, duket se makinat do të fërshëllejnë përreth Nürburgring së shpejti. Pronari i Formula 1 Bernie Ecclestone, tashmë ka dhënë sinjalet për organizimin e Grand Prix-it gjerman në këtë vend edhe për vitin 2013. Organizatorët e "Rock am Ring" dëshirojnë gjithashtu që të vijojnë traditën. Ai po pret që edhe pronarët e ardhshëm të cirkuitit të mendojnë në të njëjtën mënyrë. Si gjithmonë, shpresa vdes e fundit.